Rruga kryesore e pasurimit të gjuhës me fjalët që i duhen është formimi i fjalëve të reja me brumin e vetë gjuhës dhe sipas modeleve prodhimtare të sistemit fjalëformues të shqipes, ose nëpërmjet shqipërimit të pjesëve përbërëse të fjalëve të huaja. Sot, numri i fjalëve të reja të formuara me rrugët e mësipërme është i madh, në të gjitha sferat e veprimtarisë së shqiptarëve. Të tilla janë, p.sh.: domosdoshmëri; gatishmëri, qëndrueshmëri, mbi-ngarkoj, mbishtresë, mbivlerë, nënçmoj, nëndetëse, nënujor, përvetësim, përparësi, i përafërt, përvijoj, përuroj, ideor, parimor, burimor etj.

Formimi i fjalëve të reja bëhet me anën e parashtesave, prapashtesave ose duke bashkuar dy tema fjalësh (fjalë të përbëra): përgëzoj, bashkëveprim, falënderoj, marrëveshje, kokëçarje, mirëqenie, mirëkuptim, keqtrajtim, keqpërdorim. Kjo ka qenë dhe mbetet rruga kryesore për pasurimin e gjuhës shqipe. Krijimi i fjalëve të reja, si dhe shtimi i kuptimeve të reja në fjalët ekzistuese, sjellin përtëritjen dhe njomjen e vazhdueshme të ligjërimit të të gjitha fushave të jetës. Studimet kanë treguar se mundësitë dhe mjetet fjalëformuese të shqipes janë të mëdha, prandaj ato duhen njohur e shfrytëzuar përherë e më shumë.

Rruga apo burimi i dytë për pasurimin e gjuhës shqipe është përdorimi më i gjerë i fjalëve dhe frazeologjizmave nga goja e popullit. Këto fjalë, në mjaft raste, mund të shërbejnë edhe për të zëvendësuar fjalë të huaja të panevojshme, p.sh.: grimcë në vend të partikulë, kah-u në vend të sens-i, pështjellë në vend të spirë, gërryerje në vend të erozioni, mjedis në vend të ambient, shterp, shterpëzoj në vend të steril, sterilizoj; shtegtues në vend të nomad, tatëpjetë ose teposhtë në vend të dekadencë etj.

Nga gjuha shqipe zëvendësohet pikërisht ai element i huaj, që nuk shihet si pasuri e saj dhe që është i panevojshëm, përderisa shqipja ka një mjet të vetin, më të qartë a më shprehës, i cili e zëvendëson plotësisht elementin e huaj dhe është pasuri e shqipes. Natyrisht, këto mjete të shqipes ende nuk i kemi njohur plotësisht dhe duhen gjurmuar më tej, për të sjellë në gjuhën letrare vlera që gjuha popullore i ka ruajtur gjatë shekujve ose që i ka krijuar e i krijon gjatë ripërtëritjes së saj. Nga gjuha e popullit, për t’u përdorur në fusha të ndryshme të veprimtarisë, merren kryesisht fjalët e burimit amtar dhe jo ato që kanë hyrë nga gjuhët e huaja fqinje, si greqishtja, gjuhët sllave, italishtja etj.

Për pasurimin e leksikut të gjuhës letrare mund të rimerren edhe fjalë të bukura, që kanë qenë krijuar në epoka të mëparshme por që, për arsye të ndryshme, nuk kanë gjetur përdorim e kanë mbetur mënjanë. Të tilla janë, p.sh.: trimëroj, që mund ta zëvendësojë më së miri fjalën e huaj inkurajoj; nismë e nismëtar për të shmangur fjalët e huaja iniciativë, iniciator; miratoj në vend të aprovoj, miratim në vend të aprovim; tubim në vend të miting, kushtrim në vend të alarm, kushtrimoj në vend të alarmoj etj.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S