Gjuha është aftësia më e madhe e njeriut, një art kolektiv i patejkalueshëm, që ndonjëherë na del individuale e kufizuar. Kush depërton në fshehtësitë dhe në thellësitë e kësaj gjuhe, njëkohësisht zbulon gjuhën e vet intime. Me gjuhën jetohet, në të jetohet, dhe për të jetohet ose siç ka theksuar një njeri i mençur: “Gjuha është zhvilluar nga britmat, këlthitjet spontane të njerëzve, nga nevoja që njeriu t’i shprehë emocionet e veta”. Viteve të fundit gjithnjë e më tepër jemi të preokupuar me enigmën e universumit gjuhësor. Gjuha është dashuria më e madhe e njeriut deri në vdekje. Ajo mundëson t’i zbulojmë ndjenjat, urrejtjen, tronditjen, gëzimin, hidhërimin, shqetësimin, zemërimin, sjelljen etj. Njerëzit e krijojnë kolektivisht gjuhën në komunikimin e përditshëm ndërmjet veti, duke shkëmbyer mendime, informata nga përvojat e tyre. Gjuha shpesh herë na del e ndërlikuar, kontradiktore, madje e pakuptueshme. Kjo është gjuha ligjërimore, që përmban elemente të pakufishme simbolike dhe shënjuese të ngjyrosura. Nuk është një gjuhë e njohur e kuptueshme për të gjithë. Është një gjuhë intime individuale, më e ndërlikuara e zërit, në kujtime, gjithashtu edhe në heshtje. Gjuha është dramë e vërtetë jetësore e përbërë prej simboleve-tregues të jetës së brendshme të njeriut, ndërsa faktet gjuhësore, ndodhitë, argumentet, para së gjithash, janë situata reale e pastaj forma. Ajo u nënshtrohet manifestimeve të tjera jashtëgjuhësore si veprimtari njerëzore dhe shoqërore. Gjuha individuale është të shprehurit gjuhësor të pavarur, të lirë, me të cilën njëri dallohet prej njerëzve të tjerë në të folur (dhe në të shkruar), kështu që kuptimi i fjalës përfshin të gjitha aftësitë shpirtërore të brendshme dhe të jashtme; mënyrën e të menduarit dhe të shprehurit e ndjenjave. Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, i nënshtruar të gjitha rregullave gramatikore, por në vete fsheh një kulturë, traditë, mënyrë mendimi, civilizimi, histori. Gjuha është burim i letërsisë, i shtypit etj. Jashtë saj s’ka letërsi, s’ka poezi. Gjuha nuk është vetëm çështje estetike, letrare, por edhe çështje sociale, morale, çështje e vetëdijes kombëtare, e vlerës sonë, siç është gjithmonë pasqyrim ose pamje e gjallë e marrëdhënieve tona njerëzore, mendore, intelektuale…
Që kur ekziston njeriu, gjuha kurdoherë e përfaqëson historinë e tij. Gjuha është pasqyrim i përjetshmërisë së njeriut, popujve, njerëzimit. Gjuha i lidh dhe i bashkon njerëzit dhe popujt e ndryshëm të botës në gjithë rruzullin tokësor.
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk