Fjala trans e latinishtes përdoret shumë shpesh si parashtesë në kuptimin kaloj, zhvendos, bart, shndërroj etj. për të formuar fjalë me parashtesim: trans tej, si transferoj -mbart, shpie nga një vend në një vend tjetër, transportim mbartje e mallrave dhe e njerëzve me mjete transportuese. transplantoj -mbjell, shartoj diçka në një vend tjetër; transoqeanik tejoqeanik, transit -kalim, kapërcim, kalim nëpër një vend pa u ndalur gjatë; transformoj shndërroj etj.).
Termi transkriptim rrjedh nga latinishtja transcriptio që ka kuptimin përshkrim. Pra, me transkriptim kuptojmë shënimin e tingujve të të folurit me të gjitha dallimet e hollësishme të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta. Transliterim-i (lat. transliteratio) është shqipëruar me fjalën tejshkronjëzim. Në Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja (Mikel Ndreca, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 706) folja transliteroj (lat. trans -tej + littera -shkronjë) shpjegohet si: shkruaj një tekst duke zëvendësuar shkronjat e një alfabeti me shkronjat e alfabetit tjetër.
Termet transkriptim e transliterim shpeshherë përdoren për të shprehur të njëjtin kuptim. Në Fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe fjala transkriptoj kal. është shpjeguar kështu: 1. gjuh. Kthej në shkrimin e sotëm një tekst të shkruar me shkronja e me shenja që ndryshojnë nga sistemi i sotëm i shkrimit. Transkriptoi “Mesharin” e Gjon Buzukut. Transkriptoj një tekst (një dorëshkrim). 2. gjuh. Shënoj tingujt e të folurit me të gjitha dallimet e holla të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta. Sidoqoftë, parapëlqejmë që termi transkriptim të përdoret kur formën e folur të ligjërimit e shkruajmë me përpikëri, ndërsa transliterirni kur një tekst i shkruar rishkruhet me alfabet tjetër.
Shkronjat janë shenja grafike që përfaqësojnë fonemat e gjuhës. Shkrimi fonemor përdoret për të dhënë jo gjithë nuancat fonetike të gjuhës së folur, por vetëm përbërjen fonemore të fjalëve. Në të vërtetë, për të shkruar shqipen standarde përdorim pikërisht këtë shkrim fonematik, sipas parimit një fonemë një shkronjë (njëshe apo dyshe): 36 shkronja për të shkruar 36 fonemat e shqipes (me pak përjashtime).
Me shkrimin fonemor nuk mund të regjistrojmë të folurit në mënyrë të përpiktë. Në mënyrë më besnike të folurit paraqitet me anë të transkriptimit, përkatësisht ‘me përdorimin e disa shenjave plotësuese (diakritike) që vihen mbi, nën ose anash shkronjave të rëndomta si dhe me përdorimin e disa shkronjave të veçanta për tingujt që nuk i ka gjuha standarde.
Transkriptimi (që quhet edhe shkrim fonetik) është një sistem i veçantë shenjash grafike që përdoret për të dhënë shqiptimin e saktë të fjalëve ose të teksteve të tëra. Transkriptimin e përdorin fonetikanët dhe dialektologët për përshkrimin e sistemeve fonetike të gjuhëve apo të dialekteve; e përdorin edhe hartuesit e fjalorëve për të dhënë shqiptimin e fjalëve, p.sh. në fjalorët e anglishtes, frëngjishtes etj. Shenjat e transkriptimit synojnë të japin deri hollësitë e shqiptimit të tingujve dhe për këtë qëllim përdoren si shkronjat e alfabetit, ashtu edhe shenja diakritike që vihen poshtë, lart ose pas shkronjave të alfabetit të zakonshëm.
Ka sisteme të ndryshme shenjash transkriptimi, por më i njohuri është Alfabeti Fonetik Ndërkombëtar (angl. IPA = [(nternacional) P(honetic AOphabet), i cili ka karakter universal.
Transliterimi është një lloj tjetër shkrimi që shërben për të dhënë me alfabetin e një gjuhe një tekst të shkruar me një alfabet të ndryshëm. Teksti i guhës së panjohur jepet fjalë për fjalë dhe shkronjë për shkronjë me shkronjat e alfabetit të njohur, me qëllim që të ndihmohet lexuesi që nuk e di atë gjuhë, t’i lexojë fjalët e saj. P.sh., emrat e përveçëm të shkruar me alfabetin grek ose me alfabet cirilik jepen me alfabetin latin (Rami Memushaj, Fonetika e shqipes standarde, Botimet Toena, Tiranë, 2009, f. 17).
Përmblodhi dhe përshtati:
STUDENTET.MK