Në gramatikat e gjuhës shqipe emrat janë ndarë në lakime në mënyra të ndryshme. Ndryshimet vijnë: 1. nga trajta nga janë nisur për të caktuar numrin e lakimeve, e pashquara ose e shquara; 2. nga mbaresat e rasës që kanë marrë si kriter ndarjeje: të rasës emërore të shquar, ose të gjinores së pashquar a të shquar.
Po të nisemi nga mbaresat e gjinores së shquar ose të pashquar duhen pranuar tri lakime: 1. -i a -it; 2. -u a -ut; 3. -e a -s(ë). Kjo ndarje ka një të metë, sepse nuk i përfshin gjithë emrat. Emrat asnjanës, sipas kësaj, përfshihen në lakimin e parë, por ata, në rasat emërore dhe kallëzore të trajtës së shquar njëjës, dallohen prej të tjerëve nga mbaresa të veçanta.
Kjo na detyron të mbajmë ndarjen me katër lakime, duke u bazuar në mbaresat e emërores së shquar. Kjo ndarje ka fltuar edhe njëfarë tradite nëpër gramatikat shkollore. Kështu, sipas këtij kriteri, në lakimin e parë do të përfshihen emrat që në emëroren e shquar njëjës marrin mbaresën -i, në lakimin e dytë ato që marrin mbaresën -u, në të tretin ata me mbaresën -a dhe në lakimin e katërt ata me mbaresën -t(ë).
Lakimi i parë përfshin emrat e gjinisë mashkullore, me përjashtim të atyre që mbarojnë me bashkëtingëlloret prapagjuhore -k e -g e me laringalen ~h, dhe të disa emrave që mbarojnë me një zanore të theksuar. Lakimi i dytë përfshin gjithë emrat mashkullorë që mbarojnë me tingujt -k, -g, -h, dhe disa nga ata që mbarojnë me një zanore të theksuar. Në lakimin e tretë hyjnë gjithë emrat femërorë dhe në të katërtin emrat asnjanës. Emrat asnjanës përbëjnë një lakim më vete vetëm në trajtën 6 shquar; në të pashquarën ata lakohen sipas gjedhes së lakimit të parë.
Në numrin shumës të gjithë emrat lakohen njëlloj, pavarësisht nga tipi i lakimit në njëjës. Këtu përfshihen edhe emrat pluralia tantum, d.m.th. ata që s’kanë njëjës. Në rasat gjinore e dhanore të pashquar, si në njëjës edhe në shumës, emrat nuk përdoren të paprirë nga ndonjë përcaktor. Kështu, është e pamundur të thuhet: libri i nxënësi ose i ndihmova shoku, por libri i një (këtij) nxënësi, i ndihmova një (këtij) shoku. Në numrin shumës, në ndërtimet e tipit: libri i nxënësve, u ndihmova shokëve kemi të bëjmë me gjinore e dhanore të shquar. Në trajtën e pashquar edhe në shumës, emrat në këto dy rasa përdoren vetëm të prirë nga ndonjë përcaktor, si p.sh.: libri i disa (këtyre) nxënësve, u ndihmova disa (këtyre) nxënësve.
Në paradigmat e lakimeve si nyjë e gjinores do të shënohet vetëm forma i , që bashkëlidhet me një emër të përcaktuar të gjinisë mashkullore në rasën emërore njëjës. Por do pasur parasysh se sipas gjinisë, numrit dhe rasës së emrit të përcaktuar, nyja e gjinores del edhe me trajtat e, të dhe së. Meqenëse nyja e gjinores përkon me atë të mbiemrave të nyjshëm, këtu nuk do të bëhet tjalë as për ndryshimin e saj sipas gjinisë, numrit e rasës së emrit të përcaktuar, as për variantet e kushtëzuara të disa trajtave nyjore.
Burimi – Gramatika e gjuhës shqipe 1
Përmblodhi dhe përshtati
STUDENTET.MK