Përcaktori me drejtim shprehet me emër në rasën gjinore, në rjedhore e në kallëzore pa parafjalë dhe në rasën emërore, në kallëzore e në rrjedhore me parafjalë.

Si përcaktorë me drejtim mund të funksionojnë edhe disa përemra: Po për çudi të atyre, për herë të parë Çeço Labi u pezmatua shumë nga ato që dëgjoi. Tani ata udhëtonin gjatë bregut të lumit, uji i të cilit kaltëronte mes shelgjesh e rrepash. Ngadalë ngrihej pastaj zëri i fuqishem i të gjithëve, si dallga e stuhisë në det.

Përcaktori me drejtim mund të shprehet edhe me togfjalësh: Mos janë edhe ndjenjat e kësaj moshe si uji i pusit? Përcaktori i shprehur me emër në rasën gjinore është tipi më i rëndomtë i përcaktorëve me drejtim dhe më i larmishmi nga kuptimi. Emri në rasën gjinore funksionon vetëm si përcaktor, kur është në shumës ose në njëjës në trajtën e shquar: Dëgjohej vetëm kënga e zogjve të malit. Hija e malit kishte rënë mbi fshat si kadife e zezë.

Emri në rasën gjinore njëjës i pashquar funksionon si përcaktor vetëm në përbërjen e një togfjalëshi të formuar prej tij dhe një përemri a numërori: Ardhja e këtij kapedani, që nuk shkelte për mirë në këtë kohë e në këto anë, sikur na e prishi qejfin. Larg. ndihej sëpata e ndonjë druvari të vetmuar. Lart në mal endej melodia e një kënge të vetmuar. Kur bëri të ngrihej, ndjeu peshën e një dore të madhe mbi sup.

Përcaktori i shprehur me emër në rasën gjinore varet nga gjymtyrë të shprehura me emër, të shquar ose të pashquar, me togfjalësh, me përemër vetor ose dëftor, me përemrat e pacaktuar që tregojnë një frymor a send të pacaktuar, dhe me numëror me funksion emëror: Tufa e fazanëve u duk përsëri në anën tjetër të pyllit. Të gjitha formalitetet i kemi bërë në rregull, se jemi njerëz të luftës ne dhe këtë e dimë të gjithë. Kur mbeti vetëm, ajo filloi t’i rrihte e t’i shoshiste mirë këto fjalë të vëllait. Nga këto kryengritje ajo e Arianitit vajti mbarë, ajo e Depës, si mos më keq. I bëhej sikur kishte diçka të të birit në atë fytyrë. Beteja nisi më një të natës. Vendi nxinte, megjithëse ora ishte katër e pasdites.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S