Me gjymtyrë homogjene mjaft herë mund të dalin fjalë përgjithësuese, që shënojnë në tërësi atë që shtjellohet më pas, ndonjëherë më parë, nga vargu i gjymtyrëve homogjene:

Po dalja e ushtrisë turke në atë qafë i zgjoi të gjitha: dhe gryka, dhe fushat, dhe pyjet e dendura, dhe malet dhe kodrat për rreth. Kjo ngjante me njëfarë gare të çmendur, me një garë në të cilën dridhej çdo gjë, toka, sehirxhinjtë, xhamet e dyqaneve, banesat e ulta, selvitë e qytetit me krakëritjen e stërqokave të shqetësuara.

Si fjalë përgjithësuese dalin në radhë të parë përemra e ndajfolje me përmbajtje përemërore kuptimore të gjerë a të papërcaktuar (ose togje me të tilla përemra në përbërjen e tyre.) si: të gjithë, të tërë, gjithçka, asnjë, gjithkund, gjithandej, ngado, kurrkund, kudo, kurdoherë, gjithnjë, asnjëherë, ashtu etj. Fjalë përgjithësuese mund të jenë edhe emra të shquar në shumës, që shprehin tërësi. Rolin e tyre mund të luajnë në një masë të mirë edhe numërorë ose emra shumë të shoqëruar me numërorë:

Atje përmblidheshin të gjithë bashkë: epizmi, lirizmi, mençuria, urtësia dhe trimëria. Po sytë e tij nuk panë asgjë: as muret e veshura me dërrasa të nxira, e të skalitura anëve, as sergjenet me sahanë të mëdhenj bakri, as tavanin e drunjtë me lule, Dorën e tyre, mendimin guximin, hidhërimin e ndjenin kudo: te malet e ngritura buzë humnerës, te shtëpitë e çuditshme, te godinat me afreske të mrekullueshme.

Ajo figure mishëron vetitë më pozitive të popullit tonë: urtësinë, mençurinë dhe trimërinë. Të tre djemtë Harilla, Llazi dhe Kozmai, iu afruan zjarrit.

Fjalët përgjithësuese i gjejmë zakonisht pranë gjymtyrëve homogjene me raporte këpujore, ndonjëherë edhe pranë vargjeve të gjymtyrëve me raporte veçuese alternative:

Tmerri, britma e paniku, gjëmimet e patkonjve, gjithçka ishte tretur nën miliona kokrriza vese. Kishte dhëne urdhër që te bindeshin të tërë, qoftë prefekti, qoftë komandanti i xhandarmerisë së qarkut, qofte kryetari i bashkisë dhe gjithë zyrtarët e tjerë.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author