Gjymtyra e përjashtimit (kufizues) – Shpreh përjashtim, kufizim, në një kategori, tërësi. shënon sendin. qenien, tiparin e rrethanën që nuk përfshihet në mohimin a pohimin e shprehur në fjali. Edhe kjo gjymtyrë ka lidhje me një a disa gjymtyrë të njëjta të fjalisë, që mund të kenë funksione të ndryshme. Ndërtohet me parafjalët, me të cilat ndërtohet edhe gjymtyra e shtimit shkallëzues, përveç (ndonjëherë edhe: përveçse), veç si edhe me lokucionin me përjashtim (të): Ai s’kishte asgjë, përveç kokës. Që prej një ore, ai nuk është marrë me asgjë përveçse me mendimet e tij.
Gjymtyra e përjashtimit kufizues mund të dalë në aspektin pohues ose në aspektin mohues. Mund të jetë mohuese fjalia, të mohohen gjymtyrët me të cilat ka lidhje gjymtyra e përjashtimit, por pohohet lidhja e kësaj të fundit me kallëzuesin, përjashtohet përfshirja e saj në mohimin e fjalisë. Por mund të jetë pohuese fjalia dhe të kufizohet ky pohim, duke u përjashtuar, duke u mohuar gjymtyra e përjashtimit: Kaçaku Marko, veç emrit të tij, asnjë fjalë tjetër nuk kishte nxjerrë nga goja (krhs.: Kaçaku Marko kishte nxjerrë nga goja vetëm emrin e tij e jo ndonjë fjalë tjetër/… po jo ndonjë fjalë tjetër).
Zakonisht gjymtyrët e përjashtimit dalin të bashkëlidhura me fjalë të caktuara. Kur fjala është pohuese, gjymtyra e përjashtimit ka lidhje me një emër a përemër në shumës (sidomos të pacaktuar si: të gjithë, të tërë, të tjerët), me një përemër të pacaktuar njëjës, si: secili, kushdo, gjithçka etj., me një emër njëjës të shoqëruar nga një përemër i pacaktuar, si: çdo, gjithë, tërë, tjetër, ose nga një emër shumës shoqëruar me përemër të pacaktuar si: gjithë, tërë, (të tërë), pra me fjalë a togfjalësha që tregojnë shumësi, tërësi sendesh a qeniesh: Të gjithë heshtën, përveç shokut tim, që ngrinte dorën. Gjymtyra e përjashtimit mund të dalë e bashkëlidhur me një ndajfolje me kuptim të përgjithshëm: Me përjashtim të zonave që ishin nën influencën tonë, kudo ndeshën në një qëndresë të…
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe