Fjalia është sajuar prej fjalësh të bashkuara nga pikëpamja gramatikore dhe kuptimore në togje të ndryshme. Në fjalinë: “Nga dashuria e madhe për atdheun buronin ato fjalë zemre të mergimtareve” mund të dallonim togëzime të ndryshme fjalësh nga përbërja dhe nga plotësia kuptimore. Kështu, togu nga dashuria përmban një fjalë kuptimplotë, emri “dashuri” dhe parafjalën “nga”. Duket sheshit se togut ‘nga dashuria’ i mungon diçka si nga ana kuptimore, si nga ana gramatikore; po kështu mund të themi për togun ‘të mergimtareve’. ku ‘të’, së bashku me mbaresën e emrit, është tregues i trajtës së gjinores pranë një emri në trajtë të caktuar, ndërkaq te ‘e madhe e’ është pjesë përbërëse e mbiemrit. Këto togje nuk janë togfjalësha. Nga fjalia e mësipërme mund të nxjerrim togjet : nga dashuria e madhe, dashuria për atdheun, buronin fjalë, ato fjalë, fjalë zemre, fjalë të mërgimtarëve.
Këta janë togfjalësha që sajohen gjatë ndërtimit të fjalisë, në ligjërim, në sajë të aftësisë që kanë fjalët kuptimplota për t’u bashkuar (në sajë të togëzueshmërisë së pjesëve kuptimplota të ligjëratës). Ata quhen edhe togfjalësha të lirë ose togfjalësha të lirë sintaksorë për t’i dalluar nga togfjalëshat e qëndrueshëm, nga togjet e fjalëve me drejtim leksikor, nga togjet e leksikalizuara ose frazeologjizmat, me të cilat merret frazeologjia: këta dallohen nga togje e togfjaléshat me karakter gramatikor, me të cilat merret sintaksa.
Togfjalëshi është njësia sintaksore strukturore e përftuar gjatë ligjërimit nga bashkimi gramatikor dhe kuptimor i dy ose më shumë fjalëve kuptimplota të bashkuara me lidhjen e nënrenditjes, që tregon marrëdhënie midis sendeve, dukurive, proçeseve e tipareve.Fjalët që mund të bashkohen dhe që formojnë togfjalësha, janë emrat, mbiemrat, përemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet. Fjalët shërbyese, parafjalët, lidhëzat, janë krahas formave të fjalëve, mjete për bashkimin e fjalëve kuptimplota në togfjalësha.
Nuk ka mendim të njëjtë për shtrirjen dhe raportet e vendosura në togfjalëshat sintaksorë. Nga shumica e studiuesve pranohen vetëm togjet me raporte nënrenditëse, duke përjashtuar bashkimet me raporte bashkërenditëse, shpesh edhe bashkimet kallëzuesore (kryefjaIë-kallëzues) të karakterizuara me raporte të veçanta ndërvarësie të ndërsjellë. Ka studiues që bashkimet kallëzuesore nuk i veçojnë nga togfjalëshat, po këta, sipas raporteve që shprehen i ndajnë në togfjalësha predikativë (kallëzuesorë) dhe në togfjalësha joprediktativë.
Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe 2”