Kur shprehim mendimet tona në ligjërim, njëkohësisht japim edhe vlerësimin e thënies nga pikëpamja e realitetit të asaj për të cilën flitet. Të gjithë tipat e llojet strukturore e funksionale të fjalive, sipas raportit të thënies me realitetin dhe formën përkatëse të shprehjes së tij, mund të jenë pohore ose mohore (pohuese ose mohuese). Çdo kumtim mund të pohojë ose të mohojë diçka, të shprehë qenien a mosqenien e diçkaje, duke marrë ky pohim ose mohim shpesh ngjyrime të ndryshme.

Fjalia është pohore, kur shpreh qenien, praninë, vërtetësinë e diçkaje, të një lidhjeje, dhe mohore, kur tregon mosqenien, mungesën. pavërtetësinë e saj. Këto fjali dallohen njëra prej tjetrës jo vetëm nga natyra e përmbajtjes, por zakonisht edhe nga shprehja, nga forma. Fjalitë mohore kanë përgjithësisht fjalë e shprehje (pjesëza etj.) me të cilat shfaqet mohimi, ndërsa fjalitë pohore dalin vetëm për një pjesë të pajisura me mjete gramatikore shprehëse të karakterit pohor të tyre (kryesisht në dialog, në përgjigjet dhënë ndonjë fjalie pyetëse), të shumtën e herës ato u kundërvihen fjalive mohore nga mungesa e mjeteve dalluese: Nuk e di, po i Edit s’është. Po mos u mërzit e mos fli, moj nënë. se nuk do të vonohemi. As drekë nuk ke ngrënë? Pse nuk erdhe dje? Mos e harro fjalën që të thashë. Ai donte të vështronte jo me sytë e rreptë të moshës, po me sytë e ëmbël të nipit. Jo, Jo-thirri Arseni. S ’e ke lexuar ti këtë letër? E mbante mend mirë. Ku po shkon?- Ngreu, Tili, bir i nënës.- Të iki? Po, po. Të ikësh.

Në kushte e raste të caktuara fjalia mund të jetë pohore nga forma, të mos ketë pjesëza a fjalë mohuese, por nga pëmtbajtja, nga kuptimi, të jetë mohore; dhe anasjelltazi të ketë fjalë mohuese dhe të jetë nga kuptimi, pohore. Mund të kundërvihen në një njësi pohimi e mohimi.

Dy tipat kryesorë mund të dalin në formë të zbutur, të kufizuar, ose të theksuar, në variante e ngiyrime të ndryshme. të shprehura zakonisht me pjesëza, ndajfolje, përemra, e mbiemra përemërorë mohorë, duke ekzistuar dhe një fushë e ndërmjetme, pa një vijë ndarjeje të prerë midis dy formave themelore të thënies.

Sikur fryn më shumë sonte. More Sami, sikur s’jemi mirë këtu. Unë po shkoj të shoh lumin, mbase ka rënë ujët. Mos vallë nuk e mendoi ? Ndoshta ai s’vjen.

Do të vijë pa tjetër nesër. Ne kemi plotësisht të drejtë. Sigurisht ju nuk e dini këtë. S’e kam parë kurrë këtë njeri. As nuk e pa. Nuk sqarova asgjë. Unë e kapërcej natën e jo ditën. Ja nisi punës, jo gjetiu, por tamam te vendi ku na baska qenë dikur mulliri.

Pohimi e sidomos mohimi mund të gjejnë shprehje ndonjëherë edhe me mënyra e mjetet të tiera leksikore a fonetike. Herë-herë karakteri i thënies mund të përcaktohet edhe nga situata e konteksti: -Pusho! (=Mos fol më). Të bukur punë paske bërë! (shqiptuar me një ton ironik = Nuk paske bërë punë të mirë. Paske bërë punë jo të mirë).

 

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S