Frytet e përqendrimit janë të shumta. Prej tyre po veçojmë:

1. Jeta e mirë

Besimtari i cili vazhdimisht jeton në adhurim ndaj All-llahut të Madhërishëm, jeton në xhennetin e dynjasë, në xhennetin e berzehut dhe në xhennetin e ahiretit.

Ibën Tejmije, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Në dynja ekziston një xhennet, dhe ai që nuk ka hyrë në atë xhennet, nuk do të hyjë as në xhennetin e ahiretit. Dikush pyeti: E cili është ai xhennet? Ai tha: Ai është xhenneti i imanit ndaj All-llahut të Madhërishëm.”

Ibrahim ibën Ed’hemi, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Vallahi sikur mbretërit dhe bijtë e mbretërve ta dinin se çfarë lumturie po përjetojmë ne, do të na luftonin me shpata për të na e rrëmbyer atë.”

Sahabët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pavarësisht nga telashet dhe sprovat në të cilat hasën, dhe pavarësisht nga të gjitha ato sakrifikime që i bënë për të ndihmuar fenë e All-llahut të Madhërishëm, ata ishin njerëzit me jetë më të mirë. Kjo sepse ata e jetuan kur’anin dhe sunnetin me zemra dhe gjymtyrë.

2. Mbrojtja e All-llahut ndaj robit

All-llahu ia mbron robit fenë, pasurinë, shëndetin dhe fëmijët nëse ai vazhdimisht i çon në vend urdhrat e All-llahut të Madhërishëm dhe vazhdon në adhurim ndaj Tij.

3. Përgëzimi i mirë

All-llahu i Madhërishëm thotë: “E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej. (u thonë) Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni. Pritje e nderuar prej Atij që falë mëkatet dhe që është mëshirues!”[1]

D.m.th. besuan sinqerisht dhe punuan me të, vetëm për hirin e All-llahut, pastaj u përqendruan në teuhid dhe adhurim ndaj Tij dhe vazhduan ashtu deri në vdekje.

Nga Omeri radijAll-llahu anhu na përcillet se derisa po ligjëronte në minber, pasi e lexoi ajetin e sipërpërmendur, tha: “U përqendruan, vallahi, në rrugën e adhurimit të All-llahut dhe pastaj nuk e përzien këtë me hile e dredhi.”[2]

Qëllimi i ajetit është se ata u përqendruan në sheriatin e All-llahut me edukatën dhe sjelljen e tyre, kështu që ishin besimtarë me kuptimin e plotë të fjalës dhe myslimanë të sinqertë. Njëri prej të devotshëmve u pyet për definicionin e nderimit (kerametit), e ai tha: “Përqendrimi është thelbi i nderimit.” Ndërsa nga Hasen el-Basriu na përcillet se ka thënë: “O All-llah, Ti je Zoti ynë, na furnizo me përqendrim.” Pjesa e ajetit: “atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni”, d.m.th. atyre u vijnë engjëjt e mëshirës në prag të vdekjes duke u thënë: Mos u frikësoni nga gjërat me të cilat do të përballeni në ditën e kiametit dhe mos u pikëlloni për gjërat që i latë pas vetes në dynja, si fëmijët, pasuria etj, sepse ne kujdesemi për to. Pastaj pjesa e ajetit: “keni myzhde xhennetin që u premtohej.” d.m.th. ju përgëzojmë me xhennetin e përjetshëm të cilin All-llahu me anë të pejgamberëve ua pat premtuar juve. Shejh Zade thotë: Melaiket i zbresin njeriut kur ai është në prag të vdekjes dhe e përgëzojnë me fjalën: Mos u pikëlloni nga agonia e vdekjes, as nga agonia e varrit dhe as nga vështirësitë e ditës së kiametit. Besimtari i sheh dy mbrojtësit e tij që i rrinë te koka duke i thënë: Sot mos ke frikë dhe mos u pikëllo; të përgëzojmë me xhennetin i cili të premtohej; ti sot do të shohësh gjëra të cilat nuk i ke parë më herët, dhe mos u frikëso prej tyre, sepse ato janë për tjetërkënd.[3]

Kjo është e ngjashme me atë që na përcillet nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu i cili thotë se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dil o ti shpirt i mirë, që ka qenë në trup të mirë. Dil falënderues dhe gëzoju aromës, bukurisë dhe Zotit jo të Zemëruar.”[4] Zejd ibën Eslemi thotë: “E përgëzojnë në prag të vdekjes, në varr dhe kur të ringjallet.”

Pastaj All-llahu i Madhërishëm vazhdon dhe thotë: “Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër”, që d.m.th. se melaiket në momentin e vdekjes u thonë besimtarëve: Ne kemi qenë miqtë e juaj në këtë botë ku ju kemi orientuar dhe ju kemi drejtuar (nga e mira) si dhe ju kemi mbrojtur me urdhrin e All-llahut. Ne po ashtu do të jemi me ju edhe në ahiret, dhe në varr do të jemi me ju e do t’ua largojmë të keqen, do t’ju shoqërojmë kur t’i fryhet surit dhe do t’ju sigurojmë nga frika. Po ashtu në ditën e ringjalljes do të jemi me ju dhe do t’ju ndihmojmë në kalimin e urës së Siratit, dhe kështu do t’ju shpiejmë deri në xhennetet e begatshme. Pastaj All-llahu vazhdon dhe thotë: “ku do të keni atë që dëshironi”, d.m.th. në xhennet do të keni çdo gjë që zgjedhni për vete nga ajo që ua do shpirti dhe që ua kënaq zemrat. Pastaj vazhdon ajeti: “dhe gjithçka kërkoni”, d.m.th. gjithçka që do të kërkoni, e gjeni dhe ju vjen përpara mu ashtu siç e keni dëshiruar. Pastaj vazhdon ajeti: “Pritje e nderuar prej Atij që falë mëkatet dhe që është mëshirues!”, d.m.th. do të jeni të mirëpritur me mikpritje dhe dhunti, dhe do t’ju begatojë Ai që falë mëkatet dhe i Cili është mëshirues dhe i Butë sepse ua ka falur dhe ua ka mbuluar mëkatet dhe të metat tuaja.”[5]

4. Kalimi i shpejtë mbi urën e Siratit

Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush udhëzohet në këtë botë në rrugën e drejtë të All-llahut me të cilën i dërgoi pejgamberët dhe i zbriti librat, edhe atje (në ahiret) do të udhëzohet në rrugën e drejtë që shpie në xhennet, vendin e shpërblimit. Sa e ka pasur njeriu përqendrimin e tij në këtë rrugë të cilën All-llahu e ka zgjedhur për robërit e Tij në këtë botë, aq do të jetë përqendrimi i tij edhe në urën e Siratit që e ka vendosur mbi dy skajet e xhehennemit. Sa ka qenë ecja e tij në këtë rrugë të kësaj bote, aq do të jetë edhe ecja e tij në atë urë. Le të shikojë njeriu dyshimet dhe epshet të cilat e pengojnë të ecë në këtë rrugë të drejtë, sepse ato do të jetë grepat e vendosura në dy anët e asaj ure të cilat do ta pengojnë të kalojë mbi të. Nëse ato janë të shumta dhe të forta këtu në këtë botë, ashtu do të jenë edhe atje, “e Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve.”[6]

5. Fitimi i xhennetit dhe shpëtimi nga zjarri

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Të tillët janë banues të xhennetit, aty do të jenë përgjithmonë, atë e kanë shpërblim pë veprat që i bënë.”[7]

O All-llah, na furnizo me begatinë e përqendrimit, ëmbëlsinë e adhurimit, dhe na ringjall në shoqërinë e të përqendruarve dhe të mirëve së bashku me zotërinë e të parëve e të fundmëve, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

 

 

STUDENTET.MK

 

 

 

 

[1] Kaptina Fussilet, ajetet 30-32.
[2] Shkëputur nga Tefsiri i Kurtubiut (15/358).
[3] Shkëputur nga libri Safvetut-Tefasir (3/122-123) dhe Komenti i Shejh Zades ndaj Tefsirit të Bejdaviut (3/261).
[4] Sahih, shënojnë Ibën Maxhe (4262) dhe Ahmedi (8551) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1968) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[5] Shkëputur nga versioni i shkurtuar i Tefsirit të ibën Kethirit (4/100-101) nga Muhammed Nesib err-Rrifai.
[6] Kaptina Fussilet, ajeti 46.
[7] Kaptina El-Ehkaf, ajetet 13-14.

About Author