Dinamika e këtij viti duket të jetë tejet e shpejtë dhe bota është duke u përballur me ngjarje të shumta, që dallojnë nga vitet paraprake.

Situata dhe zhvillime të ndryshme, kriza dhe sëmundje me përmasa globale, situata emergjente dhe mjegulli në përceptimin e ngjarjeve. Përderisa jemi të prirur rreth teorive konspirative, gjë e cila vie edhe nga ndikimi i madh mediatik dhe leximi ynë i vogël, është e udhës që të jetohet realiteti dhe të veprohet në bazë të tij. Në të njejtë kohë na takon që të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe neglizhenca e tyre, e cila solli edhe tërë këtë situatë. Për aq sa u neglizhua virusi Korona, edhe u përqesh, që nga burimi i tij në Kinë, e deri tek vendi tanimë lider i të të infektuarve, Amerika.

Duke e parë se Kina është një ndër ekonomitë më të mëdha në botë, dhe është vend furnizimi për shumë vende, pavarësisht masave të ndërmarra me vonesë nga ky vend, virusi arriti të përhapej shumë shpejt dhe me datë 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli si pandemi. Kjo pasi deri në këtë moment virusi ka prekur 200 vende, gjashtë kontinente, dhe afër gjysmë milioni janë konfirmuar si të prekur, ndërsa të vdekur deri tani janë 21,031 persona. Jo pse kjo sëmundje është më vdekjeprurësja dhe që prekë më së shumti persona, mirëpo gjendjen e saj të rëndë e sjellë pamundësia e shteteve që të merren me fluksin e të prekurve, të cilët patjetër duhet të ndalen nëpër spitale për trajtim të veçantë, dhe pacientët dhe shoqëria duhen të izolohen në mënyrë që të parandalohet përhapja e tij.

Bota përballet me viruse dhe sëmundje edhe më vdekjeprurëse, mirëpo ato trajtohen në nivel jo panike dhe me më pak flukse nëpër spitale.

Virusi Influenca A (H1N1 dhe H3N2), është nga viruset sezonale me miliona të prekur dhe me mijëra të vdekur. Gjatë sezonit 2018-2019 virusi Influenca në Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditi 35,5 milion njerëz, ku 16,5 milion vizituan spitalet dhe qendrat e kontrollit mjekësor, 490,600 u shtrinë në spitale për mjekim, ndërsa vdiqën 34,200 persona. Dhe një situatë e tillë nuk na goditi me panik nëpër media, e shumica prej nesh nuk ishim fare të informuar! Mirëpo virusi Influenca nuk ka shtrirje sikurse virusi Korona, për ta shpallur si pandemi. Gripe të ngjashme sezonale paraqiten në secilin vend, me simptoma të ndryshme dhe me shumë të prekur, por edhe me persona që vdesin nga po ato gripe.

Pasi nuk kishte vullnet global për reagim të shpejtë ndaj virusit Korona, ai u përhap në shumicën e globit me një shpejtësi të madhe, dhe në të njejtën kohë me veti barti edhe panikën dhe krizën ekonomike, e cila do dërgoj në krizë sociale dhe në konflikte të mundshme. Dhe kjo pandemi gjithashtu u shndërrua në një garë fajësimi mes Amerikës dhe Kinës, se kush ishte burimi i virusit, madje këmbëngulet edhe në emërtimin e tij, ku presidenti amerikan vazhdimisht e quan atë si “Virusi kinez”, që edhe në takimin e fundit virtual të G7, përfaqësuesit amerikan këmbëngulën që virusi të njihej si “Virusi i Vuhanit”, gjë e cila sjelli mosmarrëveshje.

Mosseriozitet, papërgjegjësi dhe fajësim mes vendeve, por edhe pacient në nivel të lartë institucional, ku nga të fundit që doli pozitiv me këtë virus është edhe kryeministri britanik, virusi Korona po sjellë mjegulli dhe tollovi globale. Ngjashëm ky virus u bë shkak edhe i izolimit dhe bllokimit të kufijve, dhe nga ai ra Shengeni dhe lëvizja e lirë e qytetarëve mes shteteve dhe kontinenteve.

Meqenëse realiteti i tillë na rrethon dhe në fazën e parë nuk ishim të aftë t’i paraprinim ngjarjeve, duke e parë se virusi vinte nga Kina dhe prekte gati secilin shtet, ne duhet të japim shembull në situatën aktuale, në sjelljen tonë në situatat emergjente dhe në marrjen e masave parandaluese, por edhe duhet të jemi të aftë që ta lexojmë rrjedhojën e ngjarjeve globale, duke mos qenë të fundit që e kuptojmë se nga na çon virusi dhe cilat do jenë pasojat e tij. Pasi si musliman në Ballkan nuk kemi organizim shoqëror, dhe nuk i morrëm për bazë krizat që sjelli virusi Korona në vendet më shumë të prekura, duke mos i evituar problemet me furnizime bazë (nga ato ushqimore e deri tek ato higjienike), ne vërtet mund të sillemi si shoqëri mirë e organizuar në marrjen seriozisht të situatës dhe në parandalimin e saj.

Sido që të jetë, virusi, dhe çfarëdo qofshin ato që zihen brenda tij, ne mos të bëhemi shkak i përhapjes së tij dhe shtimit të numrit të të prekurve, dhe mos të bëhemi argument për zgjatjen e kësaj situate të izolimit total. Përderisa quhej panik marrja e shkaqeve para disa muajsh, ndoshta edhe frikë dhe përqeshje, neve na goditi mu ajo që quhej panik dhe u krijuan situata jo të mira shkaku i neglizhencës dhe mosseriozitetit tonë. Tani jemi përballë kësaj situate dhe realiteti, andaj na duhet organizim momental dhe afatgjatë. Duhet të mbajmë përgjegjësi që nënat, gratë dhe motrat tona, mos të shtrihen nëpër spitale shkaku i këtij virusi, e po ashtu edhe mosha e shtyer nga prindërit dhe gjyshërit tanë. Dhe ngjashëm karantinat në vendet tona janë në një gjendje të mjerueshme, me mungesë pastërtie dhe rrezik për infeksione të reja.

Përgjegjësia duhet të jetë personale në mënyrë që të ruhet diçka që është kolektive, dhe mos të neglizhohet situata në të cilën jemi, pasi deshëm apo nuk deshëm, ka situatë emergjente globale, dhe shumë vende janë duke u përballur me katastrofa të mëdha. Andaj ne duhet të marrim mësim nga gabimet e tyre, por të jemi edhe vigjilent që situatë e tillë mos të zgjasë me muaj.

Në të njejtën kohë mos të jemi neglizhent ndaj krizave ekonomike që po vijnë, pasi priten të jenë më të rënda se recensioni i vitit 2008, dhe aftësia jonë për tu përballur me to është tejet e vogël. Le të ballafaqohemi në mënyrën më të mirë me këto situata emergjente, ashtu siç na mëson Islami, dhe le të jemi syhapur, pasi mundësi të reja i kemi përballë, dhe nuk duhen kaluar pa u shfrytëzuar.

Përpos sjelljes sonë me aktualitetin, ne duhet t’i mendojmë edhe pasojat që do vijnë pas këtij virusi.

Shumica e vendeve tani kanë mbyllur kufijtë e tyre tokësor dhe ajror, dhe korporatat e mëdha janë duke u përballur me krizë dhe shkurtim të stafit punonjës.

Në Amerikë brenda një jave më shumë se 3 milion persona mbetën pa punë, gjë që është rekord në ekonominë amerikane. Dhe kjo papunësi mund të rritet, dhe kjo krizë mund të dërgoj në një krizë tjetër sociale, pasi vetë sistemi amerikan lejon blerjen e armëve nga popullata amerikane. Tregu i armëve në Amerikë gjatë virusit Korona pati një rritje rekorde, ku qytetarët amerikan prisnin në radhë për të blerë armë, pasi frika e tyre është e madhe që me krizën ekonomike pasuria e tyre mund të rrezikohet dhe Amerika mund të përballet me krizë sociale dhe me konflikt të brendshëm.

Ngjashëm, kriza ekonomike globale e cila do thellohet pas virusit Korona, mund të dërgoj edhe në një konflikt global, dhe për situata të tilla ne duhet të jemi të përgatitur, qoftë krizë ekonomike apo edhe një konflikt të mundshëm global. Pas lehtësimit që mund të vie me kalimin e virusit Korona, ne nuk duhet të vetëkënaqemi dhe ta harrojmë atë që mund të vie pas, dhe ne nuk duhet të jemi në radhët e fundit të proceseve që do vijnë.

Shumë prej universiteteve në botë ofrojnë studime të veçanta rreth menaxhimit të situatave emergjente, ndërsa ne veçse kemi shembuj të tillë që nga koha e Muhamedit alejhi selam, dhe të atyre që pasuan në rrugën e tij. Secili në profilin dhe drejtimin e tij, duhet të japë kontribut në këtë situatë aktuale dhe në atë që do vie pas saj. Padyshim se lehtësimi do vie, por me të duhet të jetë edhe vetëdijësimi ynë dhe marrja e shkaqeve kur shohim teksa na vijnë situata të tilla emergjente.

Përgatiti:

Liridon SHALA

About Author

Admin_B