Besnikëria të cilën All-llahu na ka urdhëruar ta ruajmë nuk arrihet vetëm nëpërmjet ruajtjes së amaneteve të cilat njerëzit na i kanë lënë në besë, por ajo mund të ketë edhe forma të tjera të shumta, si:

– Nëse dikush të jep diçka, qoftë ajo edhe një gjë e lirë, dhe të thotë kjo gjë le të mbetet te ti si amanet nga unë dhe të ma kthesh kur ta kërkoj prej teje, atëherë kjo gjë quhet amanet (besnikëri).

– Ruajtja e sekreteve të të tjerëve është besnikëri.

– Bartja e një letre me të cilën të ka ngarkuar dikush, nga një vend në tjetrin pa mos shtuar apo pakësuar diçka prej saj, është besnikëri.

– Dëshmia për diçka që e ke parë ashtu siç ka qenë, pa mos ndryshuar asgjë, është besnikëri.

– Koha është amanet, prandaj të mos e kalojmë në gjëra në të cilat nuk ka dobi, dhe të mos e humbasim në diçka ku All-llahu hidhërohet.

– Zbatimi i ibadeteve me të cilat All-llahu na ka obliguar, si agjërimi apo namazi, është besnikëria më e rëndësishme. Kështu, kur ne e praktikojmë namazin në kohën e tij, e plotësojmë rukunë, sexhden me kujdes e me nënshtrim, pa mos pakësuar apo neglizhuar diçka, e kemi arritur besnikërinë.

– Largimi nga hajnia gjatë shitblerjes është besnikëri. Tregtar besnik është ai që e këshillon blerësin, nuk i shet artikullin pa mos i treguar të gjitha detalet mbi të, nuk mundohet t’ia mbulojë artikullit të metat, si dhe largohet nga tradhtia, e çfarëdolloj forme qoftë ajo.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush na tradhton, nuk është prej radhëve tona…”

– Përpikëria në mbajtjen e termineve është besnikëri. Kështu, kur ndonjë miku i cakton termin për takim, ti e ke për detyrë të shkosh pikërisht në kohën e caktuar dhe të mos vonohesh aspak.

– Kërkimi i diturisë është besnikëri, si dhe dobiprurja ndaj njerëzve me anë të asaj që e ke mësuar është besnikëri.

– Trupi i njeriut është amanet për neve që ta ruajmë atë e të mos e përdorim përveçse në hair dhe në gjëra të dobishme.

– Kryerja e punës me përpikëri dhe pa shkujdesje është besnikëri. Kështu nxënësi duhet të jetë besnik ndaj mësimeve dhe detyrave shkollore dhe nuk duhet kopjuar a vjedhur gjatë provimit. Profesori duhet të jetë besnik ndaj diturisë dhe nxënësve. Nëpunësi duhet të jetë besnik ndaj detyrës së tij dhe duhet ndihmuar të gjithë kolegët pa përtesë apo mangësi. Ushtari duhet të jetë besnik ndaj atdheut të vet duke e mbrojtur nga armiku. Nëna duhet të jetë besnike ndaj shtëpisë dhe ndaj edukimit të fëmijëve të saj. Me një fjalë, çdo gjë e dobishme me të cilën njeriu ngarkohet për vete apo për të tjerët, është amanet të cilin duhet zbatuar.

Përmblodhi dhe përshtati :

STUDENTET.MK

About Author