Rrethanori i sasisë tregon karakteristikë sasiore, masën e veprimit, të gjendjes, të kohës, të hapësirës, shkallën e një cilësie a mënyre veprimi: Sa më fort të mendosh, aq më shumë duhet të veprosh. Rrethanori i sasisë varet nga gjymtyrë të shprehura kryesisht me folje, po ngandonjëherë edhe me mbiemër foljor ose mbiemër që tregon përmasa, si i gjerë, i ngushtë, i lartë, i thellë, i largët, i afërt etj., me ndajfolje, me emër që tregon masë, vëllim, peshë, çmim.
Rrethanori i sasisë shprehet me:
- ndajfolje e lokucionë ndajfoljore sasie: Ai punon shumë. Të matim shtatë herë, të presim një herë;
- togfjalësh të formuar nga një emër me ose pa parafjalë që tregon njësi matjeje, si: metër, kilogram, liter, orë, vjet, lek etj.. dhe nga një numëror themelor ose përemër i pacaktuar: Unë kam dyzet e ca vjet që punoj drurin. Për disa çaste u vendos një qetësi sa nuk dëgjoheshin as frymëmarjet e tyre. Pastaj edhe tregtarët këtu fitonin giashtë-shtatë franga për kuintal;
- togfjalësha të tjerë sidomos të karakterit frazeologjik: Ai bisedoi me të më shumë se gjysmë ore. Dini u ngrit gjatë këtyre dy-tri orëve lart nga dhjetë herë. Po brigjet ishin një të zgjatur dore afër.
Rrethanori i sasisë mund të shprehë sasi kohe ose hapësire të përcaktuar mirë, përafërsisht ose në mënyrë tepër të përgjithshme: Ndenja kaçak tre vjet. (-Që kur këtu?) Ka nja 3 muaj. Sirena e lokomotivës kishte gjëmuar disa herë.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe