Ky rrethanor tregon shkakun e përftimit të veprimit a të tiparit ose motivimin e veprimit e të gjendjes: S’më zinte gjumi nga shqetësimi. Këto ia kishin thënë nga inati.

Rrethanori i shkakut varet nga gjymtyrë të shprehura me folje ose me mbiemër kryesisht foljor: Sytë u shkëlqenin nga lumturia. Komandanti, i kënaqur nga stërvitja, i përgëzoi ushtarët.

Rrethanori i shkakut shprehet me:

  • ndajfolje: Ç’pate, pse, u skuqe?
  • emër në rasën emërore me parafjalën nga; në rasën kallëzore zakonisht të pashquar, me parafjalën për ose me, sidomos pas foljesh që tregojnë proçese psikike e në radhë të parë ndjesi; në rasën rrjedhore me parafjalën prej ose pa parafjalë; me emër të prirë nga lokucionet parafjalore nga shkaku (i), për shkak (të), për arsye (të), nga puna (e), për punë (të), për hir (të) etj.
    Të gjitheve u digjnin sytë prej tymit, po asnjeri nuk largohej nga vendi i punës. I tregonin këpucët njëri-tjetrit dhe këputeshin së qeshuri. Ish miqësuar me Ajetin për shkak të ndihmës së madhe që i jepte ky shoqërisë.
  • togfjalësh: Punonjësit të grumbullimit i erdhi shumë keq nga ai qëndrim i mikut të tij. Ndoshta për këtë arsye ka këputur marrëdhëniet edhe me shtëpinë tonë,
  • përcjellore: Këta ishin ushtarë të gjallë, që, gabimisht, i kishin hedhur mbi qerre duke i kujtuar të vdekur.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S