Termi drejtshkrim është kalk i emrit ortografi (nga greq. orthos – i drejtë + grapho – shkruaj). Drejtshkrimi është një nga nënsistemet e gjuhës standarde, madje, mund të themi, baza e tij. Pa një drejtshkrim të njësuar, nuk mund të ketë një gjuhë të përbashkët letrare.

Në thelb, drejtshkrimi është një sistem rregullash për mënyrën e shkrimit të temave të fjalëve, të formave të ndryshme morfologjike që marrin falët gjatë përdorimit, si dhe të morfemave trajtëformuese e fjalëformuese. Në drejtshkrim përfshihen dhe rregullat për shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes, ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, shkrimin e datave, shkurtesave, përdorimin e shkronjave të mëdha, transkriptimin e emrave të huaj dhe përdorimin e shenjave të pikësimit 

Nevoja e njësimit të drejtshkrimit të shqipes është ndier herët nga lëvruesit dhe gjuhëtarët shqiptarë. Por që të arrihej kjo, në radhë të parë, duhej një alfabet i njësuar, ndryshe duhej përmbushur faza e grafitizimit të gjuhës shqipe. Me Kongresin e Manastirit (1908), kjo detyrë u plotësua dhe kështu u hap rruga për afrimin e ortografive (drejtshkrimeve) dialektore.

Hapi i parë u shënua nga Komisia Letrare e Shkodrës (1916), e cila në projektin e saj të ortografisë së gegërishtes bëri përpjekjen e parë, duke hequr dorë me qëllim nga mjaft veçori ortografike të këtij dialekti.

Pas Luftës së Dytë Botërore, përpjekjet për një drejtshkrim të vetëm, për një formë të vetme të gjuhës letrare u vijuan më me këmbëngulje në Tiranë dhe Prishtinë, duke u kurorëzuar me miratimin e drejtshkrimit të njësuar të shqipes letrare nga Kongresi i Drejtshkrimit më 1972.

Rregullat e drjtshkrimit të shqipes mbështeten në disa parime:

1. Parimi fonetik;

2. Parimi morfologjik;

3. Parimi etimologjik (historik-tradicional).

Të gjithë ata të cilët duan ta shkruajnë shqipen pa gabime, nuk është nevoja që për çdo rast kur ndodhemi në mëdyshje t’i drejtohemi fjalorit drejtshkrimor a normativ. Një punë e tillë është tepër e lodhshme dhe merr shumë kohë.

Për t’i shmangur gabimet drejtshkrimore (normative), nxënësit duhet t’i mësojnë rregullat drejtshkrimore, mirëpo duke pasur parasysh faktin se përvetësimi i rregullave kërkon mjaft mund e përpjekje, por edhe fakti që në shkollat e mesme të qytetit të Shkupit, aq sa kemi arritur të vërejmë, më tepër i jepet rëndësi dhe seriozitet letërsisë sesa gjuhës nga ana e disa profesorëve. Dhe, si rezualtat i kësaj dukurie, në shkrimet e ndryshme të nxënësve hasen shumë gabime drejtshkrimore. Më vonë do të japim disa nga gabimet drejtshkrimore më të shpeshta të nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Shkupit, të cilat i kemi nxjerrë nga hartimet me shkrim, ushtrimet me shkrim, përpunimet e lektyrave etj.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S