Pasurimi është shfaqje e zhvillimit dhe përparimit të gjuhës dhe buron pikërisht nga zhvillimi i gjithanshëm i jetës dhe i vendit; zhvillohen ekonomia, arsimi, shkenca e kultura dhe letërsia; zhvillohen artet e mjetet e komunikimit masiv, hyjnë në përdorim e në shkrimtari mjete të elektronikës së sotme. Për të përmbushur kërkesat e tyre për fjalë e terma, që shqipja nuk i ka pasur më parë, po edhe për të plotësuar të gjitha nevojat kulturore të njerëzve tanë, gjuhës shqipe i është dashur (dhe do t’i duhet vazhdimisht) t’i shtojë mjetet e saj shprehëse, fjalët dhe kuptimet e reja, “ta shoshitë e ta harrë” mirë gjithë pasurinë e saj.

Pasurimi i gjuhës është proces ligjësor objektiv, në të cilin marrin pjesë e veprojnë çdo ditë njerëzit e thjeshtë, teknikët, specialistët e degëve të ndryshme të shkencës e të prodhimit, si dhe, më së shumti, arsimtarët, shkrimtarët, artistët, ushtarakët, gazetarët dhe përgjithësisht punonjësit e fushës politiko-shoqërore etj. Të gjithë këta, gjatë punës në sektorët dhe mjeshtëritë përkatëse, sa më shumë t’i zhvillojnë ato, aq më tepër do të kenë nevojë për emërtime të reja të mjeteve e veglave të prodhimit, për fjalë, shprehje a mënyra të thëni, që u përgjigjen më mirë, që japin më me përpikëri nocionet dhe idetë, që shprehin më me forcë e me plotëri jetën dhe botën shpirtërore të njeriut.

Ky pasurim i shqipes ka gjetur pasqyrim të mirë në veprat e mëdha normative “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), me rreth 40 000 fjalë, dhe në “Fjalor i shqipes së sotme” (1984), me rreth 34 000 fjalë (ribotuar me disa përditësime më 2002); “Fjalor i gjuhës shqipe” (2006) etj., në të cilët jepet një pamje e hapët e një pasqyrë e qartë e thesarit fjalësor e frazeologjik të shqipes në kohën tonë. Fjalorët e shqipes së sotme, përfshirë edhe ata me shtrirje e prurje kryesisht prej krahinave të caktuara, të cilët viteve të fundit kanë ardhur gjithnjë duke u shumuar, hodhën në qarkullim një sasi të madhe fjalësh të panjohura ose pak të njohura, të mbledhura nga goja e popullit ose nga botime të ndryshme.

Të shumta kanë qenë edhe prurjet e fjalëve e mënyrave të të shprehurit nga letërsia artistike e autorëve shqiptarë, si dhe nga përkthyesit e letërsisë bashkëkohore botërore. Me vlerë të madhe kanë qenë, gjithashtu, fjalorët dygjuhësh, hartuesit e të cilëve kanë përballuar me zotësi njohjen dhe paraqitjen përqasëse të krejt leksematikës së nevojshme për gjuhët përkatëse.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S