Objekti i morfologjisë
Morfologjia nga greqishtja (morfo = formë dhe logos = fjalë, dije) është pjesa e gramatikës që në radhë të parë merret me studimin e trajtëformimit, d.m.th. me studimin e formave të ndryshme që marrin fjalët.
Ajo merret: me klasifikimin e fjalëve në kategori leksiko – gramatikore që quhen pjesë të ligjëratës dhe së dyti me tipat kryesorë të fjalëformimit, në radhë të parë me tipin morfologjik dhe me tipin morfologjik – sintaksor.
Morfologjia nuk merret me studimin e fjalëve të veçanta. Ajo studion veçoritë e përbashkëta të fjalëve të së njëjtës klasë duke nxjerrë kështu rregulla me karakter të përgjithshëm, që kanë vlerë për mbarë klasën e dhënë dhe si rrjedhim edhe për secilën fjalë të kësaj klase.
Lidhjet e morfologjisë me sintaksën.
Ndarja e tyre në dy disiplina më vete bëhet për efekte metodike. Lidhja e tyre e ngushtë, e ndërsjellët kushtëzohet në vija të përgjithshme nga lidhja ndërmjet formës dhe përmbajtjes. Kategoria e rasës tek emri është një dukuri edhe morfologjike edhe sintaksore, prandaj studimi i kësaj kategorie në morfologji nuk mund të bëhet pa pasur parasysh funksionet sintaksore të rasave të ndryshme.
Gjithashtu, përkatësia e një fjale në një pjesë apo tjetër të ligjëratës kushtëzohet nga lidhjet e saj në fjali.
Lidhjet e morfologjisë me fonetiken
Mjaft dukuri të karakterit fonetik luajnë rol gramatikor të caktuar brenda një paradigme të caktuar. Këtu është fjala për ato ndërrime fonetike që bëjnë të dallohet midis tyre forma të ndryshme gramatikore.
Kuptimet gramatikore dhe format gramatikore
Fjala duke u përdorur në fjali gjatë ligjërimit, shpreh kuptim leksikor të caktuar, të cilit zakonisht i mbishtrohen edhe një a më shumë kuptime të përgjithshme të karakterit gramatikor, që quhen kuptime gramatikore të fjalës. Nëpërmjet kuptimeve gramatikore të fjalës shprehen lidhjet e saj me fjalë të tjera në fjali, marrëdhëniet kohore të veprimit, qëndrimi i folësit, etj.
Shembull: studenti bëri detyrat.
Forma studenti e fjalës student përveç kuptimit leksikor të njohur që ruhet edhe kur kjo fjalë përdoret në forma të tjera, shpreh edhe kuptimet gramatikore të gjinisë mashkullore, numrit njëjës, rasës emërore dhe shquarsisë (trajta e shquar).
Kuptimi gramatikor ka një karakter shumë të përgjithshëm. Ai është karakteristik për një klasë të tërë fjalësh me kuptim leksikor kategorial të përbashkët dhe me veçori gramatikore të përbashkëta. Kështu kuptimin gramatikor të rasës nuk e ka ky apo ai emër i dhënë, por të gjithë emrat pa përjashtim.
Çdo kuptim gramatikor përbehet prej kuptimesh të pjesshme gramatikore, që janë në kundërvënie midis tyre dhe të gjitha së bashku përbejnë unitet.
Shembull: Kuptimi gramatikor i rasës përbëhet nga kuptimet gramatikore të rasave të ndryshme, që janë në kundërvënie midis tyre, por që të gjitha së bashku përbëjnë kuptimin gramatikor të rasës.
Format gramatikore
Kuptimet gramatikore e gjejnë shprehjen në format gramatikore që merr fjala gjatë përdorimit në fjali.
Gjithë sistemi i formave gramatikore
Format gramatikore në gjuhën shqipe janë sintetike dhe analitike
Format sintetike ndërtohen:
1) me anë mbaresash që i shtohen temës së fjalës: një mal – mal-i, hap – hapa
2) me anë ndërrimesh fonetike që pëson tema e fjalës: a në e dash – desh, bujk – bujq
3) njëherazi me ndërrime fonetike dhe mbaresa marr – mora
4) pa asnjë tregues gramatikor, d.m.th. me mbaresë 0 (zero) unë hap, ti hap, ai hap
5) me anë formash supletive unë, mua, ai, atij.
Format gramatikore analitike ndërtohen:
Me anë të foljeve ndihmëse kam dhe jam: kam punuar, jam ushqyer.
Me anë të pjesëzash formante: të, do të, pa, duke, për të.
Me anë të nyjave si formimi i rasës gjinore: fletorja e nxënësit
Mbaj mend: Zakonisht me anë të një mjeti gramatikor shprehen njëkohësisht disa kuptime gramatikore. Kështu me anë të mbaresës së shquarsisë, përveç kuptimit te shquarsisë shprehen edhe kuptimet gramatikore të rasës, numrit dhe gjinisë.
Por ka edhe raste kur mjeti gramatikor është njëkuptimor, p.sh.: prapashtesat e shumësit (e, ë, a) shërbejnë vetëm për të shprehur kuptimin gramatikor të tij.
Një kuptim gramatikor dhe format e tij gramatikore përkatëse përbejnë një unitet të pandashëm që quhet kategori gramatikore.
Gjuha shqipe ka kategoritë gramatikore të gjinisë, numrit, rasës, shquarsisë, pashquarsisë, vetes, kohës, mënyrës dhe diatezës.
Kategoritë gramatikore janë sintaksore ose jo sintaksore.
Kane karakter sintaksor ato që kushtëzohen nga lidhjet sintaksore të një fjale në fjali, p.sh. gjinia dhe numrat tek mbiemri.
Kanë karakter josintaksor ato kategori që nuk kushtëzohen nga lidhjet sintaksore të një fjale në fjali si gjinia dhe numri tek emri.
Përmblodhi dhe përshtati:
STUDENTET.MK