Përcaktori kallëzuesor pranë një mbiemri foljor, ndonëse mjaft i rrallë, haset si në gjuhën e folur, edhe në të shkruarën. Rrethi i mbiemrave foljor është gjithashtu i kufizuar. Ky tip karakterizohet nga lidhja dyanësore: lidhet drejtëpërdrejt me mbiemrin foljor dhe i referohet emrit ose përemrit në funksionin e çdo gjymtyre fjalie nga i cili varet mbiemri foljor: Shtëpinë e bërë gërmadhë do të na e ndërtonin të parën. Shprehet me emër të pashquar në formën rasore të emërores (po të shndërrohet mbiemri në folje, përcaktori kallëzuesor do t’i referohet kryefjalës) ose me emër me parafjalë:
Arritën, pra te porta e saj, e kur panë vëllanë me gjtihë luanin të ngrirë e të bërë gur, lëshuan lotë si breshër nga sytë (khs.: Vëllai ishte bërë gur). Të hapej barku kur shikoje arat të papunuara dhe të lëna djerr (khs. : Arat ishin lënë djerr). O Gurka im i rritur jetim. ngreu e shiko shokët (khs. : Gurka është rritur jetim).
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe