Rrethanori i kohës tregon karakteristikë kohore të veprimit, të gjendjes e të tiparit. Rrethanori i kohës varet nga gjymtyrë të shprehura me folje ose me mbiemër zakonisht prejfoljor: Në pranverë fusha e gjerë ishte veshur me ngjyra e me blerim të freskët. Ndeshja filloi në orën e caktuar. Puna e filluar herët jep rezultate më të qëndrueshme.
Rrethanori i kohës shprehet me:
- ndajfolje dhe lokucion ndajfoljor kohe: Armiku nuk na ka parë kurrë të gjunjëzuar. Nesër grupi mund të na japë të dhëna më të sakta. Ishte kohë lufte dhe njerëzit flinin herët. Ditë për ditë majat e maleve që nga Kruja gjer në Qafë Kërrabë mbuloheshin nga një mjegull e dendur;
- emër me ose pa parafjalë: Filluan të bisedonin nga do t’ia nisnin punës të nesërmen. Udhëtuan natën. Nga java do të jem me pushime. Do të ngrihemi me natë. Para çlirimit i vetmi mjet për punimin e tokës ishte parmenda e drurit;
- togfjalësh: Kalibja e braktisur e çobanëve çdo mëngjes kthehej në një shkollë të vogël. Në demonstratën e parë të 28 nëntorit ajo ishte në mes të demonstruesve. Që prej atij çasti nuk folën më për çështje sekrete.
- forma të pashtjelluara të foljes: Me të ardhur, Petriti zuri të shkruajë.
Rrethanori i kohës karakterizon veprimin e tiparin e shprehur fjala prej së cilës varet, pa ose me cak kohor. Rrethanori i kohës mund ta karakterizojë veprimin e tiparin pa cak kohor; ky rrethanor shprehet me:
- ndajfolje e lokucion ndajfoljor kohe: Kështu të punoni djema gjithnjë. Ekipi mblidhej natë për natë dhe detyrat e ditës së nesërme;
- emër me ose pa parafjalë: Të nesërmen, kur u takuam në mëngjes në Institut, i shtrënguam dorën njëri tjetrit. Mbrëmjeve gjatë shtatorit bie vesë.
- togfjalësh: Pas pak ditësh spitali do të tërhiqej nga ai fshat
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe