Nocione të përgjithshme. Përveç fjalive që kanë dy gjymtyrë kryesore, kryefjalën dhe kallëzuesin, në gjuhen shqipe ka edhe fjali vetëm me një gjymtyrë kryesore, e cila mund të interpretohet në mënyrë konvencionale sipas rastit ose si kallëzues ose si kryefjalë. Këto quhen fjali njëkryegjymtyrëshe. Ndarja e fjalive në fjali dy kryegjymtyrëshe dhe fjali njëkryegjymtyrëshe mbështetet në kriterin ndërtimor.

Fjalitë njëkryegjymtyrëshe, ashtu si fjalitë dy kryegjymtyrëshe, kanë ndërtim dhe kuptim të plotë, atyre nuk u mungon gjë:

Vështrova përjashta dritureve. Ftohtë. (Punë e mudhe se u thye një poç!) Hesht tashti! Ngreu të hamë drekë! Re. Veton e bubullon.

Duke u nisur nga fakti se me ç’pjesë të ligjëratës shprehet gjymtyra kryesore, fjalitë njëkryegjymtyrëshe ndahen në dy grupe kryesore ndërtimore: 1) fjali njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave shprehet me një folje; 2) fjali njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave shprehet me një emër.

Fjalitë njëkryegjymtyrëshe të të dy tipave mund të jenë të pazgjeruara ose të zgjeruara:

Gjëmonte. Lëri fjalët e mëdha. Ku po shkon? Heshtje. (Era fryn në majë të pishave. Yjtë xixëllojnë në qiell). Heshtje varri.

Gjymtyra kryesore e fjalive njëkryegjymtyrëshe mund të ngjajë si kryefjalë ose si kallëzues duke u nisur nga mënyra e shprehjes së saj dhe nga lidhjet në të cilat hyn a mund të hyjë me gjymtyrë të tjera, po ajo s’mund të njejtësohet me kryefjalën ose me kallëzuesin. Me anën e fjalive njëkryegjymtyrëshe bashkëfolësit mund të transmetojnë edhe efekte e ngjyrime stilistike, të cilat nuk jepen dot si duhet me fjalitë dykryegjymtyrëshe.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author