Situatat që i përjetova dhe kalova nëpër to dallojnë në mes vete. Disa nga to janë situata personale me ndikim të kufizuar dhe disa të tjera janë situata të përgjithshme me ndikim të gjerë, por në të gjitha ato mësova prej gabimeve të mia.

Prej situatave të përgjithshme që e përjetova dhe mora mësim të dobishëm në rrugëtimin tim në davet (thirrjen në fenë e Allahut) ishte ndodhia në kohën kur ngriheshin zërat thumbues dhe sulmohej nga mjetet e informimit Organizata për Thirrje në të Mirë dhe Ndalim nga e Keqja. Në ligjëratën e rregullt që e mbaja për çdo javë fola për këtë temë. Gjatë ligjërimit e përmenda një person, pa e cekur emrin e tij, ai e kishte shkruar një artikull kundër Organizatës për Thirrje në të Mirë dhe Ndalim nga e Keqja dhe kishte folur shumë keq për të. Më interesante ishte se po i njëjti person më herët nga kjo organizatë ishte kapur në flagrancë për një çështje joedukative.

Për shkrimin e tij komentova: Qëndrimi i tij kundrejt kësaj organizate nuk karakterizohet me objektivizëm dhe paanshmëri, por është një ngjyrë e hakmarrjes dhe një lloj i kundërreagimit.

Fjalimi im ishte i bazuar në informacionet që më erdhën nga një burim i besueshëm tek unë.

Në mesin e të pranishmëve ishte një i ri i cili nuk i ishte i rregullt në ligjërata. Njëri prej nxënësve të mi e njihte dhe kishin një lloj miqësie. Fjalimi im e kishte shqetësuar dhe i kishte ngjallur zemërim. Më priti derisa e përfundova ligjëratën, pastaj më takoi në prezencën e nxënësit tim dhe, me theks të veçantë, më pyeti për emrin e personit që e synova në ligjëratë.

Aq shumë më dukej i shqetësuar, saqë më la pa fjalë dhe ndjeva në vete sikur ai dëshironte ta mohonte akuzën për ndonjë person të caktuar që e kishte në mendjen e tij.

Refuzova ta përmendja emrin e personit, sepse fjalimi lidhej me përmendjen e dukurisë dhe jo me përmendjen e emrave të personave. Pas tij nxënësi im filloi të insistonte t’ia tregoja emrin dhe e përsëriste pyetjen e shokut të tij. Ai sikur donte ta përforconte mendimin e tij se unë nuk e synova personin që i sillej nëpër mendje shokut të tij, por dikë tjetër.

Më vërshuan të dy me pyetje: “Si quhet personi?” “Në cilën gazetë punon?”.

Megjithatë iu përmbajtja qëndrimit tim dhe u kërkova falje të dyve me fjalët:

Nuk jam i interesuar të flasë për gazetën dhe as për emrin e personit që e ka shkruar artikullin. Me fjalimin tim nuk e sulmova dikë që ta diskreditoj, por ajo që e synova ishte hedhja e dritës mbi një çështje ku njeriu duhet të jetë i drejtë, të ngadhënjejë karshi nefsit dhe ta mundë atë. Nuk duhet të përdoret minberi i gazetarisë për t’i larë hesapet dhe për hakmarrje personale.

Nxënësi im nguli këmbë që t’i lajmëroja të dytë për emrin e gazetës apo të gazetarit që e synova në ligjëratë, edhe pse, në të vërtetë, shpresoja që nxënësi im mos ta kishte këtë qëndrim. Megjithatë, pas insistimit të tij, e tregova emrin e gazetës.

Personi për të cilin fola unë, ishte po ai person që ky i riu mendonte rreth tij, për këtë arsye i riu edhe nisi të shqetësohej, të ngushtohej dhe të irritohej, sikur fjalimi im ta kishte synuar atë personalisht.

E gjeta veten të detyruar ta merrja situatën në dorë. Nisa ta qetësoja dhe t’i flisja derisa filloi t’i largohej zemërimi. Në fund u qetësua pasi u bind se nuk kam asnjë arsye personale kundër gazetës apo gazetarit që e kishte shkruar artikullin.

Filloi të më fliste gjatë për situata dhe deklarata provokuese dhe për gjurmët negative që i kishin lënë ato pas vetes. Më pas u thellua në fjalimin e tij duke më folur për ngjarjet që patën ndodhur në Jordani gjatë sundimit të mbretit el-Husejn ibn Talal. Shtatori i zi ishin emërtuar ato ngjarje të kobshme për shumë palestinezë. Ata, duke i vepruar disa veprime të caktuara, e xhindosën shoqërinë kundër tyre dhe e parapërgatitën ambientin për t’u marrë vendime që nuk ishin në dobi të tyre.

Pastaj e përfundoi fjalimin e tij me fjalët:

“Shpresoj prej thirrësve në fenë e Allahut të mos kyçen nëpër situata dhe rrethana të tilla që ngjallin konflikte.”

U ndamë në paqe duke e përshëndetur njëri-tjetrin dhe e tërë situata përfundoi si më mirë. Megjithatë, në brendësinë time ndjeva keqardhje, sepse më dukej sikur bëra një gabim me pasoja.

Ka raste kur jemi të sigurt për ndonjë informatë, sikur mua që më ndodhi personalisht, por kjo nuk na jep të drejtën ta shprehim atë. Ka raste kur ne e japim ndonjë deklaratë, por, kur na kërkohet ta vërtetojmë atë, ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë. Gjuha është aq e gjerë saqë në të gjenden shumë fjalë të tjera alternative nëpërmjet të cilave mund ta përcjellim mesazhin tonë, pa u mbështetur te deklarata që nuk duhet të shprehet haptazi.

Disa deklarata janë sikur topi i borës, nis i vogël e më pas rritet dhe zmadhohet, derisa shndërrohet në fuqi shkatërruese.

Rasti i mëhershëm kaloi në paqe, mirëpo mësova për herën tjetër të mos deklaroj ndonjë informacion, që, nëse kërkohet prej meje ta vërtetoj, nuk do të mund ta vërtetoj, e pastaj të devijojë situata në atë drejtim që nuk është në interesin tim, pavarësisht nijetit tim të mirë në deklarimin e tij. Jeta më mësoi se nijetet e mira nuk janë çdoherë anija e shpëtimit.

Mësova të mos flas për organe kompetente apo për njerëz, qoftë edhe me indikacion, sepse nuk ka dobi që thirrësi në fenë e Allahut të merret me organe kompetente dhe personalitete.

Kjo gjë e shndërron situatën nga rrethi i këshillimit dhe i thirrjes në të mirë, në luftë dhe në konflikt personal, meqenëse folësi fillon me nijet të përmirësojë dhe të jetë në dobi të shoqërisë, por nuk vonon shumë e nis të rrëshqasë në greminën e debatit dhe grindjes, duke u koncentruar që vetja të ngadhënjejë e kështu e humb shpërblimin e këshillimit dhe angazhohet me beteja të dorës së dytë që ia humbin punës së tij vlerën dhe sinqeritetin.

Shpeshherë kemi hasur në mejdanin e davetit që fjalimi nis me përmendjen e personave dhe strukturave të caktuara, kështu që folësi e hap fjalimin e tij me kritikë objektive, më pas i shtohet oreksi kritik, derisa të zhytet në mejdanin e debatit dhe diskutimit. Ana personale ose interesi vetjak me atë rast e dominon situatën, larg objektivizmit dhe më pas gjurmimi pas gabimeve dhe hulumtimi i tyre bëhet brengë e këtij lloji të njerëzve, të cilët nuk kanë punë tjetër pos të merren me replika ndaj personave apo strukturave.

El-Beshir el-Ibrahimij thotë: “Sado që mospajtimi të jetë i rëndësishëm, nëse në të detyrohet kritika, nuk duhet që zilia të jetë motivi i kritikës. Kritika le të drejtohet për t’u pastruar mendimet e jo për t’u pakësuar personalitetet.”[1]

Mësova se gjatë fjalimit për tema të ndjeshme, me rëndësi është të kujdesemi për zgjedhjen e fjalëve të duhura për atë fjalim. Një koleg dhe mik i sjellshëm imi ia tërhoqi vëmendjen një prindi për disa gjëra që i vërejti te fëmija i tij, mirëpo biseda me prindin u zhvillua në mënyrë impulsive, pa i matur dhe zgjedhur mirë fjalët, gjë që e çoi prindin ta denonconte tek administrata e shkollës duke e akuzuar për shëmtimin e imazhit të birit të tij. Mikut tim ju desh përpjekje e madhe për të dalë nga kjo situatë e panevojshme.

Një ligjërues i respektuar gjatë hutbes së xhumasë foli për një organizatë e cila i vepronte disa aktivitete që binin ndesh me rregullat e Islamit. Gjatë fjalimit të tij përdori fjalë jo të përshtatshme për atë organizatë dhe, rastësisht, në xhami në mesin e namazfalësve ndodhej një prej anëtarëve të bordit drejtues të organizatës, i cili pas faljes së namazit u ngrit dhe me shumë qetësi e komentoi fjalimin duke thënë: “Unë jam filani dhe e kam këtë pozitë në organizatën e përmendur në hutbe. Imamit i jap kohë një javë që ta vërtetojë saktësinë e fjalëve të tij që me to e akuzoi organizatën.”

Mësova se me rëndësi është të fokusohem në synimin që shkoj pas tij, e ai është korrigjimi i ideve dhe përmirësimi i sjelljeve. Për këtë shkak, le të jetë subjekti i diskutimit tim rreth ideve dhe kundërshtimit të idesë së gabuar, sepse korrigjimi i ideve dhe drejtimi i sjelljes janë më të rëndësishëm se diskutimi dhe kundërshtimi i organeve kompetente dhe personaliteteve. Ata ndryshojnë, ndërsa idetë mbeten dhe ndikimi i tyre mund të zgjerohet në një sipërfaqe më të gjerë se që është për momentin.

Nga rasti mësova se domosdo duhet të bëjmë dallim në mes të gabimit dhe mënyrës së të folurit rreth tij, dhe në mes të së vërtetës dhe mënyrës së thirrjes në të. Të qenët të sigurt për gabimin, nuk na justifikon të mos përpiqemi të gjejmë rrugën më të mirë të mundshme për ta kundërshtuar atë gabim, sikur që të qenët të sigurt për të vërtetën që i thërrasim njerëzit në të, nuk do të thotë se patjetër në këtë aspekt jemi duke ecur në rrugën më të mirë të mundshme.

Po ashtu, nga rasti mësova se duhet gjithnjë ta përmbajmë veten kur tejkalohen kufijtë e Allahut. Disa njerëz të mirë zemërohen dhe shtohet zemërimi i tyre kur shohin ndonjë të keqe apo kur tejkalohet ndonjë kufi prej kufijve të Allahut. Zemërimi për hir të Allahut është entuziazëm i pëlqyer, mirëpo kjo nuk nënkupton që ia lejon këshilluesit t’u dorëzohet ndjenjave të tij dhe të jetë i papërmbajtur, i padrejtë apo i vrazhdë në fjalimin e tij. Për këtë arsye, gjykatësit nuk duhet të gjykojnë duke qenë të zemëruar [2](ose i nxehur, i inatosur, i hidhëruar etj.).

Disa njerëz shpeshherë i kanë justifikuar veprimet e tyre me pretekstin e xhelozisë dhe entuziazmit për fenë e Allahut. S’ka dyshim që xhelozia dhe entuziazmi për t’i mbrojtur kufijtë e Allahut është hak, mirëpo nganjëherë mund të shoqërohet me zarare.

Kush e di mundet përbrenda tyre të depërtojë ndonjë lloj i dehjes dhe i dashurisë për ngadhënjim, apo ka mundësi të vijë si përgjigje e natyrës njerëzore gjaknxehtë, ku ky lloj i njeriut reagon dhe nxehet shpejt dhe nuk ka kontroll mbi ndjenjat e tij, kështu, me pretekstin e synimit të mirë të tij, e injoron paaftësinë e tij njerëzore në frenimin e zemërimit të tij dhe të kapurit për rrugën e urtësisë.

Mësuesi dhe edukatori janë prej njerëzve që më së shumti kanë nevojë t’i përmbajnë dhe t’i kenë nën kontroll ndjenjat e tyre. Është e vërtetë se gabimet që i bëjnë fëmijët dhe nxënësit tanë ka mundësi të na irritojnë deri në atë shkallë saqë problemit i qasemi më tepër sipas reagimit të atypëratyshëm, sesa sipas sjelljes së ngritur mbi frytdhënien e punës sonë dhe ndikimit të saj edukativ.


[1] Athar el-Beshir el-Ibrahimij (3/67).

[2] Esenca e kësaj fjalie është hadithi i Pejgamberit g i cili ka thënë: “Asnjëherë gjykatësi nuk duhet të gjykojë në mes dy vetave kur ai është i zemëruar.” Shënon Buhariu. (sh.p.)

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *