Përcaktimi i projektit nganjëherë vjen nga rruga e meditimit, mendimit dhe shikimit, por ka mundësi të vijë edhe me konsultim apo propozim.
Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Isha tek Is’hak ibën Rahavejh dhe disa të pranishëm thanë: ‘Çfarë mendoni për idenë që ta përmblidhni një libër të shkurtër për sunetet e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të?!’ Kjo më mbeti në zemër dhe fillova me përmbledhjen e librit.”
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, librin ‘Er-Risale’ e shkroi pasi që prej tij e kërkoi Abdurrahman ibën Mehdij.
Imam Sheukani, Allahu e mëshiroftë, librin e tij të njohur ‘Nejlul eutar munteka el-ahjar’ e shkroi shkaku i një konsultimi me dijetarin e tij.
Ekziston mundësia që projektin ta përcaktojë një fjalë që e dëgjon, si shembull, rasti i imam Dhehebiut, Allahu e mëshiroftë, që me kohën do të bëhet një nga dijetarët e mëdhenj të hadithit. Ai për mësuesin e vet Ilmudin El-Berzalij thoshte: “Ai ishte sebep që ma bëri të dashur kërkimin e hadithit, e pa shkrimin tim dhe më tha: ‘Bukurshkrimi yt është i ngjashëm me shkrimin e dijetarëve të hadithit.’ Kjo fjalë e tij ndikoi dhe la gjurmë tek unë.”32
Muhamed ibën Aufi tha: “Isha i vogël dhe lozja me top, kur papritmas topi ra në afërsi të El-Muafa ibën Imran El-Humusij. Shkova ta merrja dhe më tha: ‘Djali i kujt je?’
I thashë: Djali i Auf ibën Sufjanit.
Tha: ‘Babai yt ishte shoku ynë, së bashku me ne e kërkonte dijen dhe e shkruante hadithin. Më e hijshme për ty është ta ndjekësh rrugën e babait tënd se të merresh me lojën e topit.’
Shkova te nëna ime e lajmërova. Ajo më tha: ‘Biri im, e ka thënë të vërtetën, ai është shoku i babait tënd.’
Ajo m’i ndërroi rrobat, e mora ngjyrën e fletët dhe shkova tek mësuesi.
Më tha: ‘Shkruaj: përcjell Ismail ibën Ajash, prej Abdurab ibën Sulejman, i cili thotë: ‘Umu Derda shkroi në dërrasën time: Kërkojeni dijen në fëmijëri, që të punoni me të kur të rriteni. Çdonjëri atë që e mbjellë, ka për ta korrur’.”
Cili ishte rezultati i këtij projekti?
Fëmija i lartpërmendur, siç thotë imam Dhehebiu, u bë dijetar, hafëz, i përpiktë në dije, dijetar i hadithit të Humusit.
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk kishte si Muhamed ibën Aufi në dyzet vitet e fundit.”
Nganjëherë ideja mund të vijë nga një person i cili ka më pak dije, andaj nuk duhet nënvlerësuar kjo, qoftë edhe nëse vjen nga ndonjë kafshë ose insekt.
Sulejmani, alejhi selam, përfitoi nga lajmi i hud-hudit (pupëzës) në ngritjen e një projekti të madh për thirrjen në fenë e Allahut, ndërsa rezultati përfundimtar ishte ajo që e tha mbretëresha e Sebe’e dhe na e rrëfen Kurani: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” (En-Neml: 44)
Dijetari El-Kesaij, një nga dijetarët e njohur të gjuhës dhe gramatikës arabe, përfitoi nga milingona. Është cekur në biografinë e tij se kur filloi ta mësonte gramatikën iu duk shumë rëndë, derisa vendosi ta braktiste atë. Megjithatë një ditë u shtri në tokë të pushonte dhe e pa një milingonë që bartte ushqim dhe dëshironte ta kalonte murin. Secilën herë që hipte pak, binte poshtë, por nuk u dorëzua, ajo vazhdoi të përpiqej derisa në fund e arriti qëllimin e saj. El-Kesaij e mori një mësim të madh nga milingona, kjo e nxiti të vazhdonte në kërkimin e dijes derisa u bë imam në gramatikën e gjuhës arabe.
Nganjëherë mund të vijë ideja e projektit nga ndonjë situatë që njeriu ballafaqohet me të:
Ibën Hazmi, Allahu e mëshiroftë, autori i librit ‘El-Muhala’ u dallua në shkencën e fikhut. Ai për hapat e parë të tij në shkencën e fikhut, thotë: “Shkova të prezentoja në faljen e namazit të xhenazes, hyra në xhami dhe u ula pa i falur dy rekate për xhaminë.
Një burrë më tha: ‘Çohu dhe fali dy rekate për xhaminë.’ Atëkohë isha 26-vjeçar.
U ngrita dhe u fala.
Pas faljes së namazit të xhenazes hyra në xhami dhe shkova menjëherë t’i fali dy rekate për xhaminë. Por një burrë tjetër më tha: ‘Ulu, ulu! Nuk është tani koha e namazit.’
Ishte koha pas namazit të ikindisë.34
U largova prej aty i mërzitur. Mësuesit që më edukoi i thashë: ‘Më trego shtëpinë e dijetarit të mirënjohur të fikhut Ebu Abdullah ibën Dehun.’
Pasi që mbërrita te shtëpia e tij e njoftova për atë që më ndodhi dhe më këshilloi që ta mësoja librin ‘El-Muvata’ të imam Malikut. Menjëherë fillova ta lexoja para tij, pastaj edhe para dijetarëve të tjerë përgjatë tri vjetëve, deri sa arrita në atë gradë që të diskutoja për mesele shkencore.”35
Po ashtu Sibevejhi, dijetari i gjuhës dhe gramatikës arabe, e përvetësoi këtë fushë shkaku i një situate që u ballafaqua me të. Kjo ndodhi ishte pikënisja e tij për marrjen me dijen e gjuhës dhe gramatikës.
Ibën Kethiri në librin e tij ‘El-Bidaje ue Nihaje’ thotë: “Në fillim të kërkimit të dijes Sibevejhi i shoqëronte dijetarët e hadithit dhe ata të fikhut. Ai i diktonte në lexim dijetarit Hamad ibën Seleme. Një ditë i ndodhi që të gabonte gramatikisht gjatë leximit dhe dijetari nuk u pajtua me të. Sibevejhi në këtë rast tha: ‘Do të kërkoj dije në atë shkencë që nuk do të më gjesh gabime asnjëherë!’
Kështu filloi ta mësonte shkencën e gramatikës. Dijen e mori nga Halil ibën Ahmed, derisa u dallua në fushën e gramatikës arabe dhe u bë një nga dijetarët më të mëdhenj të gramatikës, nga ajo ditë e deri më sot, edhe pse jetoi vetëm tridhjetë e dy vjet. Disa të tjerë thonë që jetoi afër dyzet vjet.”36
Projekti yt mund të jetë edhe plotësim i një projekti që e ka filluar dikush tjetër. Në këtë nuk ka dëm, përkundrazi është bamirësi ndaj tjetrit.
Nga ato projekte që i ka filluar dikush dhe i ka mbaruar dikush tjetër janë:
Projekti i mbledhjes së Kuranit, atë e filloi Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe më pas Othmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i bashkoi njerëzit në një Mus’haf.
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, e filloi librin ‘El-Mexhmu’ sherh el-muhedheb’, në të e kulloi dijen e tij, libri i tij ishte siç thotë Ibën Kethiri: “Po të kishte caktuar Allahu që Neveviu ta përfundonte librin, do të ishte libër për dispozitat e fesë që nuk ka të ngjashëm me të dhe nuk ka shkruar askush libër si ky, por caktimi i Allahut ishte që të ndërronte jetë pa e përfunduar. Ai arriti ta shkruante deri te kapitulli i kamatës.”
Pastaj erdhi Tekijudin Es-Subkij e plotësoi atë që e filloi Neveviu, prej te kapitulli i kamatës e deri te kapitulli i falimentimit. Pastaj kaluan vite dhe shekuj derisa erdhi Muhamed Nexhib El-Mutiij, Allahu e mëshiroftë, e plotësoi përfundimisht dhe tërësisht.
Tefsiri El-Xhelalejn; këtë tefsir e filloi Xhelaludin El-Mehalij, prej sures Kehf deri te surja Nas. Më pas filloi prej te surja Fatiha dhe, pasi që e përfundoi, ndërroi jetë.
Pastaj erdhi Xhelaludin Es-Sujutij e vazhdoi plotësimin e tefsirit. Ai filloi prej te surja Bekare dhe e përfundoi deri te surja Isra. Me këtë u përfundua tefsiri i Kuranit plotësisht.
Edva el-bejan fi idahi el-Kurani bil Kuran; librin e filloi Muhamed El-Emin Esh-Shenkitij, Allahu e mëshiroftë, i cili arriti deri te surja Muxhadele, pastaj e plotësoi atë nxënësi i tij Atije Muhamed Es-Salim, Allahu e mëshiroftë.
Plotësimi i çlirimit të Kudsit; mbreti Nurudin Zenkij, Allahu e mëshiroftë, shpresonte që ai të jetë i cili do ta dëbonte ushtrinë e të krishterëve nga Kudsi, madje e kishte përgatitur një minber të madh për xhaminë Aksa kur ta çlironte. E filloi rrugëtimin e xhihadit, por ndërroi jetë para se ta përfundonte atë. Caktimi i Allahut ishte që më vonë të vinte një nga familjarët dhe pasardhësit e tij, Salahudin Ejub, Allahu e mëshiroftë, i cili do ta çlironte plotësisht Kudsin.
Nganjëherë mundet që më shumë se një person të jetë pjesëmarrës në një projekt. Abdurrahman ibën Kasim dhe djali i tij Muhamedi punuan bashkërisht në projektin e përmbledhjes së fetvave të Ibën Tejmijes, Allahu i mëshiroftë. Ata udhëtuan në shumë vende, si: në Nexhd dhe Meke, Irak, Siri, Liban, Egjipt dhe Paris, për t’i tubuar dorëshkrimet e Ibën Tejmijes dhe në fund libri doli nga shtypi në 37 vëllime.
Nganjëherë projekti mund të jetë shpirtëror dhe jo material sikurse projekti i Selman El-Farisiut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të udhëtonte për ta kërkuar të vërtetën.
Po ashtu Zejd ibën Amru ibën Nufejl, i cili udhëtoi për në Sham që ta kërkonte fenë e vërtetë, derisa u udhëzua në fenë e pastër të Ibrahimit, alejhi selam.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK