Mjeti dhe qëllimi

Çdo program që e prezanton çerdhja edukative llogaritet mjet për një qëllim edukativ, edhe nëse programi është argëtues. Pasi realiteti qenka i tillë, atëherë duhet ta pyesim veten para çdo programi: Cili është qëllimi që synohet prej tij? Dhe mjetin që e përdorim a është më i miri apo jo?

Pastaj duhet të kemi kujdes që:

– Të mos zhytemi në përdorimin e mjeteve dhe të shfaqim pakujdesi karshi qëllimeve të programit.

– Të mos e neglizhojmë dispozitën fetare për mjetin, duke u arsyetuar se me të synohen objektiva të mëdha.

– Të mjaftohemi me përsosjen e qëllimit karshi ripërtëritjes dhe shpikjes në mjetet e tij.

Hallkat (kurset) e memorizimit të Kuranit

Llogaritet periudhë edukative e rëndësishme në ndërtimin e personalitetit të baraspeshuar. Kurani është burimi i parë edukativ. Gjeneratat e para të mira me Kuranin e nisnin rrugëtimin e edukimit dhe mësimit.

Velid ibn Muslim tha: “Kur uleshim me imam el-Evzain dhe në mesin tonë kishte ndonjë të vogël në moshë, i thoshte: ‘O ti djalosh, a e lexon Kuranin?’ Nëse i thoshte po, e porosiste ta lexonte ajetin: ‘Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj…’ (En-Nisa: 11). E, nëse i thoshte se jo, i drejtohej me fjalët: ‘Shko njëherit mësoje Kuranin para se të fillosh me kërkimin e dijes.’ ”95

Nëse dëshironi fëmijë të mençur

Një vajzë shembullore e cila e mori vendin e parë për mësim në shkollën e mesme porosit: “Nëse dëshironi fëmijë të mençur, fillojani mësojani Kuranin përmendsh qysh prej fëmijërisë me metoda tërheqëse, me butësi, me urtësi dhe me durim. Mësimi i Kuranit përmendsh ia zhvillon mençurinë dhe i ndihmon në mësimet shkollore, ia lehtëson ato skajshëm, sepse truri vetëm se është mësuar të punojë prej fëmijërisë.”96

Bashkëpunimi familjar në adhurim

Ebu Uthman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Isha mysafir për shtatë ditë tek Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Ajo që më ra në sy ishte se ai, gruaja dhe shërbëtori i tij e ndanin natën në tri pjesë; njëherit falej njëri e, kur e përfundonte pjesën e tij, e zgjonte tjetrin të falej e, kur e përfundonte pjesën e tij, e zgjonte tjetrin të falej.”97

Njëri prej gjeneratave të para bashkëpunonte në adhurim të natës me vëllanë dhe me nënën e, kur ndërroi jetë nëna e tyre, e vazhduan traditën ai me vëllanë, ndërsa, kur i ndërroi jetë i vëllai, vazhdoi vetë të ngrihej natën dhe të falej.

Bashkëpunimi i prindit me mësuesin në qartësimin e natyrshmërisë së fëmijës

Bashkëpunimi i prindit me mësuesin në qartësimin e natyrshmërisë së fëmijës, pa e tepruar në paraqitjen e të metave të fëmijës, mësuesit i ndihmon ta kuptojë personalitetin e nxënësit dhe ia lehtëson rrugën e edukimit.

Imami Sehnun el-Kajravanij el-Malikij i tha mësuesit të birit të tij, kur ia dorëzoi të birin t’ia mësonte: “Edukoje atë me fjalë të mira dhe me lavde, sepse biri im nuk është prej atyre që edukohet me rrahje dhe me qortim.”98

Omer ibn Abdulaziz, Allahu e mëshiroftë, i shkroi edukatorit të birit të vet: “Unë të zgjodha ta edukosh fëmijën tim, andaj merru me të dhe edukoje. Mos e tepro me qeshje, teprimi i saj e vdes zemrën. Mësoja atij urrejtjen ndaj muzikës, sepse fillimi i saj është prej shejtanit, përfundimi i saj është zemërimi i Allahut. Dëgjimi i muzikës hedh rrënjët e hipokrizisë në zemër, ashtu siç hedhin rrënjë barishtet nga uji. Le të fillojë me pjesën e tij të Kuranit dhe të forcohet në leximin e tij e, kur ta përfundojë, le ta marrë harkun e tij dhe le të dalë këmbëzbathur të gjuajë shtatë herë.”99

Mesleme ibn Abdulmelik e porositi edukatorin e fëmijës së tij duke i thënë: “Po ta dorëzoj një pjesë të shpirtit tim. Jam i kënaqur ti të jesh edukatori i fëmijës tim. Nëse di mirë ta drejtosh, do të të respektojë në vazhdimësi. Largoju edukimit të tij me mënyrat e ashpërsisë, mësoja fjalët e mira dhe largoje prej rrugëve të liga. Ji për të përgjegjës, i dhimbshëm, edukator dhe i butë, sepse butësia jote ndaj tij do ta përfitojë zemrën e tij dhe do t’i pranojë urdhrat e tu.”100

Bashkëpunimi në mes mësuesve

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mësuesi duhet ta këshillojë nxënësin dhe të përpiqet ta mësojë atë. Ndërsa mësuesit duhet të bashkëpunojnë në mes vete në bamirësi dhe devotshmëri, ashtu siç urdhëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me fjalët e tij: “Nuk ka për të besuar (me besim të plotë) ndonjëri prej jush përderisa nuk ia dëshiron të mirën vëllait të vet mysliman sikur ia dëshiron vetes”; pra nuk i takon asnjërit prej mësuesve pa të drejtë ta dëmtojë dhe ta lëndojë tjetrin me fjalë dhe me vepra.”101

Po ashtu tha: “Nuk u takon mësuesve t’i përçajnë njerëzit dhe të fusin në mes tyre armiqësi dhe urrejtje. Po ashtu nuk i takon asnjërit prej mësuesve të marrë besatimin prej dikujt tjetër se ky i fundit do të pajtohet me të për çdo gjë që ai e dëshiron, do ta miqësojë çdonjërin që ai e miqëson dhe do ta armiqësojë çdonjërin që ai e armiqëson. Përkundrazi ata duhet të përkujdesen për të drejtat e mësuesve ashtu siç ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të. Nëse mësuesi është i dëmtuar, ndihmohet, a, nëse ka bërë padrejtësi, nuk përkrahet në padrejtësinë e tij, por ndalohet prej saj.”102

Ambienti edukativ i shëndoshë ka rëndësi të madhe

E mirë nga aspekti edukativ është që fëmija të largohet nga kontakti me të afërmit prej të cilëve frikohemi se po ia dëmtojnë fenë apo moralin e tij. Kjo mund të arrihet nëpërmjet pakësimit të vizitave të tyre, duke u përpjekur ndërkohë t’i thërrasë në fenë e Allahut. Kjo është prej respektit më të mirë të tyre si dhe e përgatit ambientin edukativ të përshtatshëm për rritjen e fëmijëve në të ardhmen, me lejen e Allahut. Në të njëjtën kohë, përmirësimi i të afërmve na bënë që mos ta fshehim fëmijën prej tyre, apo mos ta vendosim nën llupën e mbikëqyrjes në rast të vizitës së tyre.

Jepja çështjen atij që e zotëron

Zgjerimi i ambientit edukativ dhe llojllojshmëria e aktiviteteve të tij janë kërkesë e rëndësishme për t’i përfshirë ngjyrat e dallueshmërisë te grupet që synohen, megjithatë ky zgjerim dhe llojllojshmëri i ka pasojat e veta administrative. Prej gabimit flagrant është hedhja poshtë e përpjekjeve të edukatorëve duke u marrë me detaje administrative, prandaj më e përshtatshme është që ato detaje t’i marrin përsipër njerëz kompetentë të specializuar të cilët do t’i bartin vështirësitë e saj dhe në këtë mënyrë do ta ndihmojnë edukatorin ta realizojë procesin edukativ.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *