HYRJE
Të shkruarit akademik, siç nënkupton emri, është një lloj paraqitjeje krijuese që kërkohet në universitet. Ai ndryshon nga shkrimet e tjera si ato personale, letrare, gazetareske ose të biznesit dhe kjo shpjegohet me atë që ky lloj krijimi (qoftë shkencor ose jo) ka një qëllim dhe marrës të përcaktuar qartë dhe karakterizohet nga tone formale ose jo. Një punim shkencor fillon me një prezantim parak, që mund të jetë një detyrë kursi ose një temë diplome e për të vazhduar me një artikull periodiku, temë disertacioni etj. Për hartimin e librit janë konsultuar një sërë literaturash bashkëkohore dhe janë ndjekur kritere rigorozisht shkencore në përpilimin e strukturës së tij, që lidhet me hulumtimin e programeve të huaja dhe vendase që kanë ndikuar në pasurimin dhe paraqitjen e plotë të temave. Në këtë pikë ka shërbyer edhe përvoja mësimdhënëse e autoreve të cilat kanë pasqyruar dhe sqaruar një sërë problemesh të diskutuara nëpër auditore me studentët që kanë zhvilluar këtë cikël leksionesh.
Teksti është konceptuar në tri pjesë:
1. Natyra e të shkruarit akademik,
2. Lloje të ndryshme shkrimesh akademike dhe
3. Rëndësia e njohurive drejtshkrimore në të shkruarin akademik.
- Pjesa e parë: Hartimi i një shkrimi akademik, synon të paraqesë një panoramë të përgjithshme të procesit të të shkruarit në mënyrë akademike, duke filluar me natyrën e një krijimi shkencor, fazat dhe kriteret kryesore të organizimit citimeve dhe të referencave, strukturën formale të shkrimit deri në mënyrat e paraqitjes së bibliografive. Kreu që ngjall interes dhe në të cilin është mbajtur qendrim nga autoret në lidhje me citimin e bibliografisë është «Struktura formale e shkrimit akademik dhe burimet», ku në mënyrë shumë të detajuar dhe me skema përmbledhëse janë renditur format e citimit të burimeve nga studiues të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj në shkrimet e tyre akademike. Nëpërmjet këtij kreu, studentit a studiuesit të ri i jepen variante të ndryshme të paraqitjes së bibliografisë. Kjo mënyrë të konceptuari nuk është përmbledhur në asnjë nga botimet e këtij lloji.
- Pjesa e dytë: Lloje të ndryshme shkrimesh akademike, përfshin shkrimin e përmbledhjes, relacionit, procesverbalit, recensionit të një shkrimi shkencor, CV-së, projektit, intervistës, reportazhit, kronikës si edhe shkrimin e shkresave të ndryshme të dosjes së një universitari (kërkesë, dakordësi, deklaratë etj).
- Pjesa e tretë: Rëndësia e njohurive drejtshkrimore në të shkruarin akademik, nuk synon thjesht dhe vetëm parashtrimin e disa rregullave drejtshkrimore, por ndalet në ato pjesë të cilat lidhen drejtpërdrejtë me përdorimin e tyre në një punim shkencor. Kështu duke filluar nga disa rregulla të përgjithshme të përdorimit të shkronjës së madhe dhe shkrimit të emrave të huaj, kalohet në përdorimin e shenjave të pikësimit, probleme me të cilat studentët do të ndeshen gjatë hartimit të krijimeve të përmasave të ndryshme. Në fund të çdo kreu jepet krahas literaturës së shfrytëzuar edhe ajo e rekomanduar, e cila mund të shfrytëzohet nga studentët në seminare. Teksti është i ilustruar me diagrama, skema e grafikë të ndryshëm, si dhe nga një sërë detyrash krijuese që i bëjnë me konkrete (më të kapshme)konceptet teorike të trajtuara.
Nën dritën e një konceptimi bashkëkohor, në fund të tekstit janë parashtruar hollësisht rreth 90 terma akademikë që do t’u vijnë në ndihmë studentëve në formën e një glosari (fjalorthi) shkencor. Libri u drejtohet studentëve të degëve të ndryshme dhe mund t’u vijë në ndihmë mësuesve dhe studiuesve të rinj. Libri u diskutua në departamentin e gjuhësisë, nga ku mori dhe të drejtën për botim. Falënderojmë redaktorin e librit Prof. as. dr. Tefë Topalli, lektoren Dr. Rrezarta Draçini si dhe kolegët e departamentit Prof. dr. Tomor Osmani, Prof. dr. Njazi Kazazin, Dr. Mimoza Priku, Dr. Orjeta Baja, Ma. Rezearta Murati, Ma. Anisa Kosteri dhe Ma. Erzen Koperaj për diskutimet dhe sugjerimet e vlefshme, të cilat u pasqyruan në tekst.
Burimi: libri “Te shkruarit akademik- ide, koncepte, modele”
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk