A ke menduar ndonjëherë se çfarë do të ndodhte sikur individët të ndërprisnin ndihmën ndaj nevojtarit? Imagjino një të plagosur, të hedhur në mes të rrugës, i cili rënkon, ndërsa njerëzit kalojnë përreth tij, por disa nuk i afrohen për ndihmë nga frika se mos po vonohen për në punë, ndërsa disa të tjerë shpejtojnë në rrugë duke thënë: Ka të tjerë veç meje që mund t’i ndihmojnë. Çfarë lidhje kam unë me atë problem?! Ky qenka njeri i mjerë. Kjo gjë me siguri nuk ka mundësi të më ndodhë mua!!

Sa lehtë është të thyhet një grumbull shkopinjsh nëse ti i thyen ata një nga një, ndërsa sa e vështirë është të thyhen të gjitha përnjëherë.

Kafshët dhe insektet e kanë kuptuar këtë gjë me anë të natyrshmërisë së pastër të tyre, kështu që vërejmë se ato jetojnë në grupe dhe pjesëtarët e atyre grupeve nuk ndahen nga grupi. Në ato grupe çdo pjesëtar e kryen detyrën e vet me sinqeritet dhe i ndihmon të tjerët për hir të vazhdimit të ekzistencës së atij grupi.

Por a thua kjo është e tëra që ka të bëjë me ndihmën reciproke? Kalo në paragrafin tjetër që të mësosh më shumë mbi këtë moral të madh.

Islami ka nxitur në moralin e ndihmës reciproke dhe ka thirrur në përvetësimin e saj. Ai ka bërë lidhjen mes ndihmës reciproke dhe unitetit të myslimanëve dhe lidhjes së tyre. All-llahu i Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër.”[1] Po ashtu kur’ani famëmadh ka dhënë instruksione mbi mënyrën e saktë të ndihmës reciproke dhe domethënies së vërtetë të saj. Kështu, All-llahu i Madhërishëm thotë: Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.”[2]

Po ashtu i dërguari i All-llahut është shembull për njerëzimin kur është fjala për ndihmën reciproke, qoftë me fjalë apo me vepra, kështu që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Myslimani është vëllai i myslimanit; nuk i bën atij padrejtësi dhe nuk e braktisë. Kush i gjendet në nevojë vëllait të tij, All-llahu do t’i gjendet atij në nevojë. Kush ia largon myslimanit një brengë, All-llahu ia largon atij një brengë në ditën e kiametit. Kush ia mbulon një të metë myslimanit, All-llahu ia mbulon atij një të metë në ditën e kiametit.”[3] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e përshkruan ndihmën reciproke mes myslimanëve duke thënë: Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e së cilës mbajnë fort njëra-tjetrën.”[4]

Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe ndihmën reciproke që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi nga pagjumësia e temperatura.”[5]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem atij njeriu që e ndihmon vëllain e vet i premton ndihmën e All-llahut, duke thënë: All-llahu është në ndihmë ndaj robit derisa robi është në ndihmë ndaj vëllait të tij.”[6]

[1] Kaptina El-Huxhurat, ajeti 10.

[2] Kaptina El-Maide, ajeti 2.

[3] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (2442) dhe Muslimi (2580).

[4] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (481) dhe Muslimi (2585).

[5] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (6011) dhe Muslimi (2586).

[6] Sahih, shënon Muslimi (2699).

 

STUDENTET.MK

 

About Author