Jetojmë në një kohë në të cilën ky moral i vlefshëm është në mungesë. Biseda për mëshirën është bërë sikur të jetë pjesë e ndonjë imagjinate apo legjendë nga legjendat e një mijë e një netëve. Kjo, ngase mëshira mungon nga mesi i shumë njerëzve saqë gati sa nuk po e shohim aspak në mesin e myslimanëve, përveç atyre që All-llahu i ka kapluar me mëshirën e Tij.
Aq sa ne e kemi mëshirën në zemrat tona ndaj atyre që i kemi përreth, aq edhe do të jetë mëshira e All-llahut të Madhërishëm ndaj nesh.
All-llahu i Madhërishëm na ka urdhëruar t’i pasojmë pejgamberët e Tij dhe ka thënë: “Ata (të dërguarit e përmedur) ishin që All-llahu i vuri në rrugë të drejtë, andaj ti merri shembull në udhëzim.”[1]
All-llahu i Madhërishëm e ka cilësuar Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe sahabët e tij me këto fjalë: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete.”[2] Po ashtu All-llahu i Madhërishëm i ka thënë të dërguarit të Tij: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.”[3]
Madje Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka informuar se nëse në mesin e myslimanëve gjendet mëshira, atëherë ata do të jenë si një trup i vetëm, siç ka thënë në një hadith: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe ndihmën reciproke që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi nga pagjumësia e temperatura.”[4]
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka informuar se mëshira është cilësi e banorëve të xhennetit, dhe ka thënë: “… banorët e xhennetit janë tri grupe: Udhëheqësi i drejtë e i udhëzuar, njeriu i mëshirshëm e zemërbutë ndaj çdo të afërmi të tij dhe ndaj çdo myslimani, dhe njeriu fukara që nuk kërkon gjë nga njerëzit (por nga All-llahu).”[5]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka treguar se të gjithë xhennetlinjtë do të hynë në xhennet vetëm me mëshirën e All-llahut të Madhërishëm dhe ka thënë: “Askush nuk do të hyjë në xhennet me anë të veprave të tij.” Thanë: As ti o i dërguari i All-llahut? Tha: “As unë, përveç nëse All-llahu më kaplon me mëshirën e Tij.”[6]
All-llahu i Madhërishëm i mëshiron vetëm të mëshirshmit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu nuk e mëshiron atë që nuk i mëshiron njerëzit.”[7]
Prandaj mëshira është rruga më e afërt e cila na çon në xhennet. Tani ta imagjinojmë së bashku këtë pamje madhështore: Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: Më erdhi një grua e varfër e cila me vete kishte dy vajza. Unë i dhash tri hurma. Ajo që të dyjave u dha nga një hurmë, ndërsa të tretën e afroi te goja për ta ngrënë vetë. Por vajzat e saj i kërkuan hurmën e tretë, e ajo e ndau hurmën në dy pjesë dhe ua dha vajzave. Mua më pëlqeu shumë ky veprim i saj, e kur ia tregova këtë rast Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai tha: “All-llahu për shkak të kësaj vepre ia ka bërë obligim asaj xhennetin, ose e ka shpëtuar nga zjarri.”[8]
Pra, ejani së bashku të jetojmë me këtë moral të madh të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe ndoshta All-llahu na furnizon me mëshirë në zemrat tona e na bën prej fituesve potencialë të mëshirës së Tij si dhe fitues potencialë të shoqërimit me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në xhennet. Vërtet, vetëm Ai e ka mundësinë për ta bërë këtë gjë realitet.
[1] Kaptina El-En’am, ajeti 90.
[2] Kaptina El-Fet’h, ajeti 29.
[3] Kaptina Alu Imran, ajeti 159.
[4] Muttefekun alejhi, shënojnë Buhariu (6011) dhe Muslimi (2586).
[5] Sahih, shënon Muslimi (2865).
[6] Muttefekun alejhi, shënojnë Buhariu (5673) dhe Muslimi (2816).
[7] Sahih, shënon Buhariu (7376).
[8] Sahih, shënon Muslimi (2630).
Përmblodhi dhe përshtati :
STUDENTET.MK