Rrethanori i vendit bashkë me gjymtyrën nga e cila varet, mund të shprehë marrëdhënie hapësinore dinamike ose statike në kontakt a në largësi, rrafshore e vëllimore. Marrëdhëniet hapësinore në kontakt a në largësi, rrafshore a vëllimore, meqë nuk shfaqen gjithmonë nga tregues të veçantë atikorë, do të jepen përbrenda ndarjes: rrethanor vendi statik, rrethanor vendi dinamik.
Rrethanori i vendit statik tregon vendin në kuptimin e zakonshëm të fjalës, vendin ku ndodh a kryhet një veprim a gjendet një send a një vetë. Rrethanon’ i vendit statik shprehet me:
- ndajfolje: Po me 7 prill ku ishte ti? Atje do të lëmë djersën tonë, për ndërtimin e veprës madhështore të pesëvjeçarit.
- emër të prirë nga parafjalët në, mbi, pranë, matanë, përtej, afër, poshtë etj. Këmbët e drunjta ishin poshtë krevatit. K ryetari i bashkisë dhe postkomandanti ishin mbyllur në shtëpi. E mbante ende pranë vatrës. Ky fshat ndodhej matanë maleve. Përtej kopshtit ngrihej shtëpia.
- togfjalësh: Në malin e Dajtit ka shumë vende të bukura.
Rrethanori i vendit dinamik tregon drejtim të përgjithshëm të lëvizjes, pikënisjes, pikëpërfundimin e saj, shtrirjen në hapësirë, ndonjëherë që nga pikënisja deri në pikëpërfundim.
Rrethanori i vendit që tregon drejtim të përgjithshëm të lëvizjes varet nga gjymtyrë të shprehura me folje që tregojnë lëvizje e drejtim në përgjithësi, si : drejtohem, nisem, kthehem, shkoj, vij, ta mbaj, rend, vrapoj, shpejtoj, futem etj. Ai shprehet me:
- ndajfolje: A e pyete kur do të vijë makina këtej? U turrën të dy të futeshin brenda. Për atje isha nisur. Ku po shkoni, zotërinj ?
- emër të prirë nga parafjalët nga, për, drejt etj. Vraponte për në shtëpi. Autokolona, si zvarranik i fuqishem i hekurt, rreshqiste drejt veriut. Tufa e ndërkryer e bujqve u drejtua nga sarajet e beut.
- togfjalësh: Forcat u nisën për në atë sektor ku u caktuan, dhe do të kthehen nga ai vend me të gjitha detyrat të plotësuara.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe