Gjuha, siç është thënë edhe tjera herë, është institucion shoqëror, sistem shenjash dhe mjet komunikimi midis njerëzve, njëkohësisht ajo është një strukturë e organizuar me mjetet dhe rregullat gramatikore, leksikore, sintaksore etj. Mirëpo, gjuha, e folur ose e shkruar, njerëzve u lë në dispozicion të lirë që të shprehen me një mori mjetesh të ndryshme gjuhësore. Përveç kuptimit leksikor gramatikor, fjala si njësi themelore e gjuhës ka edhe vlerë të caktuar stilistikore, e cila posaçërisht, vërehet në anën kuptimore nëpërmjet mjeteve gjuhësore si p.sh. çekankë, lepurush, balosh etj. Te një grup fjalësh vlera stilistikore është e pranishme çdo herë: pasthirrmat, fjalët onomatopeike, fjalët modale etj. Prandaj përdorimi i mjeteve gjuhësore dhe i vlerave stilistikore në të folur apo në të shkruar në gjuhë kanë rëndësi të madhe. Mirëpo, për zbulimin e mjeteve dhe vlerave stilistikore është e nevojshme të zbërthehet, analizohet gjithë materiali gjuhësor në tekstin e shkruar apo në ligjërimin e një folësi, duke u nisur nga analiza fonologjike e deri tek ajo sintaksore. Por, një gjë duhet ditur se vetë lënda e stilistikës, për dallim nga disiplinat tjera gjuhësore, shumë më vështirë mund të përkufizohet. Parashtrohet pyetja: Pse ndodh kështu? Arsyet për këtë janë të shumta: vlerat stilistikore na dalin mjaft të errëta, të paqarta për lexuesin, folësin ose dëgjuesin; rregullat e parimeve të vlerave stilistikore nuk përputhen me ato të materialit gjuhësor fonetik, morfologjik e sintaksor. Ato janë të lira në gjuhë. Normat stilistike të gjuhës janë më të ndryshueshme nga normat e sistemit tingullor, fjalëformues dhe gramatikor. Normat stilistikore janë të paqëndrueshme, të luhatshme dhe jostabile, dhe shpeshherë i kapërcejnë kufijtë e gjuhës letrare; disa shkrimtarë në veprat e tyre artistike përqendrohen vetëm në gjuhën e shkruar të gjuhës letrare, në disa raste kufizohen në kuadër të një dialekti apo të një të folmeje. Për këtë arsye, shpeshherë ndodh që dukuritë stilistikore që janë karakteristike vetëm për fjalën letrare artistike të shihen si të përgjithshme, duke përjashtuar mundësinë që ato të shihen si të përgjithshme, pra të shihen më gjerë.
Studimet stilistikore në sferën e gjuhësisë u zhvilluan në shek. XX. Lidhur me këtë, kontribut të madh kanë dhënë gjuhëtarë të ndryshëm, të cilët ia caktuan vendin asaj në sferën e gjuhësisë. Kohëve të fundit, stilistika gjuhësore ka shkuar mjaft përpara. Stilistika gjuhësore objekt studimi ka variantet e ndryshme të gjuhës, përkatësisht të gjuhës së folur. Analiza e stilistikës gjuhësore është një proces mjaft i ndërlikuar në gjuhësi. Për një analizë të tillë është e nevojshme dhe e domosdoshme të njihet gjuha, të përvetësohet dhe të studiohet në të gjitha rrafshet, të njihen rregullat gramatikore dhe atë jo vetëm në gjendjen e sotme, por edhe në atë historike, fondi leksikor i gjuhës, semantika, frazeologjia, historia e gjuhës si dhe disa faktorë të shumtë jashtëgjuhësorë.
Në dhjetë vjetët e fundit stilistika gjuhësore është përkufizuar si shkencë mbi shprehjen. Gjithashtu, edhe u vunë në përdorim dy terme: stili gjuhësor i veprës letrare dhe stili letrar i veprës letrare. Në gjuhësinë bashkëkohore stilistika gjuhësore është e ndarë në: linguostilistikë (shkenca mbi shprehjen), ose siç e quajmë stilistika gjuhësore dhe stilistika e kritikës letrare ose stilistika letrare, të cilat janë të lidhura ngushtë ndërmjet veti. Prapëseprapë një ndarje e tillë nuk mund t’i zgjidhë dhe t’i sqarojë një varg çështjesh që dalin përpara gjuhëtarit dhe kritikut letrar. Detyra kryesore e stilistikës gjuhësore është të vlerësojë përdorimin konkret të gjuhës në një kohë dhe qëllim të caktuar. Nga ana tjetër, detyra kryesore e gramatikës është që të vërë një sistem rregullash të përgjithshme për përdorimin e drejtë të mjeteve gjuhësore dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet gjuhës dhe të të folurit në teori dhe në praktikë. Përveç vlerës gramatikore, mjetet gjuhësore kanë edhe vlerë stilistikore. Si mund t’i zbulojmë këto vlera? Për t’ia arritur qëllimit, së pari duhet të nisemi nga rregulla e përgjithshme parimore. Për të bërë analizën stilistikore para së gjithash fjalën duhet parë si njësi leksikore e më vonë atë ta analizojmë edhe nga aspekte tjera gjuhësore. Disa mjete gjuhësore janë pjesë përbërëse të fondit themelor të gjuhës dhe sillen në mënyrë krejtësisht të pavarur ndaj stilit. Pra, kanë kuptim të pavarur, të drejtpërdrejtë emëror, siç janë p.sh. fjalët ujë, bukë, mal, lis etj. dhe janë të lidhura ose të kushtëzuara nga ngjyrimi stilistikor. Mirëpo folësit e ndryshëm nuk janë çdo herë në gjendje që të zgjedhin fjalë të këtij karakteri. Ata në fjalorin e tyre përdorin fjalë me vlerë stilistikore shprehëse dhe emocionale apo përkëdhelëse, varësisht nga situata, gjendja, si p.sh. lepurush, nuskë, tamahqarllëk etj.
Të gjithë këto çështje të mësipërme duhen parë dhe kuptuar shumë gjerësisht në lidhshmëri të pandërprerë me gjuhën. Le të përkujtojmë këtu mundësinë e polisemisë apo të fjalëve homonimike në gjuhën shqipe, sinonimeve, antonimeve, mjete këto që e pasurojnë dhe gjallërojnë gjuhën tonë. Mjetet gjuhësore vazhdimisht kërkojnë të formojnë fjalë të reja në çdo sferë të shkencës dhe për nevojat e përgjithshme të njerëzimit, kulturës, shoqërisë dhe civilizimit.
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk