Periudhat e mbështetjes personale
Studimet bashkëkohore vërtetojnë se personaliteti zhvillohet në tri periudha:
1. Mbështetja në tjetrin.
2. Mbështetja në veten.
3. Mbështetja reciproke me tjetrin.
Çdo periudhë e ka specifikën e vet dhe ky kategorizim përfshin të gjitha nevojat materiale dhe shpirtërore.103
Të gjithë këtë e injoron ai që e mohon metodën e përsëritjes së mësimit derisa ta mësojë fëmija, me arsyen se duhet mësuar vetë, e hedh poshtë të mësuarit përmendsh për hir të kuptimit dhe e shkatërron besimin në edukatorin në emër të bindjeve.
Kujdes
Nëse fëmija yt është në periudhën e artikulimit të fjalëve, kujdesu që para tij t’i shqiptosh fjalët sa më drejt, mos e imito atë për mënyrën e të folurit të tij, sepse kjo ia rrënon besimin në vetvete, apo e rrënjos tek ai shqiptimin e gabuar.
Çdo gjë e ka kohën e vet
Ibn el-Kajim, Allahu e mëshiroftë, tha: “Ajo që duhet pasur kujdes është ta detyrojmë fëmijën të ecën para kohës, e kjo mund ta çojë deri në deformime të këmbëve, shkaku se ato janë të dobëta dhe nuk mund ta përballojnë ecjen para kohës.”104
Pllakatet në dyqane dhe në rrugë
Leximi i pllakateve në dyqane dhe në rrugë ia shton fëmijës shprehjet gjuhësore, e largon prej tij bezdisjen dhe e vizaton në mendjen e tij rrugën e kthimit për te shtëpia në raste kur e humb rrugën. Ndërsa prindërit duhet ta paralajmërojnë fëmijën se ka mundësi të ketë gabime nëpër ato pllakate, si dhe, nëse ka hapësirë, është mirë që t’ia sqarojë biografitë dhe ta njoftojë me jetën e disa prej emrave të personaliteteve që me to janë emërtuar rrugët.
Gjërat e perceptueshme
Fëmija mbështetet mbi gjërat e perceptueshme më shumë se që mbështetet në çështje abstrakte. Nëse babai i tij i thotë: Të dua! Kjo ka mundësi të mos i japë fare ndonjë përshtypje në krahasim nëse e afron, e përqafon dhe e puth; ai në këtë rast do ta ndiejë realitetin e dashurisë së babait ndaj tij.
Mësuesi i fillores
“Themel që nuk shihet, por ndërtimi nuk ngrihet përveçse me të. Ky themel është shkollimi fillestar. Njerëzit nuk e shohin sipas realitetit të tij dhe nuk e vlerësojnë sipas vlerës reale të tij. Dobësinë e mësuesit të fillores nuk e përmirëson fuqia e mësuesit të së mesmes dhe as profesorit universitar.”105
Përkujdesja për animet e nxënësit-fëmijës
“Prindi duhet të përkujdeset për prirjet e fëmijës dhe ta drejtojë kah ajo që anon, nëse është e lejuar. Po qe se prindi e nxit të shkojë pas asaj që fëmija nuk ka prirje, s’do të korrë sukses aty dhe më e keqja është se do t’i ikën ajo që ka prirje për të. Nëse e sheh fëmijën se i kupton gjërat dhe ka mendjemprehtësi, këto janë shenjë që ka prirje për dije. Nëse e sheh që ka prirje për zanat dhe është i përgatitur për të, le t’ia mësojë atë përderisa është në suaza të hallallit e në dobi të njerëzve, pasi paraprakisht ia ka mësuar gjërat fetare që i nevojiten atij.
Etiketimi i fëmijëve me llagape
Vëllai i Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e kishte një zog me të cilin lozte dhe kur zogu një ditë i ngordhi, ai u mërzit shumë. Kur e pa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të mërzitur, i tha: “O Ebu Umejr, çfarë ndodhi me zogun e vogël?”107
Prej dobive edukative të hadithit:
– Rëndësia e përkujdesjes për çështjet e nxënësit-fëmijës dhe bashkëveprimi me ndjenjat e tij dhe me interesimet e tij të lejuara sado të vogla që janë ato.
– Etiketimi i fëmijës së vogël me llagape e bën atë të ndihet se është nën përkujdesje, ia shton pjekurinë dhe e ngre në ndjenja, derisa e ndien veten se po krahasohet me të mëdhenjtë.
Përshëndetja e fëmijëve me selam
Ebu el-Hakem el-Anezi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Ecja me Thabit el-Bunani, Allahu e mëshiroftë, dhe kur kaluam pranë disa fëmijëve i përshëndeti me selam. Ai ma përmendi se kur kishte qenë me Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kishin kaluar pranë disa fëmijëve dhe Enesi i kishte përshëndetur ata. Ai i kishte thënë se kur ka qenë së bashku me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kishin kaluar pranë disa fëmijëve dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u kishte dhënë atyre selam.”108
Përshëndetja e fëmijëve me selam:
– E edukon me virtyte të larta.
– E bën të ndiejë respekt dhe se e pason sunetin.
– E largon petkun e mendjemadhësisë.
Është për t’u çuditur me disa që kur takohen me njerëz i përshëndesin të moshuarit dhe i tejkalojnë të vegjëlit.
Ndikimi i emrit tek i emërtuari
Emri ka ndikim tek i emërtuari, bile edhe te pasardhësit e tij, për këtë shkak le t’i emërtojmë fëmijët tanë me emra që kanë kuptim të mirë dhe që u ngjasojnë emrave të njerëzve të mirë.
Seid ibn el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, përcjell se gjyshin e tij kur e kishte takuar Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kishte pyetur: “Si quhesh?” I kishte thënë: “Emrin e kam Hazen (dëshpërim)!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i kishte thënë: “Ti prej sot do të quhesh Sehl (i lehtë).” I tha: “Unë nuk e ndërroj emrin me të cilin më ka emërtuar prindi im!” Ibn el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, tregon se shkaku i gjyshit të tij, cilësia e ashpërsisë dhe vrazhdësisë ka qenë prezente në mesin e familjarëve të tij.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK