Modaliteti është një term që përdoret në disa fusha të dijes, por dhe në atë të gjuhësisë. Termin modalitet në gjuhësinë shqiptare e gjejmë përgjithësisht të përkufizuar si qëndrim i folësit ndaj asaj që kumton, në lidhje të ngushtë me realitetin objektin, realizuar me mjete të ndryshme gjuhësore – shprehëse dhe intonacionore. Nga kjo del se modaliteti është një kategori e rëndësishme gjuhësore me një shtrirje madje edhe përtej saj. Mirëpo, sa i përket çështjes së studimit të tij në gjuhësinë shqiptare, mund të themi se kjo çështje ka mbetur paksa prapa, për dallim nga gjuhët e tjera, ngase, më sa dimë ne, te ne ende nuk është bërë objekt i një trajtimi të veçantë, e në mënyrë të gjithanshme.

Si term dhe si kategori gjuhësore përmendet aty- këtu në gramatikat tona universitare të viteve të fundit (është fjala këtu për tekstet universitare Gramatika e gjuhës shqipe I , – Morfologjia, botuar më 1995 dhe Gramatika e gjuhës shqipe II, – Sintaksa, botuar më 1997 nga ASHSH – ja), por pa ndonjë klasifikim i caktuar për të.

Në Gramatikën e gjuhës shqipe I modaliteti përmendet te foljet dhe te pjesëzat. Te kategoria leksiko- gramatikore e foljes, aty në një shënim të shkurtër në fund të faqes, thuhet se qëndrimi i folësit mund të shprehet me anë të mënyrave të foljes dhe me anë të foljeve me vlerë modale. Aty thuhet se vlerë modale kanë foljet: mund, e ndjekur nga një folje në mënyrën lidhore; duhet (a lipset), e ndjekur nga një folje në pjesore ose në lidhore; do, e ndjekur nga një folje në pjesore; kam e jam, të ndjekura nga forma e pashtjelluar e tipit për të larë . Me anë të foljeve modale: mund + lidhore, thuhet më tej në këtë tekst, shprehet modaliteti i mundësisë; duhet (a lipset) + lidhore a pjesore; me do + pjesore shprehet modaliteti i detyrimit a i domosdoshmërisë etj. Foljet me vlerë modale në fjali e humbasin mëvetësinë e tyre si folje të zakonshme, dhe, si rrjedhim, po të merren të shkëputura nga togfjalëshi ku bëjnë pjesë, nuk kanë mundësi të kryejnë funksionin e kallëzuesit. E gjithë kjo është sqaruar më mirë nëpërmjet këtyre shembujve, si: Vetëm një pendë poetike mund të përshkruajë meritat e tyre; Njëri prej të dyve duhej të thyhej; Ata janë djem të mirë dhe duhen ndihmuar; Vrulli i tyre vetë do drejtuar, do mbërthyer në vendin e duhur e atëherë ai do të bëjë çudira.

 

Ndërkaq, te kategoria leksiko- gramatikore e pjesëzës grupi i veçantë i pjesëzave modale, të cilat, sipas autorëve të këtij teksti, po ashtu, shërbejnë për të shprehur qëndrimin e folësit ndaj një a më shumë mendimeve, ndaj vërtetësisë së një ngjarjeje a dukurie të realitetit objektiv. Këtu janë përfshirë pjesëzat:

a) pohuese: po, posi, po që po, po se po, si urdhëron etj.;

b) mohuese: jo, mos, nuk, s, jo që jo, jo se jo, as që etj.;

c) pyetëse: a, ë, e;

ç) dyshuese: gjë, kushedi, kushedi, mbase, ndoshta, sikur, vallë etj., dhe

d) zbutëse: pa, as, le, para, dot.

 

Duke e marrë për bazë qëndrimin e folësit ndaj asaj që kumton, në shumë gjuhë, pra edhe në gjuhën tonë, mund të bëhet fjalë përgjithësisht për: modalitetin objektiv dhe modalitetin subjektiv.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S