Periudhat me bashkërenditje janë periudha të formuara nga dy a më shumë sifjali me raporte përkatësisht të bashkërenditjes në mes tyre, të bashkuara me lidhëza bashkërenditëse a me fjalë me të njëjtën vlerë.

Në bazë të marrëdhënieve më të përgjithshme dallohen pesë lloje, pesë tipa periudhash me sifjali të bashkërenditura: sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie këpujore; sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie përqasore, kundërshtore; sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie veçuese; sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie përmbyllëse; sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie shkakore – motivuese.

1.Periudhat me sifjali të bashkërenditura me marrëdhënie këpujore – nga pikëpamja strukturore periudhat me sifjali këpujore kanë një larmi shumë të madhe. Në vijim do të paraqesim disa shembuj të këtij lloji të periudhave: Ajo lagte fushën dhe brigjet dhe shkëlqente mbi asfaltin e zi të udhës automobilistike. Ai ishte kryesori dhe mund të hapte çfarë bisede që donte: për konjakët, kryeqytetet, cigaret. Plisat ishin të zinj, të shkrifët dhe lëshonin avull.

2. Periudhat me sifjali të bashkërenditura me marrëdhënie kundërshtore.

Bisedimet midis dy qeverive kishin filluar që në pranverë, por marrëveshja përfundimtare u nënshkrua vetëm në fund të gushtit, në kohën e vranësirave të para. Ishte shënuar edhe data 7 shtator 1943, por, pastaj, kushedi pse, ai i kishte vënë vijë përsipër. Shpirtin mbaje me bukë, por mos e bëj leckë dinjitetin e vendit tënd.

3. Periudhat me sifjali të bashkërenditura me marrëdhënie veçuese – janë dy a më shumë dukuri, fakte, ngjarje, që përjashtojnë njëra-tjetrën, domethënë realizimi i njërës prej tyre veçon, përjashton realizimin e tjetrës ose të të tjerëve njëherazi. P.sh.: Shëtisnin në breg, bashkë me fëmijët, ose uleshin në fronet ndanë ujit. I shisnin ose i ndërronin me një trastër misër ose me dy kokrra vezë.

4. Periudhat me sifjali të bashkërenditura me marrëdhënie përmbyllëse – këtu fjalia e dytë shpreh diçka që del si rrjedhim, përfundim, përmbyllje e brendisë së fjalisë së parë. P.sh.: Varrin nuk e di asnjë njeri, prandaj unë erdha te ju. Ishte një vdekje e freskët, ndaj ngjante gjithsesi e papranueshme dhe gjithë rrezikim.

5. Periudhat me sifjali të bashkërenditura me marrëdhënie shkakore-motivuese.

Ti përgatite dhe mësoje materialin, pa për të kaluar provimin mos e ke dert fare.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S