Hyrje në teorinë e letërsisë

Teoria e letërsisë është një nga degët e shkencës së letërsisë. Degët e tjera të kësaj shkence janë: historia e letërsisë, që merret me studimin zhvillimit të letërsisë artistike që nga lindja e deri në ditët tona, dhe kritika letrare, që ka për detyrë të vlerësojë veprat letrare dhe të ndihmojë lexuesit për t’i kuptuar ato sa më drejt.

Por, parashtrohet pyetja pse e studiojmë teorinë e letërsisë? Ç’qëllim ka kjo lëndë? Atëherë lind përgjigjja, se teoria e letërsisë ka për qëllim t’u japë lexuesve, të veprave letrare, njohuri të nevojshme për t’i analizuar ato vepra sa më drejt dhe më mirë dhe për të kuptuar sa më qartë vlerat e tyre.

Që të mësohet sa më mirë lënda e kësaj lëmie, patjetër duhet të dihet se ç’është letërsia si art i fjalës dhe ku qëndrojnë vlerat e saj; gjinitë dhe llojet e veprave të ndryshme letrare; ç’është forma dhe përmbajtja e veprës letrare; pastaj parashtrohen edhe një numër shumë i madh pyetjesh, si p.sh. ç’është tema, ideja, subjekti dhe në këtë mënyrë do të bëjmë edhe analizën e një vepre letrare si nga përmbajtja, ashtu edhe nga forma e saj.

Ne edhe në kapitullin e parë dhamë disa sqarime në lidhje me atë se ç’është letërsia, sidomos ajo artistike, cilët mjete përdorim për ndërtimin e saj etj. Gjithashtu, theksuam se fjala letërsi përdoret për të treguar të gjitha ato vepra që i përkasin letërsisë artistike, d.m.th. si një nga llojet e artit, dhe se letërsia si mjet për ndërtimin e saj përdor fjalën; dhe se në të gjitha veprat e mirëfillta letrare shkrimtari pasqyron me besnikëri dhe në mënyrë të drejtë e të saktë jetën e popullit, dëshirat e tij, gëzimet e hidhërimet dhe thellësinë e mendimit të tij.

Pikërisht, te ky pasqyrim i drejtë dhe i saktë i jetës së popullit në përgjithësi qëndron vlera njohëse e letërsisë sonë. Për këtë arsye, veprat letrare që bëjnë një pasqyrim të drejtë të jetës së popullit, i ndihmojnë lexuesit për të ngritur nivelin e tyre ideologjik e kulturoro-shkencor dhe për të njohur më mirë jetën e shoqërisë.

Krahas vlerës njohëse, letërsia artistike ka edhe vlerën edukuese, që do të thotë se shkrimtarët jo vetëm që pasqyrojnë drejt jetën, por me anën e këtij pasqyrimi, shprehin edhe qëndrimin e tyre ideor dhe emocional ndaj saj. Në këtë mënyrë letërsia ndikon fuqishëm në ndjenjat e mendimet e lexuesve. Me një fjalë, shkrimtari me veprën e vet, na mëson të mendojmë, të punojmë e të jetojmë sa më mirë kudo e kurdoherë, të jemi punëtorë të dalluar, të qëndrojmë të fortë para çdo vështirësie, t’i vëmë vetes kërkesa të larta e të luftojmë me durim e këmbëngulje për arritjen e tyre.

Vepra letrare, me bukurinë e saj, me cilësinë e lartë artistike, ndikon fort në edukimin artistik dhe estetik të njerëzve, dhe tek ata zhvillon një shije të shëndoshë artistike.

Si të tilla, këto vepra, na mësojnë ta shijojmë bukurinë e ta duam artin e vërtetë, na ndihmojnë ta shijojmë bukurinë e pasqyrimit artistik të jetës në letërsi dhe ta kuptojmë e vlerësojmë të bukurën në jetë dhe në art.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S