Allahu i Madhërishëm është Krijuesi, i Cili krijoi krijesat, u dha formë gjërave. Ai ka fuqi mbi gjithçka, mposht gjithçka dhe di gjithçka: “Perëndia është Ai, i Cili ka krijuar shtatë qiej dhe aq pjesë të tokës; në to zbatohen urdhrat e Tij, për ta ditur ju, që Allahu është i Plotfuqishëm dhe se, me të vërtetë, dijenia e Perëndisë i ka përfshirë të gjitha!”

Ai, lartësuar qoftë, është që krijoi të gjitha krijesat. Është i Fuqishmi, të Cilit nuk i duket asgjë e rëndë qoftë në tokë apo qiell. Është i Forti i Cili bën çfarë të dojë dhe përkryen çka të dojë.

Krejt çka shohim në gjithësi është nga gjurmët e fuqisë së Tij: “A, nuk e kanë shikuar ata qiellin që qëndron mbi ta, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, i cili nuk ka kurrfarë të çrregullimi! E, tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë që nga ajo të mbijnë gjithfarë lloj bimësh të bukur, për t’u menduar dhe këshilluar çdo rob që i drejtohet Zotit të vet.”

I Lartësuari ka pushtet mbi gjithçka, është i Urtë në atë që krijon dhe urdhëron. Ai bën çfarë të dojë me fuqinë e Tij, Ai është i Panevojë.

Disa krijesa i bëri gjigante, sikurse Arshin, Kursinë, qiejt dhe tokën, disa të tjera i bëri të vogla sikurse kokrrën, mushkonjën, milingonën dhe spermën, por edhe te të mëdhatë edhe te të voglat la urtësi, në gjithçka bëri argument dhe mësim.

Disa krijesa i bëri me shumë sasi sikurse dheun, bimët dhe kokrrat, disa të tjera i bëri pak sikurse arin, argjendin dhe metalet, por edhe të shumtat edhe te të paktat la urtësi, në krejt ato la argument dhe mësim.

Disa krijesa i bëri të fuqishme sikurse Xhibrilin, paqja qoft mbi të, të cilit i krijoi gjashtëqind palë krahë, me të cilat e mbulon horizontin, disa të tjera i bëri të dobëta sikurse njeriun dhe mushkonjën, por edhe te krijimi i të fuqishmit dhe i të dobëtit la urtësi, te të dy la argument dhe mësim.

Ai është i Lartmadhëtuati, i Cili disa krijesa i ngriti sikurse Arshin, Kursinë, qiejt, malet dhe pemët, disa të tjera i uli sikurse tokën dhe ç’ka në të, ç’ka mbi të, detet dhe lumenjtë.

Ai është i Lartmadhëruari, i Cili disa krijesa i bëri bashkë sikurse malet dhe detet, e disa të tjera i ndau sikurse yjet, zallin, frytet dhe gjethet.

Ai është i Gjithëdijshmi, i Fuqishmi i Cili disa krijesa i bëri të dukshme e disa të padukshme, e shfaqi dynjanë por e fshehu jetën pas vdekjes, i shfaqi trupat por i fshehu shpirtrat, i shfaqi kokat por i fshehu mendjet, i shfaqi çmimet e gjërave por i fshehu çmimet e punëve, i shfaqi krijesat por e fshehu Vetveten nga krijesat.

Lartësuar qoftë Krijuesi i Gjithëdijshëm, i Cili bëri dallime mes krijesave, krijoi të madhin dhe të voglin, mashkullin dhe femrën, të fortin dhe të dobëtin, të tëndin dhe të lehtin, disa i bëri të gjallë e disa të vdekur. I krijoi të gjitha krijesat dhe i shpërndau nëpër mbretërinë e Tij në qiej dhe tokë.

Në tokë ka krijesa sa nuk mund t’i numërojmë, në ajër ka krijesa sa nuk mund t’i numërojmë, në det ka krijesa sa nuk mund t’i numërojmë dhe në qiell ka krijesa sa nuk mund t’i numërojmë.

I Fuqishmi, i Gjithëdijshmi bëri dallim në cilësitë e tyre, disa i bëri krijesa të qëndrueshme që nuk lëvizin, disa të lëvizshme që nuk ndalen, disa të nxehta e të ftohta, disa të bardha e të zeza, disa që hasin e disa që heshtin, disa të njoma e disa të thata, disa të ëmbla e disa të njelmëta, disa të buta e disa të vrazhda, disa të lëngshme e disa të ngurta, disa të gjalla që nuk mund të jetojnë përveçse në ujë e disa të gjalla që nuk mund të jetojnë përveçse në tokë. Krijoi edhe engjëjt që lavdërojnë Allahun natë e ditë pa pushim: “Ky është krijimi i Allahut, pa më tregoni se çka krijuan të tjerët, përveç Atij.”

Aid el Karni

Përmblodhi dhe përshtati

STUDENTET.MK

About Author