2.1.2. Karakteri përcaktues – sqarues i një gjymtyre të fjalisë në raport me një gjymtyrë tjetër. Për këtë shkak veçohen:

2.1.2.1. Ndajshtimet që funksionojnë si përcaktorë të mirëfilltë: Blertën e kishte zënë për krahu shoqja e saj e shkollës, Drita. Të dy, mëmë e bir, morën udhën e fshatit;

2.1.2.2. Rrethanorët që shprehin marrëdhënie rrethanore të gërshetuara me marrëdhënie përcaktore – sqaruese. Këta rrethanorë ndodhen rregullisht pas një rrethanori tjetër:

Pa të s’mund ta çojmë as në ullishtë, te partizanët. Në Mërtir, nën hijet e ca lisave të mëdhenj, ishte mbledhur që në mëngjes populli i shtatë copë katundeve. Dy herë në mot, me të korrur dhe më të vjelë, vinin rregullisht ushtritë turke përpara Krujës, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës.

2.1.3. Zgjerimi i gjymtyrës që veçohet e sidomos vëllimi i këtij zgjerimi. Për këtë shkak veçohen përcaktorët dhe rrethanorët.

2.1.3.1. Veçohen më tepër përcaktorët e shprehur me pjesore dhe me mbiemra prejpjesorë:

Tek po ngjiste shkallët e gjera drejt sallonit, rrethuar me xhama shumëngjyrësh, një drithërimë e brendshme gati i mori frymën. Veprimtarinë poetike De Rada e nisi me “Këngët e Milosaos”, botuar për herë të parë në Napoli më 1836. Ishte nisur për në Pirgan një ekip i madh, i përbërë nga punonjës të Ministrisë së Bujqësisë. Skënderbeu, i lajmëruar prej Vrana Kontit që turqit kishin nisur të lëviznin në kufi, la një ushtri prej 4000 vetësh për të vazhduar bllokadën e Danjës.

2.1.3.2. Për shkak të zgjerimit veçohen edhe përcaktorët pa përshtatje, të shprehur me emra:

Një njeri, me një thes ngarkuar grarisht në shpinë, zbriste natën nëpër dëborën e ngrirë drejt mullirit. E ëma, me një goxha deng mbi kurriz, e mbante të birin për dore.

2.1.3.3. Zgjerimi është një nga shkaqet e veçimit edhe të ndajshtimeve, duke bashkëvepruar edhe me faktorët e tjerë, si me spikatjen e tiparit dhe me ngarkesën më të madhe kuptimore (krahaso ndajshtimin e paveçuar që del i pazgjeruar). Tipike janë këto raste: ndajshtime të veçuara të zgjeruara me një fjali përcaktore, ndajshtime të veçuara të shprehura me një emër dhe me një mbiemër në shkallën sipërore:

Njëri, gazetari më i ri, ishte pothuajse i panjohur për të. Artani, djali më i madh, ishte shtrirë sa gjatë gjerë në dyshekun e vet.. Kësaj here ndolli Balashkën, dhinë që i jepte kecat më të shëndoshë dhe qumësht më shumë.

2.1.3.4. Dalin mjaft shpesh të veçuara rrethanorët, kur janë të zgjeruar:

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author