Fjala dialekt vjen prej greqishtes dialektos, që do të thotë e folme. Sot termin dialekt e përdorim me kuptimin e së folmes së një krahine a zone të gjerë gjuhësore me veçori karakteristike fonetike, morfologjike, leksikore etj. Shqipja flitet në një numër të madh variantesh gjeografike, të cilat ndahen në dy grupe kryesore dialektesh: 1. Dialekti i veriut ose gegërishtja, në veri të lumit Shkumbin; 2. Dialekti i jugut ose toskërishtja, në jug të lumit Shkumbin. Ndërmjet tyre ka një grup dialektor kalimtar (transitiv) në të dy anët e Shkumbinit. Siç dihet nocionet për dallimet krahinore Gegë dhe Toskë u përhapën në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë, pasi u konsolidua emri kombëtar shqiptarë për të gjithë banorët e krahinave të ndryshme të vendit.
Gegërishtja ndahet në dy nëndialekte: gegërishtja e veriut dhe gegërishtja e jugut, afërsisht në të dy anët e lumit Mat. Gegërishtja veriore ndahet në grupin veriperëndimor, duke përfshirë edhe shqipen e folur në Mal të Zi, dhe në grupin verilindor, duke përfshirë edhe shqipen e folur në Kosovë. Gegërishtja Jugore ndahet në grupin e gegërishtes qendrore, që përfshin edhe pjesën më të madhe të shqipes së folur në Maqedoni, dhe në gegërishten e Shqipërisë së Mesme, që përfshin edhe Tiranën.
Toskërishtja ndahet në dy nëndialekte: Toskërishtja Veriore dhe Toskërishtja Jugore, afërsisht në të dy anët e lumit Vjosa. Toskërishtja Jugore ndahet në grupin e Labërishtes dhe në Çamërishten, që përfshin edhe një zonë të Greqisë veriperëndimore, por kjo nuk duhet përzier me arvanitët ose arbëreshët e Greqisë.
Dallimet dialektore ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes janë këto:
- përdorimi i zanoreve hundore në gegërishten, mungesa e tyre në toskërishten (zâ – zë; bâj – bëj; i ambël – i ëmbël; nanë – nënë);
- përdorimi i zanoreve të gjata në gegërishten me vlerë fonologjike, mungesa e tyre në toskërishten;
- përdorimi i gjysmëzanores ë në toskërishten, edhe në pozicion të theksuar, që mungon në gegërishten dhe së cilës në disa pozicione i përgjigjet â hundore (hân – hënë; zân – zënë);
- diftongu ue ose u në gegërishten i përgjigjet ua në toskërishten (të gjitha me prejardhje nga diftongizimi uo>o; due, du – dua; ftue – ftua, grue, gru – grua; mue, mu – mua);
- togu vo- i gegërishtes i përgjigjet va- në toskërishten; voj – va, i vorfën – i varfër;
- në gegërishten një –n- ndërzanorem, së cilës në toskërishten i përgjigjet rotacizmi me –r- (zuna – zura, venë – verë, ranë – rërë);
- bashkëtingëlloret e zëshme të gegërishtes në fund të fjalëve dëgjohen të pazëshme në toskërishten (elb – elp, kalb – kalp, zog – zok, i madh – i math);
- togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj në toskërishten dëgjohen si dy tinguj të shquar, kurse në gegërishten reduktohen në m, n, nj (mbush – mush, vënd – ven, ngas – nas, ngjesh – njesh);
- tingulli ndërzanor –nj- rrëgjohet në j në gegërishten (rrnjë – rrâj);
- trajtave të së përkryerës së gegërishtes me –sha, -she u përgjigjen në toskërishten –nja, -nje (punojsha, punojshe – punonja, punonje);
- huazimet nga turqishtja në gegërishten dalin me theks parafundor (paroksiton), kurse në toskërishten kanë ruajtur theksin e burimit në fund (káfe – kafé, tenxhére – tenxheré, ág – agá);
- ndryshime në disa trajta të shquara të emrave në ue/ua; gegërisht thue – thoj, toskërisht thua – thonj;
- gegërishtja i ruan mbaresat e foljeve me temë në bashkëtingëllore, toskërishtja i humbet mbaresat (un hapi – unë hapi);
- toskërishtja i ruan mbaresat e pjesoreve, gegërishtja i humbet (hapur – hap, larë – la, shkruar – shkru);
- në gegërishten është i pranishëm përemri vetvetor i vet, në toskërishten mungon;
- në gegërishten ka një trajtë që merret si paskajore (me shkue), e cila mungon në toskërishten dhe zëvendësohet me një tog tjetër (për të shkuar);
Dallimet vihen re edhe në fushën e leksikut si edhe në sintaksë. Siç shihet, dallimet ndërmjet dy dialekteve të shqipes nuk janë aq të mëdha siç është pohuar disa herë në të kaluarën, kështu që plotësisht kishte të drejtë një gjuhëtar i huaj, kur pohonte: “Ndryshimi ndërmjet dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël se ndryshimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera: nga pikëpamja praktike ndryshimi ndërmjet dy dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi…”
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk