Tipi më i përhapur i fjalive është fjalia dykryegiymtyrëshe, struktura e së cilës është e krahasueshme me strukturën e gjykimit. Fjalia dykryegjymtyrëshe përbëhet prej dy pjesësh, të cilat në ligjërimin e folur mund të ndahen edhe me një pauzë: “Hija e rëndë e malit/kishte rene mbi fshat si një kadife e zezë.” Në secilën prej këtyre pjesëve ka një gjymtyrë rreth së cilës bashkohen gjymtyrët e tjera. Kështu, në pjesën e parë këtë rol e luan emri hija, në të dytën folja kishte rënë. Këto gjymtyrë që shërbejnë si qendra organizuese të fjalisë, quhen kryegjymtyrë ose gjymtyrë kryesore.

Gjymtyrët kryesore të fjalisë janë kryefjala dhe kallëzuesi. Ato janë baza e fjalisë dykryegjymtyrëshe dhe nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën. Lidhja kuptimore e kryefjalës me kallëzuesin qëndron në shprehjen e marrëdhënies kallëzuesore. Lidhja strukturore e kryefjalës me kallëzuesin gjen shprehjen e vet gramatikore në lidhjen kallëzuesore, e cila është e ngjashme me përshtatjen, po jo e njëjtë me të.

Prania e kryefjalës dhe e kallëzuesit si qendra organizuese të fjalisë dhe shprehja e marrëdhënieve kallëzuesore janë tiparet themelore të fjalisë dykryegjymtyrëshe.

Fjalia dykryegjymtyrëshe që përbëhet vetëm prej kryefjalës dhe kallëzuesit, quhet e pazgjeruar. Fjalia dykryegiymtyrëshe mund të ketë edhe gjymtyrë të tjera, plotësuese, gjymtyrë të dytë, atëherë quhet e zgjeruar.

Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe -2”

Përmblodhi dhe përshtati

STUDENTET.MK

 

About Author