1. Mbushja e mendjes së gabimtarit të largohet nga gabimi:

Marrja e hapit për të diskutuar me gabimtarin me qëllim të bindet dhe të largohet nga gabimi, çon deri në largimin e mjegullnajave që ia mjegullojnë mendjen dhe perceptimin, e kështu kthehet në të vërtetën dhe në rrugën e drejtë.

Një nga shembujt që kanë ardhur në sunetin profetik është hadithi që e përcjell Ebu Umame h, i cili tregon se erdhi një i ri te Pejgamberi ﷺ, dhe i tha: “ ‘O i Dërguar i Allahut! Më jep leje të bëj imoralitet!’ Disa iu vërsulën duke e kritikuar, por Pejgamberi ﷺ, kërkoi prej tij të afrohej dhe pasi u afrua, i tha: ‘A dëshiron që kjo t’i ndodhë nënës sate?’

Ai i tha: ‘Jo pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, qofsha i flijuar për ty.’

Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Po edhe të tjerët nuk e duan këtë për nënat e tyre.’

Pastaj i tha: ‘A dëshiron që kjo t’i ndodhë bijës sate?’

Ai i tha: ‘Jo pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, qofsha i flijuar për ty.’

Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Po edhe të tjerët nuk e duan këtë për bijat e tyre.’

Pastaj i tha: ‘A dëshiron që kjo t’i ndodhë motrës sate?’

Ai i tha: ‘Jo pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, qofsha i flijuar për ty.’

Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Po edhe të tjerët nuk e duan këtë për motrat e tyre.’

Pastaj i tha: ‘A dëshiron që kjo t’i ndodhë hallës sate?’

Ai i tha: ‘Jo pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, qofsha i flijuar për ty.’

Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Po edhe të tjerët nuk e duan këtë për hallat e tyre.’

Pastaj i tha: ‘A dëshiron që kjo t’i ndodhë tezës sate?’

Ai i tha: ‘Jo pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, qofsha i flijuar për ty.’

Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Po edhe të tjerët nuk e duan këtë për tezet e tyre.’

Pastaj e vendosi dorën mbi të dhe tha: ‘O Allah, falja mëkatin, pastroja zemrën dhe ruaja organin (të mos bjerë në imoralitet).’

Pas kësaj djaloshi nuk kishte më interes për atë që e kërkoi (t’i jepej leja).”[1]

  1. Gabimtarit duhet t’i sqarohet se justifikimi i tij i rrejshëm është i papranuar:

Mundohen disa gabimtar të justifikohen për gabimet e bëra me arsyetime të ndryshme, mirëpo jo të vërteta. Ka raste kur zbulohet çështja e tyre papritmas në fillim nga pakujdesia e tyre, madje disa gjatë shqiptimit të arsyetimit fillojnë të belbëzojnë, e veçmas kjo shfaqet dukshëm tek ata që nuk janë të mësuar të gënjejnë, shkaku i pastërtisë së tyre në brendësi të shpirtit. E si duhet edukatori ta trajtojë një gabimtar me cilësi të tilla nëse ballafaqohet me të? Tregimi në vazhdim -nëse hadithi është i saktë- e qartëson për mrekulli dhe me precizitet qëndrimin e Pejgamberit ﷺ, me njërin nga sahabët, si dhe përgjatë leximit të tregimit shihet dukshëm përcjellja e vazhdueshme e edukatorit që ia bën gabimtarit deri në largimin e tij nga gabimi:

Havat ibn Xhubejr h, tregon: “Gjatë udhëtimit u ndalëm me Pejgamberin ﷺ, në fshatin e quajtur Mere Dhahran (afër Mekes). Dola nga tenda ime dhe pashë disa gra që po bisedonin në mes veti. Kjo gjë më pëlqeu, saqë shkova e mora çantën me rroba dhe i nxora rrobat më të mira. I vesha dhe shkova u ula me gratë. Ndërkohë kishte dalë Pejgamberi ﷺ, dhe kur më pa, në shenjë kundërshtimi më tha: ‘Ebu Abdullah (epiteti i Havat ibn Xhubejrit)?!’ Kur e pashë Pejgamberin ﷺ, u frikova, menjëherë fillova të arsyetohem, ndërsa fjalët nga frika më dilnin duke belbëzuar. Thash: ‘O i Dërguar i Allahut! Deveja më iku, jam në kërkimin e saj.’ Pejgamberi ﷺ, u nis dhe unë i shkova pas. Ma hodhi petkun e tij ta mbajë dhe shkoi u fsheh pas drunjëve. Shpina e tij ishte bardhë, dallohej bardhësia e saj në gjelbërimin e drunjëve. E kreu nevojën e tij, pastaj morri abdes dhe u kthye. Uji i pikonte nga mjekra e tij i binte në gjoks. Më tha: ‘O Ebu Abdullah! Çfarë bëri deveja që iku?!’ Pastaj u larguam nga fshati dhe u nisëm drejt destinacionit tonë. Çdoherë që më arrinte rrugës më thoshte: ‘Es-Selamu alejke, Ebu Abdullah! Çfarë bëri deveja që iku?’ Kur e pashë si qëndron situata, përshpejtova për në Medine, fillova të mos shkojë në xhami e të mos merrja pjesë në ndejat me Pejgamberin ﷺ. Kaloi një kohë, fillova të përmallohem për t’u vetmuar një çast në xhami. Një ditë dola për në xhami dhe hyra të falem. Pejgamberi ﷺ, doli nga shtëpia dhe erdhi në xhami. I fali dy rekate të lehta, ndërsa unë e zgjatja namazin me shpresë që ai të largohet. Duke qenë unë në namaz më tha: ‘Zgjate namazin sa të duash, o Ebu Abdullah! Nuk do të largohem prej këtu derisa ta përfundosh!’ Në vete thash: ‘Pasha Allahun, do t’i kërkoj falje Pejgamberit ﷺ, dhe do t’ia qetësoj gjoksin.’ Pasi përfundova me namazin më tha: ‘Es-Selamu alejke Ebu Abdullah! Çfarë bëri deveja që iku?’ I thash: ‘Pasha Allahun, i Cili të dërgoi me të vërtetën, prej kur e kam pranuar islamin ajo deve nuk ka ikur!’ Më tha tri herë: ‘Allahu të mëshiroftë!’ Pas kësaj nuk ma përmendi më rastin.”[2]

Ky është një mësim i mrekullueshëm në edukatë dhe taktikë e urtë që çon deri në rezultat të kërkuar. Nga ngjarja, po ashtu, mund të nxirren dobitë që vijojnë:

– Edukatori është personalitet me peshë dhe kur ai kalon pranë atij që ka bërë ndonjë gabim, e bën atë të ndjejë marre për gabimin e bërë.

– Shikimet dhe pyetjet e edukatorit, qofshin edhe të shkurtra, kanë domethënie të mëdha dhe me ndikim në brendësi.

– Mosdiskutimi i justifikimit të rrejshëm në momentin e dëgjimit të tij, duke u parë qartësisht sajimi në të, dhe shmangia prej atij që justifikohet ashtu, mjafton për gabimtarin ta ndjejë që justifikimi i tij nuk është i pranuar, gjë që e çon të pendohet dhe të kërkoj falje. Për këtë dëshmon fjala e transmetuesit të hadithit: “Pejgamberi ﷺ, u nis dhe unë i shkova pas.”

– Edukator i mirë është ai i cili e bën gabimtarin të turpërohet prej tij, saqë gabimtari nga turpi i ik takimeve me të, mirëpo njëkohësisht ai ka nevojë të madhe për takimin dhe ndejën me të. E në këtë dyluftim me veten, kur edukatori është i mirë, te gabimtari ngadhënjen opsioni i dytë para të parit.

– Në rast se gabimtari e ndryshon sjelljen, kjo duhet të manifestohet me një lloj pranimi që duket haptazi dhe pendim nga gabimi i bërë më herët.

  1. Duhet pasur parasysh gjërat që janë të ngulitura në natyrshmërinë e njeriut:

Prej atyre gjërave të ngulitura në shpirt që duhet pasur parasysh është edhe xhelozia e grave, e në veçanti në mes të grave, kur burri është i martuar për një kohë me më shumë se një grua. Nganjëherë ndonjëra prej tyre mund të gabojë aq rëndë, saqë po ta bënte dikush tjetër gabimin e tillë në gjendje normale, trajtimi i tij do të ishte krejtësisht ndryshe. Pejgamberi ﷺ, ishte i kujdesshëm në çështjen e xhelozisë në mes grave të tij, e veçanërisht i kujdesshëm me gabimet e tyre që vinin si rezultat i xhelozisë. Ato i trajtonte dhe i tejkalonte me durim, urtësi dhe drejtësi.

Prej shembujve e përmendin hadithin që e përcjell Enes ibn Malik h, i cili tregon: “Pejgamberi ﷺ, duke qenë te njëra prej grave të veta, gruaja tjetër i dërgoi një pjatë me ushqim. Nga xhelozia, gruaja që tek ajo ishte Pejgamberi ﷺ, i ra në dorë shërbëtorit që e mbante enën në dorë dhe ena ra përtokë u thye u bë copë-copë. Pejgamberi ﷺ, u ngrit i mblodhi copat e enës, pastaj e mblodhi ushqimin që ishte në enë dhe tha: ‘Xhelozoi nëna juaj!”’ Pastaj i tha shërbëtorit të presë, derisa ja solli një enë tjetër të pathyer prej te shtëpia e gruas ku ishte, dhe ja dërgoi gruas tjetër e cila ia dërgoi ushqimin, ndërsa enën e thyer e mbajti në shtëpinë e asaj që e theu.”[3]

Sipas një versioni tjetër, Ummu Seleme i, tregon se ia dërgoi një enë me ushqim Pejgamberit ﷺ, dhe shokëve të tij. Erdhi Aisha i, e mbështjellur me një rrobë, në dorë kishte një gurë me të cilin e theu enën. Pejgamberi ﷺ, u ngrit i mblodhi copat e enës dhe tha: “Hani nga ushqimi! Nëna juaj xhelozoi!”; duke e përsëritur fjalinë dy herë, e pastaj e morri një enë prej te Aisha dhe ia dërgoi Ummu Selemes, ndërsa enën e thyer që e dërgoi Ummu Seleme ia la Aishes.[4]

Sipas një versioni tjetër të hadithit Enesi h,  tregon: “Njëra prej grave të Pejgamberit ﷺ, i dërgoi një enë me therid (llojë gjelle me bukë të thërrmuar, mish dhe lëng mishi) duke qenë ai te gruaja tjetër, e ajo nga xhelozia e goditi enën dhe e theu atë. Pejgamberi ﷺ, filloi ta mbledhë ushqimin e ta kthejë në enë, dhe thoshte: “Hani nga ushqimi! Nëna juaj xhelozoi!”; pastaj priti pak derisa ia sollën një enë tjetër të pathyer (nga shtëpia e asaj që e theu) e mori enën dhe ia dërgoi pronares që iu thye ena.”[5]

Xhelozia te gruaja është e mbjellur në shpirt dhe pjesë e natyrshmërisë së saj, gjë që e çon të vepron gjëra të rënda, madje ndërhyn në mes të saj dhe e privon të perceptoj përfundimin e hidhur të shumë çështjeve, madje thuhet: “Kur gruaja xhelozon, nuk mund ta shoh fundit e luginës edhe pse ajo është mbi luginë.”


[1] Ahmedi (22211), shejh Albani e saktësoi (370).

[2] Taberaniu në el-Kebir (4146) me zinxhir të shkëputur.

[3] Buhariu (5225).

[4] Ushretu en-Nisa min Sunen en-Nesaij, el-Muxhteba (7/70), shejh Albani e saktësoi në Sahih en-Nesaij.

[5] Darimiu (2640).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *