Zemërimi nuk çliron gjë tjetër përveç mërisë dhe smirës. Ai është një zjarr që e djeg mendjen, e thërrmon trupin, dhe që u shkakton atyre sëmundje që nuk numërohen.

Kontrolli mbi zemërimin dhe mbi vetveten, është një gjë e një rëndësie të madhe, që njeriu të ketë sukses në jetën e tij. Gjithashtu, ky kontroll e ndihmon njeriun që të mund të merret vesh me llojet e ndryshme të njerëzve, të cilët kanë natyra dhe moral të ndryshëm, duke krijuar kështu mundësinë që t’i shmangë përplasjet dhe fërkimet, që sjellin armiqësi dhe konflikte të shumta.

Shumica e psikologëve bien dakord se zemërimi është i nevojshëm për ta mbrojtur vetveten nga agresionet e botës së jashtme, por ai është shumë i rrezikshëm kur shtohet dhe vazhdon gjatë.

Disa e krahasojnë zemërimin me avullin e kompresuar në një enë të mbyllur mirë, që kur nuk gjen rrugë nga të dalë, ai i shkakton individit një ose më shumë sëmundje, nga ato që quhen Sëmundjet Psikofizike, të tilla si ulcera e stomakut, ngritja e presionit të gjakut, angina, koliti nervor, migrena… etj. Disa e shprehin këtë rast, duke thënë se zemërimi, nëse nuk del, do të zërë vend në brendësinë tënde, të bëhet pjesë e jotja.

Presionet e jashtme përballoji me durim!

Durimi na ndihmon ta zbusim stërmundimin e madh që bie mbi nervat tona. Durimi na sjell qetësi. Ai bën që të na pakësohet çlirimi i hormoneve të tensionit (adrenalina dhe kortizoli), dhe si rrjedhojë, muskujt relaksohen, enët e gjakut zgjerohen, presioni i gjakut bie, rrahjet e zemrës normalizohen, sistemi i imunitetit e përmirëson punën e tij dhe prodhon një numër të mjaftueshëm të qelizave T, të cilat mbrojnë trupin, vrasin bakteriet dhe u rezistojnë sëmundjeve të ndryshme. Kjo bën që njeriu të jetojë një jetë të lumtur, të qetë dhe të gëzojë shëndet dhe jetë të gjatë.

Gjithmonë e kujtojmë dhe e konfirmojmë se: Njeriu duhet t’i ngulitë në vetveten e tij ato botëkuptime dhe koncepte madhore, të cilat thuhen në shumë fjalë të Zotit të Madhërishëm, me qëllim që t’i largojë mendimet dhe pritshmërifë shkatërruese, e që ta kthejë ekuilibrin e brendshëm të tij, ndjesinë e qetësisë, të sigurisë e të vetëbesimit, gjëra të cilat e forcojnë vendosmërinë për durim.

Zoti i Lartësuar, në librin e Tij fisnik, thotë: “Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe Vetëm atyre që kanë një fat të madh” (41;35).

Që njeriu të rezistojë përballë dredhive, thashethemeve dhe gënjeshtrave, duhet t’i injorojë ata zullumqarë, të cilët i përhapin këto thashetheme dhe gënjeshtra rreth tij , dhe të jetë i bindur se ky injorim do ta vërë në një pozitë force. Madje ndodh që ata zullumqarë, të pushtohen nga tensioni, i cili nuk vonon dhe u kthehet në frikë dhe në mosrehati.

Ky lloj durimi është ai që u përmend në këtë verset të ndritur, ku thotë:

Prandaj duroje atë që thonë ata dhe lavdëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij! Lavdëroje Atë edhe në orët e natës, edhe në skajet e ditës, që të mund të kënaqesh” (11;3)

Dr. Ibrahim el-Fekij

Përmblodhi dhe përshtati

STUDENTET.MK

About Author