Ekonomia është shkencë shoqërore që studion mënyrën sesi shoqëria organizon burimet ekonomike relativisht të kufizuara, për të prodhuar mallra dhe kryer shërbime në funksion të maksimizimit të mirëqenies së njerëzve.
Në kushte të mungesës, rrallësisë apo pamjaftueshmërisë së burimeve ekonomike, del nevoja që ne të zgjedhim midis mundësive që kemi. Ekonomia na jep mënyrat, modelet, sesi të alokojmë (shpërndajmë) burimet prodhuese të pamjaftueshme apo të kufizuara që disponojmë. Është kjo arsyeja që ekonomiksi, si një degë shumë e rëndësishme e shkencës së ekonomisë, përcaktohet si shkencë e zgjedhjes, që ka në qendër rrallësinë, fatkeqësinë, apo mungesën dhe që tenton të zgjidhë problemin ekonomik themelor të shoqërisë njerëzore, atë midis nevojave e dëshirave materiale të pakufizuara dhe burimeve ekonomike të kufizuara të nevojshme për realizimin e tyre.
Shkencat ekonomike janë të ndara në shumë drejtime, ndër ta do të përmendim disa më të rëndësishme.
Ekonomiksi është shkencë shoqërore që studion prodhimin, shpërndarjen dhe konsumimin e mallrave dhe shërbimeve.
Mikroekonomia analizon elementet themelore në ekonomi, përfshire agjentët individual dhe tregjet, bashkëveprimet e tyre, dhe rezultatet e ndërveprimeve.
Makroekonomia analizon tërë ekonominë (domethënë prodhimin e grumbulluar, konsumin, kursimin dhe investimin) dhe çështjet që prekin atë, përfshirë papunësinë e burimeve (punës, kapitalit dhe tokës), inflacionin, rritjen ekonomike, dhe politikat publike(monetare dhe fiskale).
Marketingu definohet si funksion i kompanisë, respektivisht konsiderohet si funksion i menaxhimit dhe udhëheqjes, dhe si veprimtari e drejtuar e kompanisë, respektivisht aktivitete të cilat fillojnë me definimin e dëshirave dhe nevojave të konsumatorëve, kurse përfundojnë me lëvizjen e mallrave për konsumatorët
Menaxhimi financiar do të thotë planifikim, organizim, drejtim dhe kontroll i aktiviteteve financiare siç janë prokurimi dhe shfrytëzimi i fondeve të korporatës. Kjo do të thotë aplikimin e principeve gjeneralë të menaxhimit, kur është fjala për resurset financiare të korporatës.
Kontabiliteti është art i organizimit, mirëmbajtjes, regjistrimit, dhe analizimit të aktiviteteve financiare. Kontabiliteti në përgjithësi është i njohur si “gjuhë e biznesit”. Kontabilisti i përkthen informatat e tij të kontabilitetit në terma të kuptueshëm dhe të përdorshëm për palët e interesuara. Çdo organizatë – fitimprurëse, jofitimprurëse, bamirëse, fetare, qeveritare – kërkon shërbime të kontabilistit në mirëmbajtjen e informacioneve të kontabilitetit.
Pse të mësohet ekonomia?
Njohja dhe të kuptuarit e fenomeneve, ligjeve dhe kategorive më parësore ekonomike, individëve ua mundëson por në anën tjetër dhe ua lehtëson:
-Njohjen me mënyrën e re dhe më bashkëkohore të të menduarit shoqërorë, politik, ekonomik dhe social;
-Njohjen më të mirë dhe më të lehtë me mënyrën se si funksionon ekonomia dhe shoqëria në periudha të ndryshme kohore;
-Njohjen me ekonominë si mjet për analiza të ndryshme;
-Hulumtimin se si një firmë apo kompani, në mënyrë sa më efikase mund t’i realizojë qëllimet dhe aspiratat e saja afatshkurta, afatmesme dhe afatgjate;
-Nëse i kuptoni problemet dhe fenomenet më parësore ekonomike dhe nëse keni rast të prisni në radhë për të kërkuar punë, do t’i dini dhe kuptoni, shkaqet të pritjes suaj.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTET.MK