Vendosja e qëllimeve është një veprim që i dallon ata që e zhvillojnë vetveten dhe ata që përpiqen për një gjë apo që merren me një gjë të caktuar. Përcaktimi i qëllimeve na mundëson që ta krijojmë të ardhmen që dëshirojmë ta posedojmë më tepër se sa jetën që të tjerët dëshirojnë ta posedojnë. Në përcaktimin e qëllimeve ne përfitojmë. Këtu janë 7 mënyra për përcaktimin e objektivave të arritshme.

Fillo prej fuqive tua

Ndonëse qëllimet e tua mund t’i bazosh në diçka që ti e dëshiron apo preferon, mundësitë e tua për sukses janë më të mëdha nëse, së pari, i bazon ato mbi fuqitë (aftësitë) e tua dhe së dyti, mbi mundësitë aktuale që ofron fusha jote. Për t’i gjetur fuqitë e tua (anët e forta), bëj pak hulumtim mbi vetveten, për fuqitë, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet (rreziqet).

· Fuqitë janë gjërat në të cilat je i fortë dhe gjatë realizimit të së cilave kënaqesh. Objektivat e bazuara në fuqitë sigurojnë motivim.
· Dobësitë janë gjërat që duhet t’i bësh, por nuk dëshiron t’i bësh dhe në të cilat zhvillimi shkon ngadalë.
· Mundësitë janë rrethana të jashtme që pret të lindin apo t’i krijosh që do të ndihmojnë për të ecur drejt qëllimeve tua.
· Kërcënimet janë ato rrethana të jashtme që janë të papëlqyeshme për të të ndihmuar dhe mund të të shpien prapa.

Përderisa ne duhet të hedhim një sy në dobësitë dhe kërcënimet, qëllimet tona duhet të ndërtohen përreth fuqive dhe mundësive.

Shënoji qëllimet e tua

Qëllimet e shënuara ngërthejnë në vete mënyrën e transformimit të dëshirave në nevojë, pamundësive në mundësi, ëndrrave në plane dhe planet në realitet. Veprimi i të shkruarit i qartëson qëllimet e tua dhe të siguron rrugë të kontrollimit të progresit (zhvillimit). Madje mund t’i shtoni edhe arsyet, në mënyrë që të fitoni më shumë motivacion.

Një djalosh 15-vjeçar në vitin 1920 shkroi një listë me qëllime që ai dëshironte t’i arrijë gjatë jetës së tij. Aty u përfshinë: zbulimi i lumit Nil, ngjitja në kodrat më të larta të botës, ndjekja e karrierës në medicinë, martesa dhe lindja e fëmijëve, mësimi i tri gjuhëve të huaja, vizitimi i vendlindjeve të gjyshërve në Danimarkë dhe Angli, vrapimi i një milje në 5 minuta dhe shumë të tjera. Ai shkroi 127 qëllime dhe kur erdhi shekulli XXI, ai e arriti qëllimin e 109, që ishte përjetimi i shekullit XXI. Si e arriti shumicën e qëllimeve të tij? Me anë të të shkruarit të qëllimeve si mënyrë e angazhimit ndaj ëndrrave të tij.

Ëndërro shumë
Një nga faktorët që e pengon realizimin e potencialit tonë të plotë është besimi se nuk mund të arrijmë qëllime të larta. Mendimi i atyre që arrijnë qëllime të larta është se gjithmonë mund të arrijmë më larg se sa mendojmë. David Schwartz në librin e tij “Mrekullia e të menduarit për gjëra të mëdha” thotë: “Qëllimet e mëdha i tërheqin burimet e mëdha sikurse magneti”.
Nuk ka asgjë të keqe në të menduarit për gjëra të mëdha kur i vendos qëllimet e tua. Por duhet të mbash mend se një qëllim dhe një ëndërr nuk janë gjithnjë e njëjta gjë.

Shtroje çdo qëllim
Pasi ta kesh vendosur qëllimin tënd përfundimtar, më pas duhet t’i vendosësh qëllimet e ndërmjetme që do të shpijnë atje ku dëshiron të jesh. Mos i shtro ato shumë lehtë ose në mënyrë shumë ambicioze, sepse mund që nesër t’i anashkalosh dhe t’u shmangesh. Tento ta sfidosh këtë gjë në veten tënde.

Imagjinoje veten duke ia dalë me sukses

Kur dëshira jote, vetja jote, vijnë në konflikt me imagjinatën tënde, kreativiteti yt dhe imagjinata jote fitojnë gjithnjë.
Mark Victor Hansen e tregon ngjarjen e fëmijës që ka qenë i frikësuar nga përbindëshat dhe që është futur ndër krevatin e saj. Për ta qetësuar vajzën e vogël, Hansen sugjeron se është më mirë të bëjmë apel në imagjinatën e vajzës së vogël se sa në arsyen e saj. Pra, në vend që të themi diçka si “Mos u bëj budallaqe, nuk ka përbindësha këtu”, thuaj diçka si “Mos u brengos, zemër. Përbindëshat tonë janë të mirë dhe ata i duan fëmijët”.
Si fëmijë, shpesh e imagjinojmë më të keqen. Nëse duam t’i arrijmë qëllimet tona, nevojitet që ta imagjinojmë veten tonë duke ia dalë me sukses. Mendimet e këtilla dërgojnë një energji që i tërheqin mendimet komplementare nga njerëzit që mund të na ndihmojnë për ta arritur atë që duam.

Shprehi ato në mënyrë të drejtë

Është e rëndësishme që qëllimet e tua t’i shprehësh në mënyrë të drejtë.
· Asnjëherë mos i shpreh qëllimet e tua në bazë të asaj se çfarë nuk do; gjithmonë shprehi në bazë të asaj se çfarë do.
· Shprehi qëllimet e tua në bazë të suksesit, jo në bazë të shpërblimit.
· Shprehi qëllimet e tua në bazë të asaj se si tjerët përfitojnë.
· Shprehi qëllimet e tua në bazë të parimeve që kanë rëndësi.

Përderisa fokusimi në qëllimet është një mënyrë e sigurt për të lëvizur drejt tyre, fokusimi te disa qëllime duke i neglizhuar qëllimet e tjera është njëra prej mënyrave me të cilën mund t’i arrijmë fitoret e zbrazëta. Kjo është sikurse një njeri që ka punuar shumë për të siguruar ekzistencën familjare për familjen e tij, por që i ka neglizhuar familjarët në proceset tjera të jetës e që ka përfunduar duke i humbur ata për tërë jetën duke u ndarë dhe shkurorëzuar. Duhet ditur se jeta jonë e punës është kryesisht ndikimi emocional që ne e sjellim nga shtëpia, martesa, shëndeti, jeta shoqërore, jeta shpirtërore, aktivitetet e lira. Kur arrijmë t’i harmonizojmë apo renditim qëllimet në një fushë me ato në fushën tjetër, atëherë i gjejmë forcat motivuese në një fushë, në fakt e ndihmojmë realizimin e qëllimeve në një fushë tjetër në të njëjtën kohë.

Vendosi qëllimet në bazë të sjelljes

Kur vendosim qëllime për vetveten, ato duhet të jenë të shprehura në bazë të sjelljes, se sa në bazë të statusit, shpërblimeve apo pozitës. Kjo, sepse sjellja është diçka që qëndron në brendinë e fuqisë tonë, përderisa statusi, shpërblimet dhe pozita nuk gjenden në të. Formulimi i qëllimeve në bazë të sjelljes gjithashtu nënkupton se ne paraqesim një fotografi shumë pozitive të vetvetes në trurin tonë. Truri, duke mos e ditur dallimin mes përvojës reale dhe asaj imagjinare, vepron në pajtim me fotografinë e prezantuar.

Ndiqi qëllimet e tua me pasion

Fuqia drejtuese që qëndron pas arritjes së qëllimeve është dëshira. Patjetër duhet t’i dëshirosh qëllimet e tua në mënyrë konstante, të qartë dhe me një pasion të flaktë, duke e ditur se më vetëm se i ke arritur dhe tani vetëm duhet t’i realizosh ato. Nëse e bën këtë, nuk mund të dështosh në arritjen e tyre.

Vendosja e qëllimeve është qendra e rritjes së potencialit tonë, sepse ajo na lejon neve që të krijojmë diçka unike dhe të re në jetën tonë. Vendosja e qëllimeve na lejon që ta ushqejmë trurin tonë të orientuar drejt qëllimeve dhe na shpie drejt kontrollimit të së ardhmes.

  • Pikat kyçe
  • – Vendosja e qëllimeve është një prej veprimeve që i dallon ata që e zhvillojnë vetveten nga ata që nuk e bëjnë atë.
  • – Shënoji qëllimet e tua, kështu do të kesh një mënyrë me anë të së cilës do të mund ta matësh zhvillimin tënd.
  • – Ndërtoji qëllimet e tua përreth anëve tua të forta.
  • – Vendos qëllime aq shumë të larta sa të kesh mundësi.
  • – Shtroji qëllimet e tua, në mënyrë që t’i arrish ato.
  • – Shprehi qëllimet e tua në bazë të veprimeve brenda fuqisë tënde, jo në bazë të shpërblimit që gjendet jashtë fuqisë tënde.

Përshtati dhe përmblodhi

STUDENTET.MK

About Author