Ky është tipi me i rëndomtë i përcaktorit kallëzuesor në shqipen e sotme letrare. E njohin të gjitha stilet e gjuhës, po ka përdorim më të gjërë në stilin e letërsisë artistike ku shpesh del i ngarkuar edhe me nuanca shprehëse emocionale. Përcaktori kallëzuesor hyn në lidhje të drejtpërdrejtë zakonisht me një formë foljore të shtjelluar, po mund të hyjë në lidhje edhe me një formë foljore të pashtjelluar: Me ushtrime të vazhdueshme, ai është bërë më i fuqishëm.
Folja është elementi i domosdoshëm i strukturës treshe, po në fjali të bashkërenditur këpujore ose kundërshtore me strukturë paralele folja kallëzues e fjalisë së dytë ose të tretë mund të mungojë, në qoftë se kuptimisht dhe gramatikisht është identike me foljen kallëzues të fjalisë së parë; bashkë me të mund të mungojë edhe trajta e shkurtër e përemrit: Zërin e kishte të akullt dhe mjekrrën të shtrënguar, Merushja tani nuk qeshte: sytë i kishte të skuqur, vetullat të shpupuritura dhe fytyrën të ndezur. Të rriturit e thërritnin “bijë ”, kurse të rinjtë “motër”. Më lart ngjitja u bë e vështirë, por ajri më i lehtë.
Kuptimi leksikor i fojes kallëzues ndikon, deri në një farë mase, edhe në formën e përcaktorit kallëzuesor. Kështu, pranë foljeve: emëroj, emërohem. gradoj, gradohem, propozoj, propozohem etj përcaktori kallëzuesor mund të shprehet vetëm me emër: pranë foljeve, çmoj, çmohem, akuzoj, akufohem, merrem etj. ai shprehet me emër ose mbiemër të shoqëruar me lidhëzën krahasuese si ose me pjesëzën për. Në këtë drejtim nuk paraqesin kufizime folje të tilla, si: bëj, bëhem, dukem, mbetem, kam me një strukturë kuptimore dhe me një përdorim shumë të gjerë në gjuhë.
Gjymtyra me të cilën përcaktori kallëzuesor lidhet tërthorazi mund të jetë kryefjalë ose kundrinë e drejtë, ndonjëherë e zhdrejtë. Në lidhje të drejtpërdrejtë me foljen përcaktori kallëzuesor shprehet:
- a) me një emër;
- b) me një përemër;
- c) me një mbiemër;
- ç)me një formë foljore të pashtjelluar, dhe
- d) me një togfjalësh.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe