Meqë gjuha është mjet kryesor për komunikim midis njerëzve dhe për zhvillimin e të gjitha shkencave e të mbarë shoqërisë, ajo ka filluar të studiohet qysh në kohët më të lashta të historisë së njeriut. Shkenca që merret me studimin e gjithanshëm të gjuhës quhet gjuhësi ose linguistikë (nga lingua = gjuhë) që do të thotë shkencë mbi gjuhën. Kjo shkencë i studion veçoritë e përgjithshme të të gjitha gjuhëve: lindjen dhe zhvillimin e tyre, ndryshimet që ndodhin etj. Degët kryesore të gjuhësisë janë: fonetika, leksikologjia dhe gramatika.

Fonetika është degë e gjuhësisë që studion tungujt e gjuhës, mënyrën e formimit të tyre, veçoritë akustike e fiziologjike, llojet e tingujve, ndryshimet që pësojnë tingujt në pozicione të ndryshme, theksin, intonacionin, rrokjen etj. Me fonetikën është i lidhur ngushtë edhe drejtshqiptimi ose ortoepia.

Leksikologjia po kështu është degë e gjuhësisë, e cila merret me studimin e fjalëve të një gjuhe. Fjala leksikologji vjen nga greqishtja dhe përbëhet nga fjalët leksis = fjalë dhe logos = dituri, që do të thotë shkencë mbi fjalët. Pra si degë gjuhësore leksikologjia studion thesarin e fjalorit të një gjuhe, kuptimin e fjalëve, shprehjet frazeologjike etj.

Gramatika është dega më e rëndësishme e gjuhësisë, sepse ajo studion strukturën e gjuhës e kjo është ana më themelore e gjuhës. Fjala gramatikë vjen nga greqishtja gramatechne që do të thotë art i të shkruarit, por sot me këtë fjalë kuptojmë shkencën që merret me studimin e rregullave të ndryshme të fjalëve dhe të bashkimit të tyre në togfjalësh e në fjali. Gramatika ndahet në dy pjesë: në morfologji dhe sintaksë.

Morfologjia është ajo pjesë e gramatikës që merret me studimin e rregullave, sipas të cilave fjalët pësojnë ndryshime si dhe me klasifikimin e tyre nëpër klasa.

Sintaksa është pjesë e gramatikës që merret me studimin e rregullave të bashkimit të fjalëve në togfjalësh e në fjali dhe të fjalive në periudhë (fjali të përbërë).

Përmblodhi dhe përshtati:

www.studentet.mk

About Author

Admin_S