Gjërat që njeriut të sëmurë ia lehtësojnë vështirësinë e asaj sprove janë të shumta. Ne po përmendim disa prej tyre:
- Dituria se All-llahu të do
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur All-llahu e do një rob, e sprovon.” E kur të të dojë All-llahu, atëherë vjen fryti i dashurisë, siç thotë All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij: “Dora e tij me të cilën kap, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ec, ec vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”
- Vërejtja e shpërblimit të mirë
Sikur një njeri të vijë e të të thotë: Do të të rrah, e pastaj do të të jap njëqind mijë funta egjiptiane, a thua do ta ndieje dhembjen e rrahjes?! Natyrisht se jo. Prandaj ti duhet të imagjinosh se All-llahu të sprovon dhe të thotë: Shpërblimi i kësaj sprove është xhenneti!! S’ka dyshim se ëmbëlsia e shpërblimit do të të bëjë ta harrosh hidhësirën e dhimbjes.
- Pritja e çlirimit (nga sprova)
Kur të kaplon ndonjë sëmundje, atëherë ti e gjen veten mes dy alternativave; ose të vdesësh si durimtar dhe shpresues në shpërblimin e All-llahut dhe të arrish shpërblim të madh, ose të shërohesh duke shpresuar shpërblimin e All-llahut gjithashtu, e të arrish lumturinë e dy botëve. Dije se All-llahu është i Butë ndaj robërve të Tij. E prej butësisë së Tij ndaj robërve është që ti të jesh në kulmin e sprovës, por megjithatë, All-llahu në zemrën tënde të fusë rehatinë dhe pajtimin me caktimin e Tij, si dhe bindjen e thellë në shërblimin e All-llahut të Madhërishëm.
- Zvogëlimi i sprovës
Kjo do të thotë ta falënderosh All-llahun që na ka sprovuar në çështjet e kësaj bote e jo në fe. Po ashtu ta falënderosh që nuk të ka sprovuar më tepër sesa ajo sprovë në të cilën gjendesh.
- Dëgjimi mbi jetën e të sprovuarve
Kjo është një gjë që e lehtëson sprovën. Kjo, për arsye se dëgjimi i jetës së tyre bën që njeriu të ndiejë se nuk është i vetmi i sprovuar me sprovë të tillë, kështu që kjo i ndihmon në tejkalimin e asaj sprove sa më lehtësisht.
STUDENTET.MK