Gjoel Mokir, Filip Agion dhe Peter Hovit kanë fituar Çmimin Nobel në ekonomi për “shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni”, njoftoi të hënën Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Çmimi prestigjioz, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës Suedeze për shkencat ekonomike në kujtim të Alfred Nobel, është që jepet çdo vit dhe vlen 11 milionë kruna suedeze (rreth një milion euro).
“Laureatët na kanë mësuar se rritja e qëndrueshme nuk mund të merret si e mirëqenë”, tha organi që jep çmimet.
“Stagnimi ekonomik, e jo rritja, ka qenë normë për pjesën më të madhe të historisë njerëzore. Puna e tyre tregon se ne duhet të jemi të vetëdijshëm për kërcënimet ndaj rritjes së vazhdueshme dhe t’i përballojmë ato.”
Mokir është profesor në Universitetin Northwestern në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Agion është profesor në Collège de France, INSEAD në Paris dhe në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.
Hovit është profesor në Universitetin Brown në Shtetet e Bashkuara.
“Joel Mokir përdori vëzhgime historike për të identifikuar faktorët e nevojshëm për rritje të qëndrueshme bazuar në inovacionin teknologjik”, tha Gjon Hasler, anëtar i komitetit të Nobelit.
“Filip Agion dhe Peter Hovit kanë krijuar një model matematik të shkatërrimit krijues, një proces të pafund në të cilin produktet e reja dhe më të mira zëvendësojnë ato të vjetrat.”
Fituesit e çmimeve për mjekësi, fizikë, kimi, paqe dhe letërsi u shpallën javën e kaluar.
Çmimi i ekonomisë i vitit të kaluar iu dha akademikëve amerikanë Simon Gjonson, Gjames Robinson dhe Daron Axhemoglu për një projekt që eksploron lidhjen midis kolonizimit dhe krijimit të institucioneve publike për të shpjeguar pse disa vende kanë qenë të varfra për dekada të tëra.
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK