Klasifikimi më i përgjithshëm më i përdorur i gjymtyrëve të dyta është ndarja e tyre në tri kategori të mëdha: përcaktorë, kundrina dhe rrethanorë.
Kundrina, në nënllojet më kryesore të saj, del zakonisht si gjymtyra e dytë më e rëndësishme, mjaft herë kuptimisht e strukturalisht e domosdoshme. I domosdoshëm për kuptimin dhe plotësimin strukturor të fjalisë mund të jetë mjaft herë edhe përcaktori. Secila kategori u shtrohet nëndarjeve të ndryshme në bazë kriteresh të ndryshme, gramatikore ose semantike.
Në gramatikat e disa gjuhëve nuk ndiqet ndarja vetëm në këto kategori të mëdha, po dallohen një varg gjymtyrësh herë të përfshira në grupe më të gjera, herë jo.Ndërsa rrethanorët dallohen si kategori sintaksore të një grupi pak a shumë më vete, qoftë edhe vetëm nga emërtimi (si: plotës i rrethanës, i vendit, i kohës etj.) po ashtu edhe kundrinat (si : plotës kundrinor i drejtë, i zhdrejtë), përcaktorët vështrohen si gjymtyrë të ndryshme, pa u lidhur në një kategori më të gjerë, kështu përcaktori mbiemër quhet “epitet”, përcaktohen emra (a përemra) plotës të ndryshëm (të pronës, pjesës, cilësisë etj.). Një vend më vete i jepet gjithmonë ndajshtimit.
Kjo mënyrë të vështruari ka zotëruar në të kaluarën edhe ne gramatikën tonë, me përjashtim të ndonjë orvatjeje grupimi. Eshtë folur për cilësor, duke u kuptuar me këtë në përgjithësi përcaktori i përshtatur, i shprehur me mbiemër a me fjalë me përdorim mbiemëror., për plotës, të ndryshëm (të pronës, (ë çfarësisë, të pjesës, të cilësisë të lëndës etj.) në rastin e përcaktorëve të shprehur me emra a përemra, dhe për ndajshtim.
Ndarja e gjymtyrëve të dyta në tri kategoritë e mëdha të përmendura më sipër (përcaktorë. kundrina, plotës rrethane a rrethanorë) i përgjigjet kërkesës së lidhjes së koncepteve e njohurive e sistematizimit më të mirë në njësi përgjithësuese, nevojës së dallimit të disa kategorive të mëdha të identifikueshme. A ja është e përligjur nga një varg tiparesh dalluese të këtyre nëndarjeve.
Eshtë e vërtetë se përballë materialit gjuhësor real, aq të pasur e të larmishëm, ndarja në tri kategori (përcaktorë, kundrina e rrethanorë) është, në një farë mase, skematike, ndeshen mjaft herë vështirësi në kuptimin dhe interpretimin e fakteve konkrete gjuhësore; s’ka sa duhet gjithmonë caqe qartësisht e lehtësisht të dallueshme midis tri kategorive të mëdha; shfaqen raste të shumta të ndërmjetme e sinkretike.
Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe 2”
STUDENTET.MK