Rrethanori i kohës që karakterizon një veprim ose tipar me cak kohor, mund të tregojë: pikëfillimi kohor, pikëmbarimi kohore.
Rrethanori i kohës që tregon pikëfillimin kohor, prihet zakonisht nga pjesëza që dhe shprehet me:
- ndajfolje kohe: Ne që sot shohim qartë të ardhmen tonë. Që atëherë troktharakët, s ‘panë një ditë të bardhë. Që nesër do të fillojmë punën për përgatitjen e mbjelljeve;
- emër me parafjalë: Unë kam qënë këtu që në fillim dhe kam dëgjuar gjithë bisedën tuaj,
- togfjalësh: Që atë ditë ai s ’ka ardhur më. Që në atë kohë thuhej se liria i ka rrënjët në gjak.
Rrethanori i kohës që tregon pikëpërfundimin kohor prihet zakonisht nga pjesëza deri/gjer dhe shprehet me:
- ndajfolje kohe: Sa e sa gjëra paskësh pasur ky dhe s’ia kësh zënë syri gjer atëherë!
- emër me parafjalë: Deri nga prilli do t’ia kemi dalë mbanë kësaj pune. Agimi studionte gjer pas mesnate.
- togfjalësh: Ishte ushtria më e fortë dhe më e tmerrshme që ish parë gjer në atë kohë. Deri në këtë çast nuk kemi asnjë njoftim nga grupi i gjeologëve.
Rrethanori i kohës mund të tregojë shtrirjen në kohë që nga pikëfillimi deri në pikëpërfundim: Ai punonte nga mëngjesi në mbrëmje.
Rrethanori i kohës që karakterizon veprimin me cak të përafërt kohor, ndërtohet me: një emër të prirë nga parafjalët nga, rreth, në, më, të shoqëruara ose jo nga pjesëzat aty, andej:
Aty nga mbrëmja krisi porta dhe ilegalet një nga një dhe me ndërprerje hynë brenda. Do të lidheshin në telefon me shokët e galerisë aty rreth orës dymbëdhjetë. Nga java mund të vij edhe unë në shtëpi me lejë. Rreth drekës kishte rënë një shi fortë dhe të rinjtë ishin vërsulur nga lumi për të shpëtuar bagëtinë. Andej në të afruar të drekës u takuan të dy kompanitë tona.
Marrëdhëniet hapësinore gërshetohen me marrëdhëniet kohore, kur rrethanori shprehet me emër, si: rrugë, udhë, shteg, monopat, pyll, fushë etj., në rasën rrjedhore të shoqëruar ose jo nga fjalët gjithë, tërë, dhe kur folja nga e cila varet, nuk tregon lëvizje: Rrugës më tregoi se kush që Dule kaçaku. Këto këmborë tingëllinin tërë udhës.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe