Pas pak do të bëhen të mëdhenjtë e popullit

Kur i vogli e shoqëron babanë e vet në atë që i përshtatet, ia trashëgon cilësitë e burrërisë, pjekjen në mendim dhe ambicien e lartë.

Disa prej kurejshëve ishin ulur në formë të një rrethi, ndërkohë erdhi Amru ibn el-As, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe u tha: “Përse i keni larguar fëmijët prej ndejave tuaja? Mos e bëni këtë, bëjuni vend atyre në ndejat tuaja, mundësoni t’i dëgjojnë hadithet dhe qartësojuani ato, sepse ata tani janë të vegjëlit e popullit, mirëpo për një kohë do të bëhen të mëdhenjtë e popullit, sikur ju që ishit një kohë të vegjëlit e popullit e sot u bëtë të mëdhenjtë e popullit.”45

Funksionalizimi i ndodhisë

Edukator i suksesshëm është ai i cili e posedon aftësinë ta funksionalizojë ndodhinë, sepse edukimi nëpërmjet rrugës së funksionalizimit të ndodhisë, lë gjurmë të mëdha në shpirtin dhe në mendimin e nxënësit-fëmijës. Edukata ndërtohet me dialog, dhe në këtë mënyrë vetëm se i rrënjos informacionet dhe i zhvillon emocionet.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kaloi pranë tregut ku e pa një cjap veshvogël të ngordhur, e kapi atë për veshi dhe tha: “Kush dëshiron që ta blejë këtë cjap të ngordhur për një dërhem?” I thanë: “Çfarë na duhet ky cjap i ngordhur, prej tij s’përfitojmë gjë.” U tha: “Pasha Allahun! Dynjaja tek Allahu është më e përbuzur se ky cjap te ju.”

Xherir ibn Abdullah el-Bexhelij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ishim duke ndenjur te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur ai shikoi në hënën e plotë dhe tha: ‘Do ta shihni me sy Zotin tuaj në Ditën e Kiametit, sikur po e shihni hënën sonte, nuk keni nevojë të shtyheni në shikimin e Tij, poqë keni mundësi të mos e lini namazin i cili është para lindjes dhe para perëndimit, veprojeni atë.”46

E mrekullueshme është kur edukatori i shfrytëzon netët e Bedrit (për qëllim është nata e 13-të, 14-të dhe 15-të kur hëna shihet më së qarti, -sh.p.-) për t’ua kujtuar atyre që i edukon se besimtarët do ta shikojnë Zotin e tyre, ndërsa namazi është shkak për ta fituar atë.

Dialogu është metodë profetike

Shkëmbimi i bisedave me fëmijët djem apo vajza në formë të dialogut të qetë gjatë hipjes në makinë me babanë e tyre, kontribuon në shpërnguljen e përvojave, thënien e dobive dhe dëgjimin e vështrimeve ose pengesave që mund të ballafaqohen me to. Në jetëpërshkrimin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka shumë ndodhi dhe biseda që na i kanë transmetuar ata që kanë hipur pas Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në kafshën e tij, sikur rasti me Muadh ibn Xhebelin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili kishte hipur në gomarin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe atij i tha: “O Muadh, a e di ti se cilae drejta e Allahut që bie mbi robërit e Tij?”47 Po ashtu fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që ia drejtoi Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “O ti djalosh, ruaje Allahun, do të të ruajë Ai ty.”48

Programi që ka ndikim të madh edukues

Një prej programeve që kanë ndikim edukues tek ata që i edukojmë është dërgimi i tyre ta vizitojnë spitalin, ose shtëpitë e të sëmurëve me nevoja të veçanta, ose të sëmurëve mentalë. Prej mësimeve që mund t’i nxjerrin nga këto vizita, janë:

– Rikujtimi i mirësive të Allahut në ruajtjen e gjymtyrëve dhe organeve të trupit.

– Stërvitja e tyre për t’i përkrahur e ndihmuar të tjerët.

– Mësimi për mirësinë e sabrit dhe urtësinë e belasë.

– Kujdesi që duhet të kenë nga shkaqet që çojnë në fatkeqësi, si: shpejtësia në vozitje, loja dhe tallja me zjarr dhe me dhunë.

– Sugjerohet shpërndarja e dhuratave të dobishme për të sëmurët, si: libra të vogël dhe fletushka të dobishme.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *