Kundrina e zhdrejtë pa parafjalë shënon zakonisht pritësin, d.m.th. vetën së cilës i drejtohet veprimi, vetën së cilës i lihet a i jepet diçka, vetën së cilës i kumtohet, i njoftohet a i shkaktohet diçka: Këta libra do t’ia shpiem mësuesit për 7 Marsin. Atë ma pate rrëfyer edhe mua. Thuaja mendimin tënd shokut. I shkaktuam armikut shumë dëme. T’u krijojmë kondita pune vullnetarëve.

Kundrina e zhdrejtë pa parafjalë mund të shprehë objektin nga i cili, si rezultat i veprimit, diçka shqitet e largohet ose, përkundrazi, me të cilin afrohet e ngjitet. Folja në këtë rast është mesore ose jokalimtare: Panterës i largohen të gjitha kafshët e tjera. Nuk i ndaheshin armikut derisa e mposhtnin. Iu afrua fshatit.

Kundrina e zhdrejtë pa parafjalë pas disa foljesh te caktuara mund të shprehë vetën ose sendin të cilit i takon objekti i shënuar nga kryefjala. Marredheniet logjike jane të përkatësisë, kurse marrëdhëniet gramatikore jane objektore.

Kundrina e zhdrejtë në dhanore me trajta foljore joveprore mund të shprehë vetën që përjeton gjendjen fiziologjike, veprimin psikik të shprehur nga kallëzuesi; kjo kundrinë është quajtur nga disa subjekt logjik.

Trajta e shkurtër e përemrit vetor është e pranishme edhe kur situata konkrete e ligjërimit ose konteksti e bëjnë të panevojshme praninë e vetë kundrinës së zhdrejtë.

Prania e kundrinës së drejtë të shprehur me përemër vetor të vetës së parë e të dytë njëjës e shumës në rasën kallëzore shenjohet me anë të trajtës së shkurtër të këtyre përemrave: Ai thirri mua për ndihmë.

Edhe prania e kundrinës së drejtë të shprehur me emër, përemër a togfjalësh zakonisht shenjohet me anë të trajtës së shkurtër të përemrit vetor të vetës së tretë njëjës e shumës në rasën kallëzore. Trajta e shkurtër e përemrit vetor është e pranishme edhe kur situata konkrete e ligiërimit ose konteksti e bëjnë të panevojshme praninë e vetë kundrinës së drejtë.

Prania e kundrinës së drejtë mund të shenjohet edhe me mungesën e ditës së shkurtër të përemrit vetor të vetës së tretë. Ky mospërdorim është i kushtëzuar nga perspektiva funksionale e thënies; kemi mosprani të trajtës së shkurtër të përemrit vetor, sa herë që kundrina e drejtë bart theksin e frazës, ose edhe theksin logjik të thënies. Kundrina e drejtë që bart të renë, shprehet zakonisht me emër të pashquar, po ky mund të jetë edhe i shquar. Kundrina e drejt që bart të rënë, zakonisht është gjymtyra mbi të cilën bie theksi i frazës ose edhe ai logjik.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S