All-llahu i Madhërishëm i nxitë robërit e Tij besimtarë që të jenë të sinqertë. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të sinqertit.”[1] Po ashtu thotë: “të sinqertit e të sinqertat”.[2] Po ashtu thotë: “do të ishte mirë për ata të jenë të sinqertë ndaj All-llahut.”[3]

Madje All-llahu i Madhërishëm sqaron se sinqeriteti i bën dobi besimtarit në dynja e ahiret. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu tha: “Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhennete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në to. All-llahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh.”[4]

Prandaj, All-llahu i Madhërishëm na e tërheqë vërejtjen nga rrena, sepse ajo e shëmton njeriun në dynja e ahiret. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në xhehennem vendi i arrogantëve?”[5]

Ajetet që nxisin për sinqeritet dhe që tërheqin vërejtjen nga rrena janë të shumta.

Po ashtu edhe hadithet që nxisin për sinqeritet dhe që tërheqin vërejtjen nga rrena janë të shumta, por unë do t’i përmend vetëm disa prej tyre.

Nga Ebu Muhammed Hasen ibën Ali ibën Ebi Talibi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: Nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kam mësuar këtë: Lëre  dyshimtën dhe përmbaju të padyshimtës; sinqeriteti është rehati, ndërsa rrena është dyshim.”[6] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Katër gjëra nëse i ke në vete, mos u mërzit për asgjë që të ikë nga dynjaja: sinqeriteti në fjalë, ruajtja e amanetit, morali i mirë dhe mosngrënia e haramit.”[7]

Madje Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ngrihet me ummetin e tij në xhennet, dhe thotë: Sinqeriteti të çon në bamirësi, ndërsa bamirësia të çon në xhennet. Vërtet njeriu do të vazhdojë të flasë drejtë (të jetë i sinqertë në të folur) derisa tek All-llahu të shkruhet si i sinqertë. Gënjeshtra të çon në paturpësi ndërsa paturpësia të çon në zjarr (xhehennem). Vërtet njeriu do të vazhdojë të gënjejë derisa tek All-llahu të shkruhet si gënjeshtar.”[8]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: M’i garantoni se do t’i bëni gjashtë gjëra, ua garantoj xhennetin: Kur të flisni, të thoni të vërtetën, kur të premtoni ta përmbushni atë, kur t’ju lihet diçka në amanet ta ruani, t’i ruani organet (gjenitale) tuaja (nga harami), t’i ulni shikimet tuaja (nga harami) dhe t’i ndalni duart tuaja (nga dëmtimi i të tjerëve).”[9]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në pjesën e poshtme të xhennetit atij njeriu që e braktisë polemikën edhe nëse është në të drejtë; unë i garantoj një shtëpi në mes të xhennetit atij njeriu që e braktisë rrenën edhe nëse është shaka; unë i garantoj një shtëpi në pjesën më të lartë të xhennetit atij njeriu që ka moral të mirë.”[10]

 

[1] Kaptina Et-Tevbe, ajeti 119.

[2] Kaptina El-Ehzab, ajeti 35.

[3] Kaptina Muhammed, ajeti 21.

[4] Kaptina El-Maide, ajeti 119.

[5] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 60.

[6] Sahih, shënojnë Tirmidhiu (2518) dhe Ahmedi (27819). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3378) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Sahih, shënon Ahmedi (6614). Shejh Albani në librin e tij es-Silsiletus-Sahiha (733) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (6094) dhe Muslimi (2607).

[9] Hasen, shënon Ahmedi (22251). Shejh Albani në librin e tij es-Silsiletus-Sahiha (1470) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[10] Hasen, shënon Ebu Davudi (4800). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2648) e ka klasifikuar si hadith hasen.

 

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author