Fjalët përgjithësuese zënë vend më shumë përpara vargut të gjymtyrëve homogjene. Ato shqiptohen atëherë me intonacione paralajmërimi dhe në të shkruar ndahen zakonisht me dy pika. Fjalët përgjithësuese në këso rastesh mund të vijnë ose pandërmjetshëm para gjymtyrëve homogjene, ose të larguara prej tyre, të ndara nga fjalë e fjali plotësuese a gjymtyrë të tjera:
Kësaj lufte i fali gjithçka; krijimin, mendjen, trupin. Kudo i dukej sikur ndjente një lëvizje të fshehtë: në rrugë, në dyqane.. prapa perdeve të shtëpisë. Rri e vështroj njerëzit që lëvizin sa andej këtej: burra, gra, fëmijë, vajza, djem, pleq.
Në disa raste të veçanta, zakonisht kur numri a vëllimi 1 gjymtyrëve që vijnë pas fjalës përgjithësuese, s’është i madh, po herë-herë edhe në raste të tjera në vend të dy pikave përdoret a mund të përdoret presja.
I mblidheshin përreth të gjithë, djemtë, nuset, vajzat nipërit, mbesat e Muratit… Lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat. Përmes saj nuk mund të depërtojë asgjë, as mendimi, as ndjenja, as vështrimi ynë.
Fjalët përgjithësuese, kur vijnë pas vargut të gjymtyrëve homogjene, dhe rimarrin këtë varg, ndahen nga gjymtyrët homogjene me presje, ndonjëherë (kur është i gjatë vargu i gjymtyrëve homogjene ose kur këto janë mjaft të zgjeruara) me vizë:
Rruga, makinat, kalimtarët gjithçka, përthyhen gëzueshëm. Hedhja poshtë e politikës së kapitullimit, përcaktimi i një programi antiimperialist luftarak dhe i një objektivi të drejtë të luftës dhe, nga ana tjetër, mobilizimi i vetë masave popullore për mbrojtjen e vendit këta ishin faktorët kryesorë që bënë të mundur të arriheshin ato suksese të mëdha që u korrën menjëherë pas Kongresit të Lushnjës.
Fjalë përgjithësuese dalin në të njëjtën rasë me gjymtyrët homogjene. Ndërmjet fjalës përgjithësuese e gjymtyrëve homogjene që e zbërthejnë e shtjellojnë përmbajtjen e saj, vendosen lidhje pak a shumë sqaruese e saktësuese, që u afrohen ku më shumë e ku më pak, raporteve përcaktore.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe